• e martë, 19 nëntor 2024

Ambasadori i ri i BE-së, Mihalis Rokas mbërriti në Shkup

Ambasadori i ri i BE-së, Mihalis Rokas mbërriti në Shkup

Shkup, 3 shtator 2024 (MIA) - Delegacioni i BE-së në Shkup njoftoi se sot ka mbërritur në vend ambasadori i ri evropian, diplomati grek Mihalis Rokas.

"Sot i dëshirojmë mirëseardhje ambasadorit të ri të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas", thuhet në profilin e Delegacionit të BE-së në Fejsbuk.

Rokas vjen në vendin e ambasadorit evropian Dejvid Gir.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borrell në prill të këtij viti e emëroi zyrtarisht Rokasin si ambasador të ri të Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut.

Rokas para se të emërohej në vend, ishte kreu i Delegacionit të BE-së në Malajzi, një post që ai e mbante që nga dhjetori i vitit 2020.

Ai ka 30 vjet përvojë në fushën e punëve të jashtme, duke iu bashkuar Drejtorisë së përgjithshme për marrëdhëniet me jashtë të Komisionit Evropian në vitin 1994. Më parë, Rokas ka qenë ushtrues i detyrës i punëve të BE-së dhe shef i Delegacionit në Zelandën e Re dhe më pas shef i Departamentit për mbështetje të delegacionit pranë Shërbimin evropian për punë të jashtme (EEAS).

Ai ka lindur në shtator të vitit 1964 në Athinë. Ambasadori Rokas ka diplomuar në ekonomi dhe studime pasuniversitare për ekonominë evropiane. Gjuha e tij amtare është greqishtja dhe flet gjithashtu anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. mb/

Foto: Delegacioni i BE-së

QËNDRONI TË LIDHUR