• e martë, 05 nëntor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/ 4 nëntor/ 2024

Shkup - Në vijim është seanca konstituive e Këshillit të Sigurisë e caktuar nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova. Anëtarë të Këshillit të Sigurisë janë kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, ministri i Mbrojtjes Vllado Misajlovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska Jordanova dhe Vllado Spiridonov.  Në mbledhje, përveç anëtarëve të Këshillit të Sigurisë, me ftesë të presidentes Siljanovska Davkova do të marrë pjesë edhe shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, drejtoresha e Agjencisë së Inteligjencës, Gabriela Jakovleva dhe drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski.

Shkup-  Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se MPB do t’i kontrollojë informacionet për 500 funksionarë për të cilët ekzistojnë indikacione se kanë bërë diçka që nuk është në përputhje me rregullat ligjore në kuptim të dëshmive adekuate të cilat nuk korrespondojnë me procedurat e nevojshme ligjore.  Toshkovski e deklaroi këtë pas pyetjes nëse MPB do ta kontrollojë certifikatën për gjuhën angleze të drejtorit të ASK-së, Bojan Hristovski, për të cilën ekzistojnë informacione se nuk është e vlefshme. Ai theksoi se MPB do të veprojë në përputhje me rregullat ligjore dhe se janë ndërmarrë veprime në disa procedura. 

Shkup -  Departamenti për Asgjësimin e Krimit të Organizuar dhe Serioz-Sektori për Hetime Kriminalsitike-Njësiti për Korrupsion, deri te PTHP për Ndjekjen e Krimit të Organiuar dhe Korrupsionit, ka parashtruar kallëzim penal kundër D.G. (58), E.A. (58) dhe O.P. (44), të gjithë nga Shkupi, për shkak të ektistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale "bashkim kriminal", "zbulim të sekretit shtetëror ","pengimi i drejtësisë" dhe "përvetësimi i kundërligjshëm dhe fshehje", njoftoi MPB. Të denocuarit D.G. dhe E.A., siç është bërë e ditur në kumtesë, gjatë periudhës kur ata ishin të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, së bashku me O.P., u bashkuan me një grup të krimit të organizuar për të cilin ata kanë mbledhur, informuar, komunikuar, transferuar, ose kanë siguruar ose në mënyrë tjetër kanë mundësuar transferimin e të dhënave të cilat paraqesin sekret zyrtar.

Shkup - Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) sot në Kuvend ka parashtruar Propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin e vlerës së shtuar, me të cilin parasheh heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore, respektivisht nga pesë për qind në zero për qind TVSH, për të gjithë produktet themelore ushqimore. Propozim ligjin, sot në konferencë për media në Kuvend, e prezantoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sipas të cilit, ndryshimet do të nënkuptojnë kursime mujore për qytetarët prej 1.200 deri në 2.000 denarë. "Ajo që është më me rëndësi është se për zbatimin e propozim ligjit nuk kërkohet sigurimi i mjeteve financiare dhe kjo masë nuk do të mund të mos respektohet nga tregtarët, siç ndodhi me masat e Qeverisë së Hristijan Mickoskit", tha Filipçe. dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve, pavarësisht ideologjisë politike, të mbështesin ligjin.

Shkup - Rritja e ndihmës së garantuar minimale për 10 për qind, shtesa e posaçme për 30 për qind, ndihma financiare për tetraplegjinë për 50 për qind, për të shurdhërit plotësisht për 20 për qind, e drejta e kompensimit për punën afatshkurtë për prindërit për shkak të kujdesit ndaj një fëmije ose të një personi me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore dhe me sëmundje më të rënda kronike për 30 për qind, si dhe futjen e një të drejte të re për ndihmë financiare për personat pa gjymtyrë të sipërme, paralajmëroi sot ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani. Siç theksoi Limani në ngjarjen Platforma: 100% kushtuar për ty - "Masat dhe politikat për promovimin e shëndetësisë, politikave sociale, demografisë dhe rinisë", parashikohet program për punësimin e të paktën një personi me aftësi të kufizuar në të gjitha institucionet publike, por ende nuk do të përcaktohet raporti, nëse do të jetë një me 20, 30 apo 50.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski së bashku me një ekip qeveritar ka zhvilluar takim me sindikatat e punëtorëve shëndetësorë, me të cilët ka biseduar për qëndrimin e mjekëve dhe personelit tjetër shëndetësor. Bëhej fjalë për nevojën e rritjes së pagave, por dhe rritjen e efektit, si dhe barazisë më të madhe në angazhimin e personelit shëndetësor, informoi shërbimi qeveritar për shtyp. Qeveria, siç thonë nga atje, ka afirmuar përkushtimin e saj për respektimin e punës së mjekëve dhe të gjithë punëtorëve shëndetësorë, si dhe nevojën për përmirësimin e kushteve të punës dhe disponueshmërinë më të madhe të shërbimeve shëndetësore për qytetarët, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor.

Shkup - Rritja e pensioneve për 2.500 denarë në mars të vitit të ardhshëm do të thotë rritje e shpenzimeve buxhetore për 862 milionë denarë në muaj ose për 14 milionë euro, tha sot drejtori i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPIM), Nikolla Memov. Siç informoi Memov, për muajin shtator, transferet e Qeverisë ndaj FSPIM-it kanë qenë 3,6 miliardë denarë, ndërsa për pagesën e pensioneve në muajin tetor janë rreth 3,2 miliardë denarë. "Rritja aktuale për 2.500 denarë, nga 1 shtatori, në shumën totale nga buxheti nënkupton rritje të pensioneve për 11,2 për qind", theksoi drejtori, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në ngjarjen Platforma: 100% kushtuar për ty - "Masat dhe politikat për promovimin e shëndetësisë, politikave sociale, demografisë dhe rinisë".

Shkup – Transportuesit privatë Jofi Bus SHPK nga transporti publik i qytetit në Shkup propozojnë që koordinatorët e grupeve të këshilltarëve, Qyteti i Shkupit ose Qeveria të caktojnë takim të zgjeruar me Ndërmarrjen Qarkulluese Publike (NQP) për gjetjen e rrugëdaljes nga kriza me transportin publik të qytetit, njoftoi sot në konferencë për media përfaqësuesi i transportuesve privatë, Jofi Bus, SHPK, Jovica Zafirovski.  “Transporti publik në qytetin e Shkupit nuk është në nivelin që duhet të jetë, prandaj ne si transportues privat vendosëm t'u propozojmë autoriteteve që të caktojnë një takim në një nivel më të lartë që të dalim nga kjo situatë. U sugjerojmë koordinatorëve të grupeve të këshilltarëve, Qytetit të Shkupit, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, të gjithë ekspertëve që janë në transportin publik, ne transportuesit privatë, së bashku me NQP, le të ulemi në takim të zgjeruar për të gjetur një rrugëdalje nga kjo krizë. Po bëjmë thirrje publike që ai takim të mbahet sa më shpejt që të dalim nga kjo situatë”, tha Zafirovski.

Shkup – Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPI) funksionon me 491 të punësuar nga 950 vende të planifikuara të punës ose me 50 për qind të kapacitetit. Plotësisht është uzurpuar gjatë 15 viteve të kaluara, degraduar dhe gjendet në gjendje katastrofike nga disa aspekte. Ka edhe çekuilibër kadrovik. Filialet në perëndim të Maqedonisë janë mbi 90 për qind të plotësuara me kuadër, ndërsa në Manastir, Prilep, Veles, Strugë, Shtip, Strumicë, Gjevgjeli, ka më pak se numri i nevojshëm i të punësuarve për minimum funksionim të filialeve, tha sot drejtori i këtij institucioni, Nikolla Memov.  Ai sqaroi edhe se janë dhënë një numër i madh i autorizimeve për shpërndarje të të punësuarve në vende joadekuate të punës që ka rezultuar me mbi 400 padi kundër FSPIM nga të punësuarit. 

Shkup – Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari deklaroi sot se duhet të shihen të gjitha rrethanat lidhur me vdekjen e foshnjës nga Strumica e cila gjatë fundjavës ndërroi jetë në Klinikën e Fëmijëve. Nga informacionet të cilat i ka marrë nga drejtori i Klinikës së Pediatrisë, shtatzënia e nënës nuk ishte ndjekur siç duhet.  “Dje mora informacion nga drejtori i Klinikës së Pediatrisë. Bëhet fjalë për shtatzëni e cila nuk ishte ndjekur siç duhet, të paktën sipas informacioneve të cilat i mora. Pastaj fëmija është mbajtur në kushte shtëpie ose në spitalin në Strumicë dhe kur është sjellë foshnja në Klinikën e Pediatrisë, tashmë ishte në gjendje shumë të përkeqësuar. Kështu që duhet të shihen të gjitha rrethanat dhe sipas asaj do të veprojë edhe Ministria”, tha Taravari duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas debatit të cilin e organizoi Qeveria kushtuar politikave për përparimin e shëndetësisë, politikës sociale, demografisë dhe rinisë. 

Shkup - Përafërsisht, rreth 10 kolegë dëshirojnë të kthehen nga shëndetësia private në atë publike. Disa veçmë janë në proces të trasferit, informoi paradite ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë "Platformës: 100% kushtuar për ty" me temë "Masat dhe politikat për promovimin e shëndetësisë, politikave sociale, demografisë dhe rinisë", të mbajtur në Qeveri. "Nuk do të doja të përmend emra. Mendoj se është jokorrekte, nëse duan kolegët, le të thonë. Unë do të përmend klinikat. Neurologjia, Neurokirurgjia, "8 Shtatori" – kanë nevojë për mjekë infektivë, këto i mbaj mend. Rreth 10 kolegë përafërsisht. Disa janë tashmë në proces transferimi, u përgjigj ai, i pyetur se sa mjekë, nga cilat spitale private duan të kthehen dhe nga cilat klinika dhe spitale kërkohen.

Shkup - Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, realizoi takim me përfaqësues të udhëheqësisë së Odës Ekonomike Maqedoni - Turqi (MATTO), ku u bisedua për bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar ndërmjet dy vendeve mike, si dhe për mundësitë për lehtësimin e procedurave për tërheqjen e më shumë investitorë turq. Në takimin, kumtoi pres shërbimi i Kuvendit, morën pjesë kryetari i MATTO-s, Ajdovan Ademoski, bashkëkryetari Bilall Suxhubashi, nënkryetarët e Odës, Imer Selmani dhe Eser Xhevahir dhe Shahpaz Molaliev, drejtor ekzekutiv.

Shkup - Prej orës 08:00 nesër do të fillojë pastrimi dhe klorifikimi i rezervuarit në Lubin. Për këtë shkak, është e mundur një ndërprerje e vogël e furnizimit me ujë, kumtojnë nga NP "Ujësjellësi dhe Kanalizimi" – Shkup. Ndërprerja, siç është paralajmëruar, do të jetë deri në përfundimin e aktiviteteve të punës. Për shkak të ndërrimit të dy shtupave nga f-150 milimetra në udhëkryqin midis bulevardeve "Aradhat Partizane" dhe "8 Shtatori", nesër prej orës 08:30 pa ujë do të mbeten konsumatorët në pjesën nga bulevardi "8 Shtatori" deri në rrugën "Nikola Tesla" në Komunën e Karposhit. 

Kavadar - Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot e vizitoi shkollën e mesme komunale “Kiro Spanxhov-Bërko” në Kavadar. "Me drejtorin e Drejtorisë dhe Inspektoratit për Mjedis Jetësor kemi ardhur të shohim risitë që janë shpërblyer. Gjithashtu , të shqyrtojmë mundësitë për mbështetje të risive të tilla. Jemi të përkushtuar ndaj agjendës së gjelbër", nënvizoi ndër të tjera Mexhiti.  MIA që në shtator informoi se profesori Dimitrija Angellkov dhe pesë nxënës nga Kavadari kanë prodhuar 30 pastrues ajri. 

Prishtinë – Zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Luksemburgut, Ksavie Betel, i cili udhëtoi për vizitë zyrtare në Kosovë, pas takimit me nikoqiren e tij, ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, theksoi se qëllimi i vendeve evropiane është që të shmanget çfarëdo lloj lufte në Ballkan, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.  Në konferencën e përbashkët për media me Gërvallën, Betel theksoi se rajoni, në kohën e duhur, "duhet të ketë perspektivë evropiane". “Dihet që ne bëjmë çmos për të shmangur luftën. Nëse jemi të dobishëm, do të shmangim çdo luftë dhe kjo është detyra jonë. Kjo është arsyeja pse rajoni duhet të ketë perspektivë evropiane, por jo pas 200 vjetësh”, tha Betel, duke shtuar se ky rajon “vuajti shumë nga vendimet e marra nga të tjerët”.

Prishtinë - Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, deklaroi se nuk sheh asnjë sinjal se mund të ketë ndryshime sa i përket mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën, pavarësisht nëse kandidati i republikanëve Partia, Donald Trump, fiton zgjedhjet, apo kandidatja e Partisë Demokratike, Kamala Haris, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në konferencën për media të mbajtur me homologun e saj nga Luksemburgu, Xavier Bettel, Gërvalla ka thënë se "miqësia e Kosovës me SHBA-në nuk ndikohet nga zgjedhjet e së nesërmes atje".

Tiranë - Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato potencoi se Shqipëria nuk ka kohë për të zvarritet me zbatimin e reformave dhe vuri në dukje se duhet të ketë bashkëpunim mes partive në vend për rezultat sa më pozitiv. Në hapjen solemne të edicionit të 9-të të Shkollës për Integrime Evropiane, ai kujtoi se javën e kaluar KE-ja miratoi edhe agjendën e reformës për planin e rritjes, duke shtuar se ideja kryesore është të sjellë disa nga përfitimet dhe se "kjo përfshin mundësitë për ndërhyrje më të mirë në Bashkimin Evropian dhe nivelet tjera financiare".

Madrid - Spanja vendos 7500 ushtarë në rajonin e saj lindor të goditur nga përmbytjet shkatërruese, kumtoi sot qeveria, në kushte kur në opinion është rritur pakënaqësia për shkak të përgjigjes së saj ndaj katastrofës në të cilën e humbën jetën të paktën 217 njerëz.  Ushtria dërgoi rreth 5000 ushtarë gjatë fundjavës për të ndihmuar në shpërndarjen e ushqimit dhe ujit, pastrimin e rrugëve dhe mbrojtjen e dyqaneve dhe pronave nga grabitësit. 2500 tjerë do t'i bashkohen atyre, deklaroi ministrja e mbrojtjes Margarita Robles për radion shtetërore RNE.  Anija luftarake, e cila transportonte 104 personel detar, si dhe kamionë me ushqime dhe ujë, iu afrua portit të Valencias edhe kur një breshër i fortë goditi Barcelonën, rreth 300 kilometra në veri.

Paris - Katës persona janë lënduar sot gjatë sulmit me sëpatë në një tren francez, kumtoi policia franceze, transmeton DPA.  Zëdhënësi i policisë deklaroi se sulmi në rajonin e Parisit isht akt hakmarrjeje. Dy të lënduar janë në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerët janë me lëndime më të lehta. Rrethanat e sakta të sulmit ende nuk janë sqaruar. Operatori hekurudhor SNCF kumtoi sot në rrjetin social “Iks” se një incident ka ndodhur në një tren në Ozuar-la-Ferier, në juglindje të Parisit. Në vendngjarje kanë mbërritur policia dhe zjarrfikëset. Nuk ka detaje të tjera për incidentin, por në publikimin thuhet se disa trena janë anuluar.

Erevan -  Armenia dhe Azerbajxhani po diskutojnë rreth raundit e ardhshëm të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit dhe nuk kanë arritur ende një vendim përfundimtar, deklaroi kryetari i parlamentit armen, Alen Simonjan, i cituar nga një agjenci armene e lajmeve. Lidhur me punën e përbashkët të komisioneve të Armenisë dhe Azerbajxhanit për demarkacionin e kufijve, Simonjan tha se marrëveshja midis komisioneve të dy vendeve është fitorja më e madhe për ata.

Uashington - Presidenti i SHBA-së, Xho Bajden ia uroi fitoren në zgjedhjet e djeshme presidenciale Maja Sandus, duke theksuar se dështuan përpjekjet e Rusisë për të minuar procesin zgjedhor në Moldavi. "E uroj Maja Sandun për rizgjedhjen e saj historike për presidente të Moldavisë. Me muaj të tërë, Rusia është përpjekur të minojë institucionet demokratike dhe proceset zgjedhore të Moldavisë. Por, Rusia dështoi", potencoi Bajden.

Gazë - Të paktën 15 persona kanë vdekur në një sulm të ri izraelit ndaj dy shtëpive në qytetin Beit Lahia në pjesën veriore të Rripit të Gazës.  “Disa njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja pas sulmit”, tha një dëshmitar okular. Ushtria izraelite ka shtuar sulmet vdekjeprurëse në veri të Gazës që nga 5 tetori, duke pretenduar se po përpiqet të parandalojë grupin palestinez të rezistencës Hamas nga rigrupimi. Palestinezët, megjithatë, akuzojnë Izraelin se dëshiron të pushtojë zonën dhe të zhvendosë me forcë banorët e saj.

Uashington - Një ditë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA veçmë votuan më shumë se 78 milionë persona. Votimi i parakohshëm vazhdon sot dhe në tri shtete tjera kyçe: Miçigen, Uiskonsin dhe Pensilvani. Në Karolinën e Veriut, një nga shtatë shtetet kryesore që mund të vendosin rezultatin e zgjedhjeve, para kohe votuan më shumë se 4,4 milionë persona, me çka është thyer rekordi i vitit 2020, kur para ditës së zgjedhjeve votuan 3,6 milionë persona.

Ramallah  - Kolonët izraelitë në Bregun e pushtuar Perëndimor kanë djegur 20 automjete në një sulm ndaj pronave palestineze në periferi të Ramallahut. Dhjetra sulmues të maskuar hodhën bomba djegëse ndaj automjeteve në zonën Al Bire në periferinë Ramallah gjatë natës dhe vazhduan ta bëjnë këtë edhe krahas thirrjeve nga banorët lokalë për t'u ndalur. "Kur zbritëm për t'u ballafaquar me shuarjen e zjarrit, ata filluan të gjuajnë drejt nesh", deklaroi Ihab Al Zaben, banor i zonës.

Stamboll - Trajneri i Fenerbahçes, Zhoze Murinjo e kritikoi referimin në kampionatin turk. Kjo ka ndodhur pas ndeshjes në xhiron e 11 kundër Trabzonsporit (2:3). "E akuzoj menaxhmentin e Fenerbahçes që më solli këtu, më treguan vetëm gjysmën për situatën këtu. Të ma tregonin tërë rrëfimin për gjyqtarët, nuk do të vija këtu! Unë nuk jam turk, ju turqit, mos e lëni kështu këtë situatë", thotë portugezi, i cituar nga "Luisbansh". Fenerbahçe është i dyti në tabelë me 23 pikë nga 10 ndeshje. Lider është Gallatasaraj me 28 pikë. 

QËNDRONI TË LIDHUR