• e premte, 05 dhjetor 2025

Putin: Ne jemi për armëpushim, por së parë duhet përgjigjur shumë pyetjeve

Putin: Ne jemi për armëpushim, por së parë duhet përgjigjur shumë pyetjeve

Moskë, 13 mars 2025 (MIA) - Presidenti rus, Vladimir Putin, në konferencën e sotme për shtyp me homologun e tij bjellorus, Aleksandër Lukashenko, iu referua bisedimeve për armëpushim, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Lidhur me gatishmërinë e Ukrainës për armëpushim, unë do t'ju jap vlerësimin tim. Së pari, falënderoj presidentin amerikan (Donald Tramp) për pjesëmarrjen e tij në zgjidhjen e konfliktit. Së dyti, ne jemi dakord me propozimet për armëpushim, por qëndrimi ynë është që armëpushimi të drejtohet drejt paqes afatgjatë dhe eliminimit të shkaqeve të konfliktit. Duket se Ukraina e mori vendimin për shkak të presionit amerikan. Unë jam i bindur se Ukraina u pajtua sepse amerikanët i bindën në atë, duke pasur parasysh situatën në terren," tha Putin.

"Isha në Kursk, situata është plotësisht nën kontrollin tonë. Grupi që ka hyrë në zonë është i rrethuar. Komanda e ushtrisë ukrainase u ekzekutua, ata humbën atje. Ata përpiqeshin të largoheshin në grupe të vogla, gjithçka është nën kontrollin tonë. Ata lanë pajisjet e tyre. Ne do të bllokojmë rajonin në ditët në vijim, askush nuk do të mund të largohet. Por çfarë do të thotë kjo për Kurskun? Që ukrainasit të largohen lirisht, ata njerëz që kanë kryer krime? Çfarë do të jetë në vijën e parë? Rusia tani është në ofensivë në të gjitha drejtimet. Si do t'i përdorin ato 30 ditë? Të vazhdohet me mobilizimin e detyruar në Ukrainë, të shpërndahen furnizime dhe të trajnohen njësitë? Si do të ushtrojmë kontroll, si mund të garantojmë që kjo nuk do të ndodhë? Kush do të lëshojë urdhra për armëpushim? Janë rreth 2000 kilometra, kush do të vendosë se kush e ka shkelur armëpushimin dhe ku", sqaroi lideri rus.

Të gjitha këto janë çështje që duhen studiuar mirë nga të dyja palët. Ideja si e tillë është e mirë, por duhet diskutuar. Ne duhet ta diskutojmë këtë me partnerët tanë amerikanë, ndoshta të kemi një telefonatë me presidentin Tramp. Por ne mbështesim një zgjidhje paqësore të konfliktit, theksoi presidenti rus.

"Ne i dimë interesat dhe qëllimet tona, biseduam me Trampin. Ne pamë që Zelenski u poshtërua në Shtëpinë e Bardhë dhe kudo tjetër. Tani ai duhet të mendojë për paqen. Ata as që donin të flisnin për një marrëveshje mineralesh, tani po bien dakord për të”, tha ai.

"Nëse Rusia dhe SHBA-ja bien dakord të bashkëpunojnë për çështjen e energjisë, atëherë tubacionet për në Evropë mund të vihen përsëri në funksion, ata do të marrin gaz të lirë", tha Putin.

Në konferencën për shtyp u kumtua se sot nuk pritet një telefonatë Tramp-Putin, por sonte pritet takim mes presidentit rus dhe përfaqësuesit special amerikan, Stiv Vitkof. ls/

Foto: DPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR