• e enjte, 04 dhjetor 2025

Rute: Duhet t'i rrisim shpenzimet në mbrojtje, që të mund të mbrohemi

Rute: Duhet t'i rrisim shpenzimet në mbrojtje, që të mund të mbrohemi

Bruksel, 5 qershor 2025 (MIA) - Dita e sotme është e rëndësishme sepse do të vendosim për qëllimet për përforcimin e kapaciteteve dhe si do të shpenzohen paratë për nevojat e mbrojtjes, tha sot në Bruksel sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute gjatë mbërritjes në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës.

"Parashikimet e mia janë se ne do të biem dakord për objektivat e kapaciteteve. Sigurisht që do të diskutojmë edhe shumë çështje të tjera, por kjo është thelbësore në prag të Samitit të Hagës, për t'u siguruar që në Hagë do të biem dakord për kostot më të larta, për prodhimin më të lartë dhe sigurisht për mbështetjen tonë për Ukrainën", tha Rute.

Sipas tij, siç raporton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, qëllimet e dakorduara duhet t'i mundësojnë NATO-s që të mund të mbrohet në rast të sulmit, gjë që kërkon rritje të shpenzimeve për mbrojtjen.

"Nëse jeni të përgatitur për luftë, atëherë nuk do të sulmoheni", theksoi Rute.

Ai tha se arritja e kësaj kërkon një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s, sepse duhet të bëhen investime në mbrojtjen ajrore, raketat me rreze të gjatë, aftësitë manovruese të forcave tokësore dhe sistemet e komandës, të cilat kërkojnë investime të mëdha në të gjithë territorin e Aleancës.

Rute shtoi se është gjithashtu e rëndësishme të barazohen shpenzimet e anëtarëve evropianë të NATO-s dhe Kanadasë me shpenzimet e mbrojtjes të SHBA-së, sepse, siç tha ai, nëse duam një Aleancë të drejtë, të gjithë aleatët duhet të shpenzojnë në mënyrë të barabartë.

Në lidhje me idenë e tij për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në një nivel prej pesë për qind të PBB-së deri në vitin 2032, Rute tha se ishte vetëm një propozim që do të debatohej në javët e ardhshme.

"Kjo është mirë, sepse në fund të fundit kjo është një Aleancë demokratike dhe ne duhet të marrim një vendim me konsensus. Unë do të paraqes propozimet e mia për shpenzimet e mbrojtjes dhe planin e ri dhe sot pasdite do t'ju informoj se për çfarë do të biem dakord", tha Rute, duke shtuar se kjo është arsyeja pse takimi i sotëm i ministrave është shumë i rëndësishëm.

Sipas tij, synimi i të gjitha këtyre planeve dhe investimeve nuk është thjesht të shpenzohet më shumë, por të forcohet Aleanca në mënyrë që ajo të jetë e aftë të mbrohet jo vetëm tani, por edhe në vitet në vijim.

Ai përkujtoi se në kuadër të takimit të sotëm në formë të drekës së punës do të mbahet seanca joformale e Këshillit NATO-Ukrainë, ku do të marrin pjesë edhe ministri ukrainas i Mbrojtjes Rustem Umerov dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Kaja Kallas. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR