Izrael: Vendkalimi kufitar Rafah drejt Gazës do të hapet "ditëve të ardhshme"
- Izraeli sot njoftoi se pjesërisht do të hapet venkalimi kryesor kufitar Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit si pjesë e marrëveshjes për armëpushim me grupin e Hamasit, por vetëm për palestinezët që duan ta lëshojnë territorin.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:23, 3 dhjetor, 2025
Tel Aviv, 3 dhjetor 2025 (MIA) - Izraeli sot njoftoi se pjesërisht do të hapet venkalimi kryesor kufitar Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit si pjesë e marrëveshjes për armëpushim me grupin e Hamasit, por vetëm për palestinezët që duan ta lëshojnë territorin.
"Në përputhje me marrëveshjen për armëpushim dhe udhëzimin e njesitit politik, vendkalimi kufitar Rafah do të hapet në ditët në vijim ekskluzivisht për daljen e banorëve të Rripit të Gazës drejt Egjiptit", njoftoi COGAT, organi i ngarkuar me zbatimin e politikës izraelite në territoret palestineze.
"Dalja e banorëve përmes vendkalimit kufitar Rafah do të lehtësohet përmes koordinimit me Egjiptin, pas miratimit të sigurisë nga Izraeli dhe nën mbikëqyrjen e misionit të Bashkimit Evropian", thuhet në njoftim.
COGAT theksoi se kjo është e ngjashme me një mekanizëm që ekzistonte në janar të vitit 2025, kur kufiri u hap përkohësisht për të mundësuar daljen e banorëve të lënduar nga Gaza, ndërsa më pas u mbyll përsëri.
Hapja e kufirit drejt Egjiptit është shtyrë disa herë që nga hera e parë kur u njoftua pas nënshkrimit të marrëveshjes për armëpushim më 10 tetor.
Që nga atëherë, palestinezët mund të largoheshin nga Rripi i Gazës vetëm përmes vendkalimit kufitar Kerem Shalom, nën kufizime të rrepta.
Izraeli nuk dëshiron që Rafah të shërbejë si pikë kalimi për dërgesat e ndihmës humanitare, të cilat kryesisht mbërrijnë në Gazë përmes vendkalimit kufitar Kerem Shalom, transmetoi DPA.
BE-ja planifikon të kontribuojë në mbikëqyrjen e operacioneve në Rafah përmes Misionit të saj civil për ndihmë kufitare, pasi vendkalimi kufitar të hapet. qa/
Foto: DPA