• e premte, 21 shkurt 2025

Kryeministri britanik Starmer do të jetë lideri i parë evropian që do të takohet me Trampin në mandatin e tij të dytë

Kryeministri britanik Starmer do të jetë lideri i parë evropian që do të takohet me Trampin në mandatin e tij të dytë

Uashington, 19 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp javën e ardhshme do të presë kryeministrin britanik Kir Starmer në Shtëpinë e Bardhë, duke e bërë atë liderin e parë evropian që do të realizojë një vizitë zyrtare në Uashington gjatë mandatit të dytë të Trampit. 

Data e saktë ende nuk është bërë e ditur nga asnjëra palë.

"Javën e ardhshme, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar do të jetë këtu në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolina Levit, për "Foks njuz".

Ky takim po zhvillohet në një kohë tensionesh të larta midis Trampit dhe liderëve evropianë, veçanërisht pas telefonatës së tij me presidentin rus Vladimir Putin, të cilin shumica e Perëndimit e konsideron një aktor të izoluar ndërkombëtar.

Pas bisedës, Tramp e dërgoi Sekretarin shtetëror Marko Rubio në takim me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov në Arabinë Saudite. Bisedimet për Ukrainën u mbajtën sërish pa praninë e përfaqësuesve nga Ukraina apo Evropa.

"Ne sigurojmë që të gjitha palët të dëgjohen, por me të dyja palët ndërluftuese duhet të diskutohet për të arritur një marrëveshje dhe për të zgjidhur problemin. Ky është një hap i parë i rëndësishëm drejt paqes", shtoi Levit.

Ndërkohë, kryeministri britanik Starmer të hënën mori pjesë në bisedimet urgjente evropiane në Paris,  kushtuar situatës në Ukrainë. ls/

Foto: Arkivi 

 

QËNDRONI TË LIDHUR