Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj mbetet në burg
- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbetet në paraburgim pasi Gjykata e Apelit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit refuzoi kërkesën për masë më të butë.
- Post By Melahat Baftija
- 12:01, 13 mars, 2025

Tiranë, 13 mars 2025 (MIA) - Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mbetet në paraburgim pasi Gjykata e Apelit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit refuzoi kërkesën për masë më të butë.
Gjykata e mori vendimin mëngjesin e sotëm pas dy ditësh seanca shumëorëshe, gjatë të cilave avokatët e Veliajt sqaruan se nuk kishte rrezik arratisjeje dhe nuk kishte mundësi dëmtimi të provave, duke ofruar garanci financiare.
Por prokurorët kujtuan se Veliaj është nën hetim për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash dhe hodhën poshtë akuzat e avokatëve për arrestimin e tij, raportojnë mediat shqiptare.
Gjithashtu në gjykatë ishte edhe avokati amerikan Xhoshua Roberts, i cili kërkoi të vëzhgonte seancën, e cila u refuzua si e pabazuar.
Roberts është pjesë e studios ligjore Kasowitz Benson e Torres LLP, të cilin sipas disa mediave është punësuar nga vëllai i Veliajt për 300 mijë dollarë.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej datës 10 shkurt, pasi u arrestua me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas SPAK, nga hetimet u zbulua se Erion Velijaj, në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, ka krijuar një skemë kriminale në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola XOXA, biznesmenë dhe organizata jofitimprurëse të lidhura me të për të përfituar shuma të mëdha parash.
Me urdhër të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ai u arrestua në datën 10 të muajit të kaluar dhe dy ditë më pas i është caktuar masa e paraburgimit, të cilin e vuan në burgun e Durrësit.
Veliaj (46), ishte në mandatin e tij të tretë si kryebashkiak i kryeqytetit shqiptar dhe më parë ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes Sociale. mb/