• e premte, 28 qershor 2024

Kurti inkurajon viktimat e dhunës seksuale në luftën me Serbinë të thyejnë heshtjen

Kurti inkurajon viktimat e dhunës seksuale në luftën me Serbinë të thyejnë heshtjen

Prishtinë, 19 qershor 2024 (MIA) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje grave, vajzave, burrave dhe djemve që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë që të thyejnë heshtjen për krimin që kanë përjetuar, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, Kurti bëri thirrje për solidaritet me viktimat nga familjet dhe shoqëria.

 "Gjatë viteve 1998 – 99, në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë. Andaj ka lënë pasoja të thella dhe të gjëra. Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë", ka shkruar Kurti në Fejsbuk.
 
Ai premtoi mbështetje institucionale për viktimat e dhunës sesksuale.

"Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi", theksoi kryeministri Kosovës.
  
 Duke publikuar se afati për aplikim për njohjen e e statusit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është zgjatur deri më 15 maj 2025, Kurti i inkurajoi vikimat që të thyejnë heshtjen.
 

Nga 2083 personat që kanë aplikuar për marrjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, 1650 prej tyre e kanë fituar këtë të drejtë, njoftoi pak ditë më parë kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës në Kosovë, Leonora Selmani.

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë është themeluar në shkurt të vitit 2018, me mandat 5 vjeçar, por ndërkohë është zgjatur edhe për dy vite të tjera.

Personave që u është pranuar statusi i viktimave të dhunës seksuale ushtarake u jepet një pension prej 230 euro në muaj.

Sipas ligjit të miratuar në vitin 2014, statusi u njihet personave që vërtetojnë me fakte para Komisionit se kanë qenë viktima të dhunës seksuale në periudhën nga 27 shkurt 1998 deri më 20 qershor 1999. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR