Fon der Lajen: Koha e iluzioneve ka mbaruar, Evropa ftohet të ndërmarrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj
- Evropa sot përballet me të njëjtën detyrë si 70 vjet më parë, me nevojën për të ndërtuar mbrojtje të përbashkët me qëllim të pengojë çdo sulm nga jashtë, sepse paqja në Bashkimin Evropian nuk mund të merret më si e mirëqenë, ka thënë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot në fjalimin e saj në Parlamentin Evropian në debatin kushtuar forcimit të arkitekturës evropiane të mbrojtjes dhe mbështetjes së Ukrainës.
- Post By Fami Bajrami
- 10:58, 11 mars, 2025

Strasburg, 11 mars 2025 (MIA) - Evropa sot përballet me të njëjtën detyrë si 70 vjet më parë, me nevojën për të ndërtuar mbrojtje të përbashkët me qëllim të pengojë çdo sulm nga jashtë, sepse paqja në Bashkimin Evropian nuk mund të merret më si e mirëqenë, ka thënë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen sot në fjalimin e saj në Parlamentin Evropian në debatin kushtuar forcimit të arkitekturës evropiane të mbrojtjes dhe mbështetjes së Ukrainës.
“Po shkundet rendi evropian i sigurisë dhe kaq shumë nga iluzionet tona po shkatërrohen”, tha Fon der Lajen.
Sipas saj, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, disa besonin se Rusia mund të integrohej në arkitekturën ekonomike dhe të sigurisë së Evropës, ndërsa të tjerët besonin se Evropa mund të mbështetej pafundësisht në mbrojtjen e plotë të SHBA-së dhe si rezultat i kësaj, shpenzimet e mbrojtjes u përgjysmuan nga një mesatare prej mbi 3.5 për qind.
"Menduam se po shijonim një dividendë paqeje. Por në realitet, ne kishim vetëm një deficit sigurie. Koha e iluzioneve tani ka mbaruar. Evropa ftohet të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj. Jo në një të ardhme të largët, por që sot. Jo me hapa, por me guximin që kërkon situata. Ne kemi nevojë për një nxitje të mbrojtjes evropiane. Dhe na duhet tani", ka thënë Fon der Lajen.
Ajo shton se Evropa është ndërtuar gjithmonë në krizë dhe tani është momenti për “paqe përmes fuqizimit” dhe për mbrojtje të përbashkët evropiane.
“Në Këshillin Evropian, pashë një nivel konsensusi për mbrojtjen evropiane që jo vetëm është i paprecedentë, por ishte krejtësisht i paimagjinueshëm vetëm disa javë më parë”, ka thënë Fon der Lajen.
Sipas saj, në BE po krijohet një mirëkuptim i ri që duhet të mendojmë ndryshe dhe të veprohet në përputhje me rrethanat, prandaj në javët dhe muajt e ardhshëm do të kërkohet guxim më i madh dhe zgjedhje të vështira lidhur me mbrojtjen evropiane.
Ajo theksoi se forcimi i mbrojtjes evropiane është kryesisht i domosdoshëm për shkak të situatës në Ukrainë, ku ekziston nevojë urgjente për të mbushur rezervat ushtarake dhe për të ofruar garanci solide të sigurisë për vendin.
"Por ky moment nuk vlen vetëm për Ukrainën. Bëhet fjalë për gjithë Evropën dhe sigurinë e gjithë kontinentit tonë. (Presidenti rus Vlladimir) Putin vazhdimisht dëshmon se ai është një fqinj armiqësor. Atij nuk mund t'i besohet, mund vetëm të zmbrapset. Dhe ne e dimë se kompleksi ushtarak rus e tejkalon tonën. Nëse i shikojmë shpenzimet ushtarake në kushte reale, Kremlini shpenzon më shumë se e gjithë Evropa së bashku", ka thënë kryetarja e KE-së.
"Dhe ky është qëllimi i planit që ua prezantova liderëve javën e kaluar. Logjika e tij është e thjeshtë: ne duam të përdorim çdo levë financiare që kemi për të forcuar dhe përshpejtuar prodhimin tonë të mbrojtjes. Me Planin “Çarmatimi i Evropës”, mund të mobilizojmë deri në 800 miliardë euro", ka thënë Fon der Lajen.
Ajo thekson se plani parashikon ndryshim në rregullat fiskale të BE-së që do t'u lejojë vendeve të BE-së të ndajnë më shumë për mbrojtjen, me qëllim rritjen nga dy për qind të BPV-së që është tani për shpenzimet e mbrojtjes, rritje në mbi tre për qind, më pas krijimin e një mekanizmi të ri me vlerë 150 miliardë euro, përmes të cilit shteteve anëtare do t'u ofrohen kredi për investime në kapacitetet e mbrojtjes, si dhe mundësinë e ridestinimit të fondeve të mbrojtjes.
Foto: MIA