• e hënë, 23 dhjetor 2024

IDF: Më shumë se 350 të arrestuar në operacionin e "Al Shifa"

IDF: Më shumë se 350 të arrestuar në operacionin e

Tel Aviv, 22 mars 2024 (MIA) - Ofensiva e armatës izraelite ndaj spitalit "Al Shifa" në qytetin Gazë shkaktoi arrestimin e më shumë se 350 "terroristëve të Hamasit dhe Xhihadit islamik", tha zëdhënësi i forcave izraelite të mbrojtjes (IDF), Daniel Hagari mbrëmë në brifing.

"Ky është operacion me grumbullimin më të madh të terroristëve që kemi arrestuar që nga fillimi i luftës. Ata dorëzohen, ne i marrim në pyetje dhe na japin informacione shumë të vlefshme dhe të rëndësishme", tha Hagari, duke shtuar se operacioni në spitalin më të madh në Rripin e Gazës vazhdon.

Ushtarët izraelitë të hënën në orët e hershme të mëngjesit hynë në spitalin më të madh në Rripin e Gazës që të ndërmarin veprim kundër organizatës palestineze Hamas dhe infrastrukturës së saj. 

Sipas Hagarit, deri më tani janë arrestuar 500 të dyshuar, prej të cilëve, siç theksoi "358 janë terroristë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik". 

Zëdhënësi tha se në mesin e të burgosurve ka tre anëtarë të lartë të organizatës Xhihadi islamik dhe disa përfaqësues të lartë të Hamasit. 

Hagari theksoi se luftërat kanë vazhduar në spital.

"Ka terroristë të Hamasit dhe Xhihadit Islamik që kanë vendosur të barrikadojnë veten e tyre - ata aktualisht janë duke barrikaduar veten në zonën e emergjencës", tha ai.

Armata më parë bëri të ditur se në operacion deri më tani janë vrarë dy ushtarë izraelitë, duke shtuar se më shumë se 140 militantë ishin eliminuar në zonën e spitalit. 

Forcat izraelite fillimisht kishin hyrë në spitalin Al - Shifa në mes të nëntorit dhe thonë se aty kishin gjetur një kompleks të tuneleve të Hamasit. 

Izraeli është nën kritika të mëdha ndërkombëtare për shkak të numrit të madh të viktimave në civil dhe kushteve katastrofale në Rripin e Gazës. fc/

Fotografia: IDF

QËNDRONI TË LIDHUR