• e mërkurë, 28 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Fon der Lajen nga Kievi: Në mars Ukraina do të marrë edhe 3,5 miliardë euro ndihmë nga BE-ja

Fon der Lajen nga Kievi: Në mars Ukraina do të marrë edhe 3,5 miliardë euro ndihmë nga BE-ja

Kiev, 24 shkurt 2025 (MIA) - Evropa është këtu për të forcuar Ukrainën në këtë moment kritik dhe tashmë në mars BE-ja do t'i paguajë vendit 3,5 miliardë euro shtesë ndihmë, paralajmëroi sot kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen në fjalimin e saj në Samitin ndërkombëtar për mbështetje të Ukrainës që po mbahet në Kiev.

"Do të prezantoj gjithashtu një plan gjithëpërfshirës se si të rrisim prodhimin tonë evropian të armëve dhe aftësitë tona mbrojtëse. Ukraina gjithashtu do të përfitojë prej saj", ka thënë Fon der Lajen, duke paralajmëruar se prioritet kryesor i BE-së në javët e ardhshme do të jetë përshpejtimi i dërgimit urgjent të armëve dhe municioneve në vend.

Siç njofton Agjencia evropiane e lajmeve (ENR), pjesë e së cilës është edhe MIA në fjalimin e saj në Samitin i cili mbahet në përvjetorin e tretë të fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, Fon der Lajen vlerësoi se askush nuk dëshiron paqe më shumë se populli i Ukrainës, por se një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me forcë.

"Kjo është arsyeja pse po forcojmë ekonominë tuaj. Kjo është arsyeja pse po rrisim përshtatshmërinë e furnizimit tuaj me energji. Prandaj do të vazhdojmë stërvitjen dhe pajisjen e ushtarëve tuaj", ka thënë Fon der Lajen.

Kryetarja e KE-së theksoi se në kuadër të kësaj është edhe miratimi i sotëm i pakos sonë të 16-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. 

"Do të rrisim sanksionet ndëshkuese kundër Rusisë nëse ajo nuk tregon vullnet të vërtetë për të arritur marrëveshje paqeje të qëndrueshme", theksoi Fon der Lajen.

Ajo theksoi se 24 shkurti 2022 do të mbahet mend përgjithmonë si një ditë e palavdishme.

"U sulmua një komb paqësor, pa asnjë arsye, për shkak të obsesionit imperialist të (presidentit rus Vlladimir) Putin. Por ne besojmë në një Ukrainë të lirë dhe sovrane në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe ne bashkohemi me ju në formësimin e kësaj të ardhme së bashku", ka thënë kryetarja e KE-së.

Sipas saj, Putini po përpiqet më shumë se kurrë për ta fituar këtë luftë në terren dhe synimi i tij mbetet që Ukraina të kapitullojë.

"Edhe atëherë e dimë se çfarë mund të ndodhë më pas. Sepse ka ndodhur edhe më parë. Nuk është në pikëpyetje vetëm fati i Ukrainës. Ky është fati i Evropës. Prandaj, prioriteti ynë i parë mbetet forcimi i rezistencës së Ukrainës", theksoi Fon der Lajen, duke kujtuar se BE-ja dhe vendet anëtare të saj deri më tani kanë ofruar mbështetje për Ukrainën në shumën prej 134 miliardë euro.

Ajo theksoi se është e nevojshme të forcohet qëndrueshmëria e BE-së në kushte kur ajo merr përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj, por që kur flitet për sigurinë nuk mendohet vetëm dimensioni i saj ushtarak.

"Për tre vjet, Rusia është përpjekur të zhysë Ukrainën në errësirë ​​duke synuar pamëshirshëm infrastrukturën e saj energjetike. Prandaj ne kemi përgatitur një pako ambicioze të sigurisë energjetike. Qëllimi është të sigurohet një sistem energjie i adaptueshëm, i sigurt dhe konkurrues për Ukrainën. Ne do të integrojmë plotësisht tregjet e energjisë elektrike të Ukrainës dhe Moldavisë me tregun tonë të energjisë elektrike deri në fund të vitit të ardhshëm. Ne do të shfrytëzojmë potencialin e plotë të rezervave të mëdha të gazit të Ukrainës, 80 për qind e të cilave ndodhen pranë vendeve anëtare të BE-së. Kjo gjeneron të ardhura për Ukrainën. Ne gjithashtu do të përshpejtojmë investimet në energjinë e rinovueshme në Ukrainë. Të gjitha këto përpjekje do të rezultojnë në siguri më të madhe energjetike si për Ukrainën ashtu edhe për Bashkimin Evropian", ka thënë Fon der Lajen.

Ndryshe, Fon der Lajen, së bashku me kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta dhe 21 komisarë evropianë qëndrojnë sot në Kiev për të shprehur mbështetjen e palëkundur të BE-së për luftën e Ukrainës për pavarësi dhe liri në përvjetorin e tretë të fillimit të invazionit rus.

Foto: EPA & Ansgar Hase/DPA/ENR

 

QËNDRONI TË LIDHUR