• e enjte, 05 shtator 2024
MIA Flesh

15:00/4 shtator/2024

Bruksel - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, në takim me komisarin për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varheјi, mëngjesin e sotëm e filloi vizitën e parë të punës në Bruksel. Bisedat, siç kumtoi Ministria e Çështjeve Evropiane, u fokusuan në procesin aktual euro-integrues dhe në hapat që vijojnë për progres të mëtejshëm. Ministri Murtezani theksoi përkushtimin e fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit drejt BE-së, si dhe gatishmërinë e vendit për tu harmonizuar me standardet e Unionit.

Bruksel - Si Qeveri jemi të gatshëm për dialog thelbësor me Bullgarinë i cili duhet të përfundojë me tejkalimin e pengesave në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian, pastaj duke mbrojtur interesat e të dyja vendeve, deklaroi sot në Bruksel ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezan pas takimit me Komisarin Evropian për politika të fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Varheji. "E informova komisarin Varheji për prioritetet e Qeverisë si dhe se integrimi evropian i Republikës së Maqedonisë së Veriut është ndër prioritetet kryesore të vendit. Eurokomisari më informoi se Komisioni Evropian dhe institucionet e Bashkimit Evropian mirëpresin përkushtimin e Qeverisë, veçanërisht hapin në të cilën është punuar dhe zbatuar agjenda e reformave të cilën unë personalisht e konsideroj si një nga arritjet më të mëdha në njëqind ditët e para të Qeverisë", deklaroi Murtezani për MIA-n.

Shkup - Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov ka realizuar takim me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Metju Loson me të cilin biseduan për bashkëpunimin dypalësh, mbështetjen e projektit për reforma në gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe realizimin e qëllimeve strategjike për anëtarësim në BE. Ministri Filkov, informuan sot nga Ministria e Drejtësisë, theksoi se ka një rrugë të gjatë dhe të vështirë përpara për zbatimin e reformave në Këshillin gjyqësor, Këshillin e prokurorëve publikë dhe Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve në drejtësi.

Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, nesër do të presë Hakan Fidan, ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, i cili po vjen për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Siç paralajmëruan  nga MPJ-ja, ministrat Mucunski dhe Fidan do të kenë takim tet-a-tet, ndërsa në fokus të bisedimeve do të jenë marrëdhëniet dypalëshe politike, forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe shfrytëzimi i mundësive për investime, si dhe avancimi i bashkëpunimit edhe në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Shkup - Me nëntë vota "për" dhe pa asnjë votë "kundër" ose të "abstenuar", anëtarët e Komisionit të Kuvendit për çështje evropiane e kanë përkrahur Ligjin për procedurë kontestimore. Paraprakisht, ky propozim-ligj mori përkrahje edhe nga Komisioni për sistem politik dhe marrëdhënie mes bashkësive dhe Komisioni ligjvënës-juridik. Zëvendës ministri i Drejtësisë, Alen Dereban në elaborimin para anëtarëve të Komisionit, tha se qëllimi i miratimit të këtij propozim-ligji është mënjanimi i mungesave, të cilat janë paraqitur nga zbatimi praktik i Ligjit aktual për procedurë kontestimore, e të cilat, siç tha, janë konstatuar nga të gjithë pjesëmarrësit në procedurë, duke përfshirë edhe gjykatat, avokatët, palët, organet shtetërore. Potencoi se mungesat janë kontestuar edhe në vërejtjet e Bankës Botërore përmes raporteve Duing Biznis 2020. 

Shkup - Bruto Prodhimi Vendor (BPV) në tremujorin e dytë të vitit shënoi rritje prej 2,3 për qind, publikoi sot Enti Shtetëror për Statistikë (ESHS). Në tremujorin e dytë të këtij viti, një rritje më e madhe është vërejtur në sektorët e mëposhtëm: Art, argëtim dhe rekreacion; Aktivitete të tjera shërbimi; Aktivitetet e familjeve si punëdhënës; aktivitetet e familjeve që prodhojnë mallra të ndryshme dhe kryejnë shërbime të ndryshme për nevojat e tyre nga 9.5 për qind, ndërsa 8.7 për qind në veprimtaritë profesionale, shkencore dhe teknike dhe veprimtaritë e shërbimeve administrative dhe ndihmëse.

Shkup - Në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI) – Shkup sot u shënua fillimi i ndërtimit të fabrikës së grupacionit gjerman BMZ e cila merret me ndërtimin e baterive të litiumit. Investimi kap vlerën prej 65 milion euro dhe pritet që fabrika të përfundojë deri në maj të vitit të kaluar, ndërsa eksportet në tre vitet e para të arrijnë të paktën 60 milionë euro. Prodhimi komercial ka filluar me investimin braunfild, por mungonte më shumë hapësirë e cila do të siguronte në një fabrikë moderne ku numri i përgjithshëm i të punësuarve paralajmërohet të arrijë në një mijë.

Shkup - Të enjten do të ketë kushte për mot jostabil, ndërsa nga dita e premte do të ketë mot të ndryshueshëm me vranësira në disa vende me reshje të rrëmbyeshme dhe bubullima, kumton DPHM-ja. Proceset do të jenë më intensive të premten dhe të shtunën, ku në disa vend do të ketë stuhi me reshje të rrëmbyeshme të shiut, bubullima, erë të përforcuar dhe breshër. Temperaturat gjatë ditës do të jenë gradualisht në rënie.

Lubjanë - Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon mbylli Forumin strategjik të Bledit të këtij viti i cili sipas saj është "më i rëndi në situatën gjeopolitike". "Kjo ishte një përvojë e re, sigurisht forumi më i vështirë në një situatë komplekse gjeopolitike, por më shumë se 2.500 të ftuar shkuan në shtëpi me përshtypje të mira nga mikpritja e Sllovenisë", ka shkruar Fajon në rrjetin social X. Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë në hapjen e Forumit të hënën theksoi se përgjigja ndaj një numri të madh krizash dhe konfliktesh në botë patjetër duhet të jetë politika dhe diplomacia.

Ankara - Policia e Stambollit e arrestoi Liridon Rexhepin, të cilin Organizata Kombëtare e Inteligjencës (MIT), e identifikoi si shef të rrjetit financiar të Mosadit në Turqi, njoftoi Anadolia duke iu referuar burimeve të sigurta. Sipas burimeve, Rexhepi ka menaxhuar operacionet financiare të agjencisë izraelite të inteligjencës Mosad në Turqi. Gjithashtu pretendohet se është zbuluar se Rexhepi, me instruksione të shërbimit izraelit të intelegjencës, ka kryer incizime me dron dhe aktivitete operative psikologjike kundër politikanëve palestinezë. Aktivitetet e Rexhepit, përfshirë transaksionet e dyshimta në llogaritë e tij, monitoroheshin nga MIT.

Stamboll - Roli i inteligjencës artificiale në krijimin e perspektivave mediatike, potencialet e IA dhe mundësitë që ajo hap, por edhe përdorimi korrekt i saj në punën mediatike për të mbrojtur postulatet bazë mbi të cilat mbështetet gazetari janë temat të cilat diskutohen në Konferencën "Navigimi i IA dhe mediat", e cila po mbahet sot në Stamboll në kuadër të ngjarjeve lidhur me Asamblenë e 32-të të Përgjithshme të Asociacionit të agjencive ballkanike të lajmeve - Evropa Juglindore (AABE-EJL), anëtare e së cilës është edhe MIA. Në hapje të Konferencës, Sekretari i Përgjithshëm i AABE-EJL dhe drejtori i BTA, Kiril VËlçev theksoi se ky debat është shembull se IA nuk mund të zëvendësojë komunikimin natyror mes njerëzve, veçanërisht jo në rajonin e Ballkanit, ku ndërveprimet ndërpersonale janë gjithmonë të udhëhequra nga emocionet e gjalla njerëzore.

Bruksel - Në përbërjen e ardhshme të Komisionit Evropian pritet të ketë të paktën 10 gra, deklaroi sot kryetarja e KE-së, Ursula fon der Lajen. "Gjysma e qytetarëve të BE-së janë gra, pasi kemi për qëllim të arrijmë barazinë gjinore në komisionin e ri, ku barazia është e siguruar me parim gjeografik dhe me përkatësi politike", tha Lajen. Ajo shtoi se ende po bisedohet me të gjithë të propozuarit për komisarë evropianë. "Eurokomisarët duhet të jenë kompetentë, kjo është kërkesa më e rëndësishme", tha Lajen.

Bruksel - Vështirë të ketë sektor të rëndësishëm për kontinentin tonë nga bujqësia e cila është jetike për shëndetin tonë dhe me rëndësi strategjike për ekonominë tonë, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në një konferencë shtypi në Bruksel kushtuar Dialogut strategjik për të ardhmen e bujqësisë. “Por, e dimë se fermerët tanë përballen me sfida të shumta dhe gjithnjë e më të mëdha nga konkurrenca shumë e vështirë globale deri te efektet shkatërruese të ndryshimeve klimatike”, deklaroi Fon der Lajen.

Gaza - Agjencia kryesore e Kombeve të Bashkuara për ndihmë të refugjatëve palestinezë - UNRVA sot njoftoi se po përparon me vaksinimin kundër paralizës së fëmijëve në Gaza, duke bërë thirrje gjithashtu për një armëpushim të përhershëm në luftën 11 mujore në mënyrë që situata humanitare të përmirësohet, raportoi Hina. UNRVA kumtoi se gjatë tre ditëve të fushatës, rreth 187,000 fëmijë u vaksinuan në pjesë të ndryshme të Gazës qendrore. Në fazën e dytë, fushata do të vazhdojë në zona të tjera të enklavës. Fushata u nxit pasi një foshnjë u sëmur nga poliomieliti muajin e kaluar, rasti i parë i tillë në Gaza në 25 vitet e fundit. 

Tel Aviv - Ministri izraelit i ektremit të djathtë për siguri kombëtare, Itamar Ben-Gvir, deklaroi sot se po përpiqet të sabotojë negociatat për armëpushim në Gazë dhe shkëmbimin e të burgosurve me Hamasin, transmeton Anadolia. “Po përpiqem të ndal negociatat me Hamasin. Një vend, gjashtë pengjet e të cilit janë vrarë gjakftohtë, nuk negocion me vrasës, por i ndërpret negociatat, i shtyp ata dhe nuk i furnizon me karburant dhe energji elektrike”, ka shkruar Ben-Gvir në rrjetin social Iks.

Tel Aviv - Lideri i opozitës izraelite, Jair Lapid, sot bëri thirrje për marrëveshje me Hamasin për t'i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe lirimin e pengjeve që ende mbahen nga grupi palestinez, njoftoi DPA. "Përfundimi i luftës është në interesin e Izraelit," njoftoi Lapid në hebraisht në Rrjetin X. Ai, në të njëjtën kohë, përsëriti thirrjen e tij për një ndryshim në udhëheqjen politike të Izraelit. “Lufta do të vazhdojë për sa kohë të ekzistojë kjo qeveri”, ka shkruar Lapid. "Qeveria nuk do paqe," shtoi ish-kryeministri dhe kreu i partisë centriste jesh Atid.

Tel Aviv - Armata izraelite bëri të ditur se në orën e fundit janë lëshuar rreth 65 raketa  nga drejtimi i Libanit në drejtim të Galilesë, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi militant Hezbollah, duke pretenduar se objektiv ishin pozicionet ushtarake izraelite. Në kumtesën e IDF-së shtohet se disa raketa janë kapur, ndërsa të tjera goditën një hapësirë të hapur. Disa raketa goditën qytetin verior izraelit Kirjat Shmona, duke dëmtuar të paktën një shtëpi, thanë autoritetet lokale.

Dakë - Rreth 8.000 persona të komunitetit Rohingya muajt e kaluar kanë arrit në Bangladesh duke ikur nga eskalimi i dhunës në shtetin perëndimor të Mianmarit, Rakin. "Qeveria dy-tre ditët e ardhshme do të mbajë debat serioz për zgjidhjen e krizës", deklaroi dje ministri i Punëve të Jashtme të Banglandeshit, Mohamed Tuhid Hosein.  Ndërsa zyrtari i lartë i qeverisë së Bangladeshit për refugjatët, Mohamed Shamsud Duza theksoi se vendi tashmë është i mbingarkuar dhe nuk mund të strehojë më shumë Rohingya. 

Ulanbator - Varësia energjetike e Mongolisë e vështirëson arrestimin e presidentit rus Vladimir Putin me urdhër të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), deklaroi një zëdhënës i qeverisë mongole. Putini vizitoi Mongolinë me ftesë të presidentit mongol, Ukhnaagiin Kurelskh që shënoi udhëtimin e tij të parë në një shtet anëtar të GJNP-së që ka ratifikuar Statutin e Romës i cili detyron nënshkruesit të arrestojnë Putinin nëse ai hyn në territorin e tyre. Në mars, GJNP lëshoi ​urdhër arrest për Putinin për shkak të transferimit me forcë të fëmijëve nga territori ukrainas i pushtuar nga Rusia.

Uashington - Ish presidenti amerikan dhe kandidati presidencial i Partisë Republikane, Donald Tramp mbrëmë e konfirmoi pretendimin për grabitjen e zgjedhjeve katër vjet më parë, por pranoi se u mund nga kandidati i atëhershëm i Partisë Demokratike dhe presidenti aktual i SHBA-së, Xho Bajden. "Kam fituar miliona vota më shumë se kur fitova zgjedhjet e mëparshme. Më thanë se kam fituar 63 milionë vota dhe do të fitoj. Por nuk munda të fitoja ... humba për një fije floku dhe - shiko çfarë ndodhi me botën", deklaroi Tramp në podkastin Leks Fridman. Tramp theksoi gjithashtu se nëse zgjidhet president i SHBA-së do t'i japë fund luftës në Ukrainë.

Uashington - Xhimi Mekejn, djali senatorit të ndjerë republikan Xhon Mekejn, planifikon të mbështesë fushatën parazgjedhore të kandidates presidenciale nga radhët e demokratëve, Kamala Harris, njofton DPA. Mekejn dje deklaroi për Si-En-En se është distancuar nga Partia Republikane dhe zyrtarisht është regjistruar si demokrat. Ai sulmoi kandidatin republikan presidencial Donald Tramp, duke dënuar veçanërisht paraqitjen e fundit të tij në varrezat kombëtare të Arlingtonit. Tramp vendosi një kurorë në një varrezë në kujtim të ushtarëve amerikanë që humbën jetën në një sulm vetëvrasës në Afganistan tre vjet më parë.

QËNDRONI TË LIDHUR