BDI shënoi 23 vjetorin e themelimit, Ahmeti kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale
- Zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale kërkoi lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti sonte në manifestimin qendror në Çair me rastin e 23-vjetorit të themelimit të partisë.
- Post By Fami Bajrami
- 23:56, 5 qershor, 2025
Shkup, 5 qershor 2025 (MIA) – Zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale kërkoi lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti sonte në manifestimin qendror në Çair me rastin e 23-vjetorit të themelimit të partisë.
"Partitë politike në Frontin Evropian po koordinohen, jemi në komunikim me të gjitha forcat politike konstruktive në vend dhe mendojmë se në zgjedhjet lokale do të jemi një front i fuqishëm për të qeverisur me sukses komunat, njëherësh jemi fuqimisht të vendosur që bashkë me ato lokale të kemi zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këtë e kërkojmë sepse është shpëtim për të gjithë ne dhe për stabilitet të qëndrueshëm", theksoi Ahmeti.
Siç tha ai, në 23 vitet e ekzistencës së saj, në 18 cikle zgjedhore, BDI ka qenë e pamposhtur, gjë që konfirmon, tha ai, se partia është themeluar mbi themele të forta. Fokusi ka qenë në të drejtat e shqiptarëve duke filluar nga legalizimi i Universitetit të Tetovës deri te përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në të gjitha fushat dhe institucionet.
"Për kundërshtarët jemi bërë rrezik me profesionalizmin dhe përgatitjen tonë dhe një nga pengesat për politikanët aktual është se ata kanë frikë nga ne. Nuk mban ajo që thonë se BDI është e korruptuar... Ejani të bëjmë veting, pse keni frikë nga vetingu, ejani të hapim hetim për origjinën e pronës së të gjithë politikanëve, për privatizimin që u zhvillua në vendin tonë nga viti 1991 deri në vitin 2001. Nuk them të fillojmë me Hristijanin, por të fillojmë nga unë", tha Ahmeti.

Ai theksoi se BDI nuk kërkon asgjë më shumë se sa vendosjen e standardeve evropiane, kërkon drejtësi dhe dëshiron stabilitet në gjithë rajonin. Përveç që legjitimiteti është shkelur, tha Ahmeti, ndaj BDI-së po "ushtrohet persekutim politik që lidhet me proceset gjyqësore".
"Mund të gënjehen dhe mashtrohen ata që nuk dinë dhe nuk kanë përvojë, por jo BDI. Të gjitha proceset janë politike, që lidhen me ministrat dhe persekutimin e kryetarëve të komunave që t'i frikësojnë me qëllim që të tërhiqen nga politika dhe përcaktimet programore të BDI-së. Por, unë u them atyre - është e kotë sepse kuadrot e BDI-së nuk frikësohen nga shantazhi dhe presioni, por kjo nuk është mirë për politikën në vendin tonë", tha Ahmeti në tubim.
Ai kritikoi kundërshtarët nga VLEN sepse në kohën e tyre, tha ai, po ndodhin largimet e shqiptarëve nga institucionet dhe parregullsi në punësime.
"Kësisoj nuk ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme midis komuniteteve. Prandaj, është mirë që të mendojnë dhe të heqin dorë nga kjo qasje. Është mirë që ta ndjekin shembullin e Arben Taravarit. Kur pa se si po degradohet çështja shqiptare dhe se donin ta varrosnin Marrëveshjen e Ohrit ai i braktisi dhe bëri mirë. Mirë do të bënin edhe ata që tani janë aty. Edhe ato nuk duhet të jenë pjesë e kësaj pjese të errët të historisë kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut", tha Ahmeti duke shtuar se kundërshtari i tyre është VMRO-DPMNE, dhe "jo këta tanët".
Ai tha se vendi ka nevojë për koordinim të politikave sepse është vend i të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në të.
"Marrëdhëniet ndëretnike janë alfa dhe omega për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e këtij vendi", tha mes tjerash lideri i BDI-së Ahmeti.
Foto: MIA