• e hënë, 20 maj 2024

Kovaçevski: Zgjidhje mes shpresës, përkushtimit në punë dhe ndershmërisë kundrejt patriotizmit të rrejshëm

Kovaçevski: Zgjidhje mes shpresës, përkushtimit në punë dhe ndershmërisë kundrejt patriotizmit të rrejshëm

Ohër, 19 prill 2024 (MIA) – Fokusi ynë kryesor mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian. BE-ja është e vetmja mundësi për Maqedoninë për të ndryshuar dhe përparuar. Thjesht nuk ka rrugë tjetër, nuk ekziston asnjë opsion tjetër. Me anëtarësimin në BE do të ndodhë ndryshim real dhe thelbësor për më mirë në vendin tonë. Kështu deklaroi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski gjatë tubimit parazgjedhor të LSDM-së dhe koalicionit për Ardhmëri evropiane në Ohër.

"Besoj se në Maqedoninë evropiane standardi i jetesës do të jetë shumë më i mirë dhe se në Maqedoninë evropiane do të arrijmë të ndërtojmë sistem të sundimit të ligjit dhe luftë efektive kundër krimit dhe korrupsionit. Pajtohem se ajo rrugë nuk është e lehtë", theksoi Kovaçevski dhe shtoi: LSDM-ja tregoi se ka guxim të marrë vendime të vështira, por të rëndësishme dhe të nevojshme. A ka ndonjë dëshmi më të mirë se ajo që Maqedonia është bërë anëtare e barabartë e NATO-s. A ka dëshmi më të mirë se Maqedonia ka filluar negociatat me BE-në", ka thënë lideri i LSDM-së.

Kovaçevski tha se LSDM-ja, koalicioni për Të ardhmen evropiane dhe presidenti ynë Stevo Pendarovski ofrojnë plan të qartë për standard evropian të jetesës, shtet prosperues dhe të zhvilluar në të cilin funksionon demokracia, sundimi i ligjit, drejtësia sociale dhe liria e mediave dhe shprehjes.

"Nuk ndalemi derisa Maqedoninë ta bëjmë pjesë të Evropës, nuk ka dorëzim derisa ta sjellim Evropën në Maqedoni, nuk ka heqje dorë nga e ardhmja. Zgjedhja është e qartë - Maqedoni evropiane fitimtare", ka thënë Kovaçevski para qytetarëve të Ohrit.

Ai premtoi rritje shtesë të pagave, pensioneve, shumë masa të tjera financiare dhe përfitime për pensionistët, të rinjtë...

"Premtojmë nga 200 euro në muaj për çdo punësim të parë të një personi deri në 26 vjeç. Program për subvencionim të blerjes së shtëpisë për të rinjtë deri në 29 vjeç. Pjesë e programit tonë janë grantet prej mijëra euro për hapjen e biznesit tuaj, ushqimi falas për studentët, transport falas për studentët dhe nxënësit, ekskursione falas...", ka thënë ai, duke paralajmëruar madje edhe luftë më efikase dhe vendimtare kundër korrupsionit.

Lidhur me thirrjen e liderit të opozitares VMRO-DPMNE për moratorium kombëtar, Kovaçevski tha se në vend të bashkimit kombëtar për moratorium, Maqedonisë i duhet bashkimi kombëtar për të nxituar drejt së ardhmes dhe kjo theksoi ai, është rruga evropiane.

Bisera Kostadinovska Stojçevska tha se LSDM ka plan të qartë se si të vazhdojë rrugën evropiane.

Mes tjerash ajo vuri në dukje serinë e ligjeve të miratuara që synojnë mbrojtjen e statusit të Ohrit në UNESKO, masat për pensionistët, për punonjësit në kulturë, për të rinjtë, për paga më të larta, për një jetë më të qetë për qytetarët...

Kandidatët për deputetë nga Ohri, Leonora Novevska, Zhaklina Llazarevska, prezantuan një pjesë të programit të LSDM-së dhe koalicionit për Ardhmëri evropiane, si ndihmë për të rinjtë, ashtu edhe për mënyrën e ruajtjes dhe zhvillimin e Ohrit, atë që gjatë shtatë viteve të fundit është investuar në zhvillimin dhe mbrojtjen e statusit në UNESKO.

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR