• e hënë, 01 korrik 2024

Borel për kërkesën e arrestimit të Netanjahut: Shtetet detyrohen të zbatojnë vendimet e gjykatës

Borel për kërkesën e arrestimit të Netanjahut: Shtetet detyrohen të zbatojnë vendimet e gjykatës

Bruksel, 21 maj 2024 (MIA) – Përfaqësuesi i lartë i BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Zhosep Borel në lidhje me thirrjen e prokurorit të Gjykatës ndërkombëtare penale (GjNP) për lëshimin e urdhërarrestit për liderët e Izraelit dhe Hamasit, tha se të gjitha vendet që kanë ratifikuar statutet e GJNP-së detyrohen të zbatojnë vendimet e saj.

"Mandati i GJNP-së, si institucion i pavarur ndërkombëtar është të procedojë penalisht krimet më të rënda sipas të drejtës ndërkombëtare", shkruan Borel në X.

GjNP kërkoi dje urdhërarrest për kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe ministrin e Mbrojtjes Joav Galant për "nxitje të shfarosjes, shkaktim të urisë si metodë lufte, duke përfshirë ndalesën e ndihmës humanitare dhe targetimin e qëllimshëm të civilëve në konflikt".

Kërkohen urdhërarreste edhe për arrestimin e liderëve të Hamasit- Jahja Sinvar, Mohamed Deif dhe Ismail Hanije për shfarosje, vrasje, pengmarrje, përdhunim dhe sulme seksuale.

QËNDRONI TË LIDHUR