• e premte, 05 dhjetor 2025

Fon der Lajen: BE-ja deri në fillim të gushtit e vazhdon pezullimin e kundërmasave të tarifave ndaj SHBA-së

Fon der Lajen: BE-ja deri në fillim të gushtit e vazhdon pezullimin e kundërmasave të tarifave ndaj SHBA-së

Bruksel, 13 korrik 2025 (MIA) - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen ka deklaruar sot se Brukseli do ta zgjasë pezullimin e kundërmasave për shkak të tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin deri në fillim të gushtit.

Unioni, ndërkohë po përpiqet të arrijë një marrëveshje me SHBA-në për të shmangur tarifat prej 30 për qind të Trampit për të gjitha produktet e saj.

"SHBA-ja na ka dërguar një letër me masat që do të hyjnë në fuqi nëse nuk arrihet një zgjidhje dhe për këtë arsye ne do ta zgjasim pezullimin e kundërmasave tona deri në fillim të gushtit", tha Fon der Lajen.

Pezullimi i masave hakmarrëse mbi tarifat e çelikut dhe aluminit të SHBA-së duhej të skadonte në mesnatë midis të hënës dhe të martës.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, deklaroi sot se Unioni ka "mjete" për të mbrojtur veten kundër tarifave amerikane, duke treguar konkretisht shërbimet që SHBA-ja ia eksporton evropianëve.

"BE-ja gjithmonë ka kërkuar një zgjidhje përmes një marrëveshjeje. Por, nëse është e nevojshme, ajo ka edhe mjetet për të mbrojtur interesat e saj", tha Kallas në një intervistë me Tribune Dimanche, duke bërë një deklaratë që ishte në përputhje me atë që kreu i Komisionit Evropian kishte thënë një ditë më parë.

Menjëherë pas njoftimit të djeshëm të presidentit amerikan Donald Tramp se do të vendoste tarifa prej 30 për qind për produktet nga Bashkimi Evropian dhe Meksika të importuara në SHBA nga 1 gushti, kryetarja e Komisionit Evropian e kritikoi vendimin, por gjithashtu deklaroi se Bashkimi Evropian është gati të "vazhdojë të punojë drejt një marrëveshjeje tregtare" me Uashingtonin deri më 1 gusht. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR