• e mërkurë, 04 shtator 2024

"Drita e Gonxhës" bashkë me botimet e ITSHKSH-së u prezantuan në Universitetin "Ukshin Hoti" në Prizren

Shkup, 3 shtator 2024

Universiteti "Ukshi Hoti" në Prizren ishte sot nikoqir i karvanit të manifestimit  kulturor-shkencor "Drita e Gonxhës", me ç’rast u promovuan tre tituj të posabotuar të ITSHKSH-së dhe nr. 3 i revistës "Drita e Gonxhës".

Prof. asoc. dr. Xhafer Beqiraj, dekan i Departamentit të Gjuhës dhe  Letërsisë Shqipe në Universiteti "Ukshi Hoti", duke u dëshiruar mirëseradhje përfasësuesve të ITSHKSH-së tha le të ndjekim shembullin e Nënës Terezë, duke treguar dhembshuri dhe mirënjohje për ata që janë rreth nesh, dhe duke e bërë botën një vend më të mirë, një veprim i vogël në një kohë.

Ai u shpreh se kemi përgjegjësinë jo vetëm për të studiuar dhe hulumtuar trashëgiminë e Nënë Terezës, por edhe për të përhapur mesazhin e saj dhe për të edukuar brezat e rinj mbi vlerat e jetës që ajo përfaqësoi.

Për të shkoqitur rrjedhën dhe synimet e manifestimit "Drita e Gonxhës", drejtori i ITSHKSH-së Prof.dr. Skender Asani, nënvizoi nevojën që jeta dhe vepra e Nënës Terezë jo vetëm të  studiohen, por të përhapen edhe vlerat që ajo barti që nga fëmijëria deri në minuta e fundit të jetës. Ai me këtë rast ka folur edhe për librin e Don Lush Gjergjit "Porositë e Shën Nënës Terezë".

"Libri që po i ofrohet lexuesit është një bashkëshoqërim në mes të leximit hermenautik të doktrinës biblike nga autori dhe dioptrisë botëkuptimore fetare e njerëzore të Shën Nënë Terezës. Si njëri prej njohësve më të spikatur të jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, Don Lush Gjergji përmes këtij libri na shpie në shtresat më komplekse të ndërveprimit dhe ndërkomunikimit në mes të kësaj doktrine dhe porosive të Shën Nënës Terezë. Duke e  bashkëdyzuar komponentën aktive dhe kontempaltive në jetën e njeriut, Don Lush Gjergji ka arritur ta zbërthejë këtë tërësi botëkuptimore të Shën Nënës Tereze teksa konstaton se: "Nuk ka veprim pa dërgim, ose edhe më qartë: Kurrë nuk duhet të ndahet Zoti prej njeriut dhe anasjelltas, njeriu prej Zotit…", vuri në dukje Dr. Asani.

Në këtë promovim i pranishëm ishte edhe autori i librit të sipërpërmendur, Don Lush Gjergji, i cili para auditoriumit paraqit disa aspekte nga jeta dhe vepra e Nënës Terezë, siç janë dashuria, si burim frymëzimi tokësor e hyjnor, rëndësia e jetës dhe plagët socio-patologjike të shoqërisë sonë.

Për të arritur harmonizimin mes jetës shpirtërore, kundrimit, meditimit, uratës, brendisë, dhe veprimit, jetës tejet aktive, tha Don Lushi, nevojitet Zoti, prania, dashuria dhe hiri i Tij në çdo kohë dhe punë…

Manifestimi kulturor-shkencor "Drita e Gonxhës" është pjesë integrale e Departamentit për studimin  e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë. Për të sublimuar objektivat e këtij Departamenti, ITSHKSH ka botuar librin "Si dhe pse lindi Departamenti për studimin  e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze", me autorë Anton Nikë Berisha dhe Skender Asani. Për vlerat përmbajtësore dhe tematike të këtij libri foli Emin Azemi, udhëheqësi i Departamentit të letërisë në ITSHKSH, i cili në vazhdim prezantoi edhe disa aspekte të veprës “Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë", të autorëve Skender Asani, Emin Azemi dhe Albert Ramaj si dhe revistën "Drita e Gonxhës"- nr. 3.

Në vazhdim të edicionit të katërt të manifestimi kulturor-shkencor "Drita e Gonxhës", do të ketë edhe një aktivitet tëITSHKSH-së të mërkurën në Arqipeshkvinë Durrës-Tiranë, ku do të promohen tre tiujt e rinj të Institutit dhe revista "Drita e Gonxhës".

ITSHKSK

_______________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

 

QËNDRONI TË LIDHUR