KE-ja do të reagojë me vendosmëri dhe shpejtë kundër tarifave të paralajmëruara amerikane
- Komisioni Evropian, pasi presidenti amerikan Donald Trampi deklaroi se administrata e tij së shpejti do të shpallë tarifat prej 25 për qind për importimin e prodhimeve nga BE-ja, njoftoi se do të reagojë me vendosmëri dhe me kohë.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:51, 27 shkurt, 2025

Bruksel, 27 shkurt 2025 (MIA) - Komisioni Evropian, pasi presidenti amerikan Donald Trampi deklaroi se administrata e tij së shpejti do të shpallë tarifat prej 25 për qind për importimin e prodhimeve nga BE-ja, njoftoi se do të reagojë me vendosmëri dhe me kohë.
"KE-ja do të reagojë me vendosmëri dhe menjëherë kundër pengesave të padrejta për tregti të lirë dhe të drejtë, përfshirë dhe kur tarifat shfrytëzohen për të kontestuar ligjet dhe politikat jodiskriminuese", tha zëdhënësi i Komisionit si përgjigje e kërkesës për vërejtjet e Trampit.
Ai vlerësoi se BE-ja çdoherë do t'i mbrojë kompanitë evropiane, punonjësit dhe konsumatorët nga “tarifat e pajustifikuara”.
Trampi lidhur me çështjen e tarifave për mallrat nga Bashkimi Evropian, u përgjigj se kishte marrë një vendim dhe se do ta shpallin shumë shpejt, dhe se ajo do të jetë 25 për qind, në përgjithësi, për makinat dhe gjithçka tjetër.
Ai gjithashtu deklaroi se BE-ja u themelua "për të mashtruar SHBA-të".
Zëdhënësi theksoi se me krijimin e një tregu të vetëm të madh dhe të integruar "BE-ja e ka lehtësuar tregtinë, i ka zvogëluar shpenzimet për eksportuesit amerikanë dhe i ka harmonizuar standardet dhe rregulloret në 27 vende".
"Si reuzultat i kësaj, investimet amerikane në Evropë janë shumë fitimprurëse", shtoi zëdhënësi.
"Evropa qëndron për dialogun dhe reciprocitetin. Jemi të gatshëm për partneritet nëse luani sipas rregullave. Por, ne gjithashtu do t'i mbrojmë konsumatorët dhe bizneset tona në çdo hap. Nga ne nuk presin asgjë më pak", theksoi zëdhënësi i KE-së. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s