• e shtunë, 22 shkurt 2025

LSDM-ja ka dorëzuar ligj për uljen e TVSH-së për rrymën prej 18 për qind në 5 për qind dhe heqjen e TVSH-së për ushqim

LSDM-ja ka dorëzuar ligj për uljen e TVSH-së për rrymën prej 18 për qind në 5 për qind dhe heqjen e TVSH-së për ushqim

Shkup, 17 shkurt 2025 (MIA) - Grupi parlamentar i LSDM-së dhe koalicionit deri në Kuvend sot kanë dorëzuar propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për TVSH-në me të cilin kërkojnë uljen e taksës për energjinë elektrike nga 18 për qind në 5 për qind dhe heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, gjegjësisht uljen e saj nga 5 për qind në 0 për qind.

Siç informoi në konferencën e sotme për media deputeti i LSDM-së Fatmir Bytyqi, me këto propozim-ndryshime kërkohet realizimi sistematik i dy nga shtatë masave ekonomike të LSDM-së.

"Ulja e TVSH-së për energjinë elektrike do të nënkuptojë 13 për qind fatura më të ulëta, gjegjësisht rrymë më e lirë për mbi 600 mijë amvisëri. Për një faturë prej 3.000 denarë, qytetarët do të kursejnë rreth 400 denarë – shumë që në vend që të shkojë në buxhetin e shtetit do të mbetet në buxhetet familjare. Pasi që nga ana tjetër, heqja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë do të sjellë ushqime më të lira, gjegjësisht ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë për 5 për qind", tha ai.

Bytyqi theksoi se dhe përkundër asaj që me muaj të tërë Qeveria premtoi masa për uljen e çmimeve, shohim, siç tha ai, një debakël të plotë të politikave të qeverisë.

"Të aq. 'shportat e festave kundër krizës' pësuan fiasko. Ngrirja e paralajmëruar e marzheve ende nuk është miratuar! Përderisa Qeveria të reagojë për çmimet e ushqimeve, qytetarët filluan të paguajnë dhe më shumë për rrymën. U formua Ministria e Energjetikës, por vitin e kaluar ka realizuar vetëm 50 për qind nga investimet kapitale të planifikuara. Prodhimi i brendshëm i energjisë nuk rritet, që na ka bërë edhe më të varur nga importet e shtrenjta. Në nëntor, importi i planifikuar i rrymës nga vendet fqinje ishte 0 GWh, por realisht ishin importuar 351.3 GWh. E njëjta gjë ndodhi përsëri në dhjetor, kur importi i planifikuar ishte sërish 0 GWh, ndërsa u importuan 425.7 GWh", tha ai.

Me dorëzimin e këtij Propozim-ligjit në procedurë të shkurtuar, siç potencoi Bytyqi, fillojmë një proces për zbatimin sistematik të masave që do të lehtësojnë drejtpërdrejt barrën financiare të qytetarëve.

"Nëse VMRO-DPMNE-ja vërtet kujdeset për standardin e jetesës, do ta mbështesë këtë propozim. Secila vonesë do të thotë një goditje e re për buxhetet familjare. Secila votë 'për' do të jetë një votë për zgjidhje reale, të prekshme. Shumica qeverisëse deri më tani e ka kthyer procedurën e shkurtuar në mjetin e saj të preferuar politik – kur duhet të miratohet ligji për skemat partiake të miratuara jashtë institucionalisht. Por, sot, për herë të parë u jepet mundësia që ta shfrytëzojnë këtë korsi të shpejtë për diçka që realisht do ta ndjejnë të gjithë qytetarët – për fatura më të ulëta të energjisë elektrike dhe ushqim më të lirë", tha deputeti Bytyqi. rq/

Foto: LSDM

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR