BE-ja edhe zyrtarisht ia hoqi sanksionet ekonomike Sirisë
- Këshilli i BE-së sot miratoi akte juridike, përmes të cilave hiqen të gjitha masat kufizuese ekonomike ndaj Sirisë, përveç atyre që lidhen me shkaqe sigurie.
- Post By Qefsere Abduli
- 13:52, 28 maj, 2025
Bruksel, 28 maj 2025 (MIA) - Këshilli i BE-së sot miratoi akte juridike, përmes të cilave hiqen të gjitha masat kufizuese ekonomike ndaj Sirisë, përveç atyre që lidhen me shkaqe sigurie.
Siç raportoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, me këtë veprim të sotëm formalizohet vendimi politik i shpallur më 20 maj të këtij viti për heqjen e sanksioneve, me qëllim mbështetjen e popullit sirian në përpjekjet për ribashkimin dhe ndërtimin e një Sirie të re, gjithëpëfshirëse, pluraliste dhe paqësore.
Në këtë kontekst, Këshilli vendosi gjithashtu të largojë 24 subjekte nga lista e BE-së të personave fizikë dhe juridikë të sanksionuar nga Siria. Mes tyre janë disa banka, përfshirë Bankën Qendrore të Sirisë, kompani që veprojnë në sektorët e prodhimit dhe përpunimit të naftës dhe pambukut, operatorët e telekomunikacionit dhe media.
Sipas përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, një vendim i tillë është thjeshtë gjëja e duhur që duhet bërë në këtë moment historik, me qëllim që BE-ja të mbështesë sinqerisht rimëkëmbjen e Sirisë dhe tranzicionin politik të vendit në përputhje me aspiratat e të gjithë sirianëve.
"BE-ja qëndroi krahë popullit sirian 14-të vitet e fundit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Sot BE-ja konfirmoi angazhimin e saj si partnere për tranzicionin, i cili ndihmon popullit sirian të ribashkohet dhe të ndërtojë një Siri të re, gjithëpërfshirëse dhe të qetë", theksoi Kallas.
Për më tepër, Këshilli deri më 1 qershor të vitit 2026 e vazhdoi regjimin e sanksioneve ndaj individëve dhe subjekteve të lidhura me regjimin e ish presidentit sirian, Bashar al Asad.
"Këshilli do të vazhdojë të ndjekë zhvillimet në terren dhe është i gatshëm të vendosë masa kufizuese shtesë ndaj shkelësve të të drejtave të njeriut dhe atyre që nxisin destabilizimin në Siri", thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së. qa/bsh/
Foto: Arkivi i MIA-s