Fon der Lajen: BE-ja dëshiron të jetë partner i SHBA-së në sigurimin e paqes së drejtë dhe afatgjate për Ukrainën
- Bashkimi Evropian dëshiron të jetë partner me SHBA-në për të siguruar paqe të drejtë dhe të përhersshme për Ukrainën, theksoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen pas seancës së saj të sotme në Bruksel me të dërguarin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, gjeneralin Kit Kelog.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:14, 18 shkurt, 2025

Bruksel, 18 shkurt 2025 (MIA) - Bashkimi Evropian dëshiron të jetë partner me SHBA-në për të siguruar paqe të drejtë dhe të përhersshme për Ukrainën, theksoi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen pas seancës së saj të sotme në Bruksel me të dërguarin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, gjeneralin Kit Kelog.
"Financiarisht dhe ushtarakisht, Evropa kontribuon (për mbështetjen e Ukrainës) më shumë se kushdo tjetër. Dhe do ta forcojmë. Tani është momenti kritik", theksoi Fon der Lajen në publikimin në X.
Komisioni Evropian njoftoi se në takimin me Kelog, Fon der Lajen e theksoi rolin kyç i BE-së në sigurimin e stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e Ukrainës, me përkrahje të përgjithshme prej 135 miliardë euro (rreth 145 miliard dollarë), që është më shumë se çdo aleat tjetër. Në njoftim shtohet se kjo përfshin edhe 52 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, që është në nivel të ndihmës amerikane për Ukrainën.
"Kryetarja fon der Lajen theksoi se BE-ja mbulon plotësisht pjesën e saj të ndihmës ushtarake për Ukrainën dhe është gati të bëjë edhe më shumë. Ajo i theksoi planet e Evropës për rritjen e prodhimit dhe shpenzimeve për mbrojtje, duke i përforcuar kapacitetet ushtarake evropiane dhe ukrainase", thuhet në njoftim.
Duke riafirmuar përkushtimin e BE-së për paqe të drejtë dhe të përhershme në Ukrainë, Fon der Lajen përsëriti se me këtë rast, duhet të respektohen pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës, të mbështetur me garanci të forta sigurie.
"Ajo gjithashtu, shprehu gatishmërinë e BE-së për të punuar së bashku me SHBA-në për t'i dhënë fund gjakderdhjes dhe për të ndihmuar në sigurimin e paqes së drejtë dhe të përhershme, që Ukraina dhe populli i saj me të drejtë meritojnë", shtoihet në kumtesën e Komisionit Evropian.
Kelog dje në Bruksel u takua edhe me eurokomisarin për Mbrojtje dhe Hapësirë, Andrius Kubilus, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute. qa/bsh/
Foto: EBS