Mbyllja e qeverisë së SHBA-së bëhet më e gjata në histori
- Mbyllja momentale e qeverisë amerikane është bërë më e gjata në historinë e SHBA-së, duke arritur sot në ditën e 36-të, ndërsa Kongresi mbetet pa një buxhet federal të miratuar.
- Post By Fami Bajrami
- 11:00, 5 nëntor, 2025
Uashington, 5 nëntor 2025 (MIA) - Mbyllja momentale e qeverisë amerikane është bërë më e gjata në historinë e SHBA-së, duke arritur sot në ditën e 36-të, ndërsa Kongresi mbetet pa një buxhet federal të miratuar.
Mbyllja e mëparshme më e gjatë e qeverisë në historinë e SHBA-së ndodhi gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Tramp, duke lënë shumë operacione federale në masë të madhe të ndaluara për më shumë se pesë javë gjatë periudhës së fundvitit 2018-2019.
Sa do të zgjasë mbyllja, varet nëse të dy palët mund të arrijnë marrëveshje.
Pritet që Senati të mbajë votime të mëtejshme sot, ndërsa Dhoma e përfaqësuesve - dhoma tjetër e Kongresit - nuk ishte planifikuar të mblidhej këtë javë, megjithëse mund të mblidhet duke pasur parasysh rrethanat.
Mbyllja e ka lënë qeverinë pa fonde për operacionet e vazhdueshme. Shpenzimet federale kanë ndaluar në mënyrë efektive, duke e lënë në rrezik punën e shumë agjencive dhe zyrave. Është bërë përjashtim vetëm për ato agjenci që konsiderohen thelbësore.
Kjo bëhet gjithnjë e më e dukshme në jetën e përditshme në SHBA.
Shumë punonjës të qeverisë federale nuk janë paguar që nga tetori. Në aeroporte ka radhë të gjata pasi procedurat e regjistrimit nuk zhvillohen si zakonisht.
Ata që varen nga ndihma ushqimore për momentin duhet të presin më gjatë. Institucionet e klasifikuara si jothelbësore janë detyruar të mbyllen ose t'i dërgojnë punonjësit e tyre në pushim të detyrueshëm.
Kongresi i SHBA-së duhej të binte dakord për një buxhet të ri federal deri në fund të shtatorit, por draft- ligji i buxhetit kalimtar i propozuar nga Partia Republikane e Trampit nuk mori shumicën e nevojshme.
Propozimi i demokratëve më parë dështoi.
Foto: arkivi i EPA-s