• e premte, 06 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Berisha mitingun e parë zgjedhor e mbajti në Tiranë: U ngritëm si feniks për të ecur drejt fitores dhe Shqipërisë madhështore

Berisha mitingun e parë zgjedhor e mbajti në Tiranë: U ngritëm si feniks për të ecur drejt fitores dhe Shqipërisë madhështore

Tiranë, 12 prill 2025 (MIA) - Në fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit,  mbrëmë tubim zgjedhor mbajti koalicioni zgjedhor opozitar “Aleanca për Shqipërinë madhështore” i udhëhequr nga Partia Demokratike e Sali Berishës.

Koalicioni përbëhet nga 25 parti më të vogla politike, duke përfshirë Partinë e Lirisë së Ilir Metës, Partinë Republikane të Fatmir Mediut, si dhe partinë e minoritetit grek, Partinë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të Vangel Dules.

Nga sheshi "Nënë Tereza", Berisha në fjalimin e tij ndër të tjera i tha kundërshtarit të tij Edi Rama se “nëse ai prek zërin e shqiptarëve nuk do të ketë vend mbi tokë për të jetuar”.

Gjithashtu ai i kërkoi kryeministrit të largohej me votat e 11 majit, pasi sipas Berishës, ai i shkaktoi dëmin më të madh Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Një javë në mbarë Europën u gozhdua Edi Rama, u gozhdua narkoshteti. Kërkuan votë të dhënë lirshëm. Dhe unë i them Edi Ramës, mos prek votën se në mënyrë absolute mbi tokë vend nuk do kesh. Largohuni me votat e shqiptarëve se i keni bërë dëme të mëdha këtij vendi”, tha Berisha.

Ai shtoi se Rama po ikën me turp si e keqja më e madh pas Enver Hoxhës në historinë e shqiptarëve.

"I përshëndes të gjithë ata socialistë që kanë vendosur të bashkohen me ne. I përshëndes të gjithë shqiptarët që së bashku Shqipërinë e dhimbjes, ta shndërrojmë në Shqipëri normale, Shqipërinë e qetë, Shqipërinë e gëzimit. Jemi ngritur si feniks për të arritur një fitore që do ta bashkojmë të gjithë, shqiptarët këtu dhe ata në diasporë", theksoi ai.

Ai theksoi se "Shqipëria është Shqipëria e shpirtit tuaj, e dashurisë për të, e dashurisë për familjen tuaj. Është atdheu juaj".

Miqtë e mi, kjo është një natë shumë e veçantë sepse sonte kemi ardhur këtu për të filluar betejën tonë, betejën për fitore, betejën për një Shqipëri madhështore, një betejë në të cilën Shqipëria ngrihet sërish për një jetë më të mirë për të gjithë, që të rinjtë të qëndrojnë këtu”, tha ai.

Berisha mbërriti në tubim i shoqëruar nga Kris La Civita, i cili drejton fushatën e opozitës. Ata u pritën me brohoritje nga mbështetësit, të cilët mbanin flamuj të Shqipërisë, Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Në fjalimin e tij, Civita përdori të njëjtat akuza si opozita, duke thënë se “me Ramën dhe qeverinë vendi ka kaluar 12 vite plot dështime”.

Ish-këshilltari i Trampit, i cili drejtoi edhe fushatën e tij, deklaroi se socialistët, ashtu si në Amerikë, nuk do të mund të mbyllin gojën e opozitës dhe u kërkoi të pranishmëve që të votojnë për Berishën nëse duan që të kthehet shpresa.

"Kush është gati ta bëjë Shqipërinë madhështtore? Në vitin 2024 në Shtetet e Bashkuara, socialistët u përpoqën të burgosnin Trampin, por dështuan. Në vitin 2025, këtu në Shqipëri, socialistët duan të burgosin opozitën dhe do të dështojnë. Pse? Sepse nuk kanë çfarë të thonë për 12 vitet e fundit, 12 vjet krim, 12 vjet drogë. Kanë qenë 12 vjet dështim ekonomik. Pse të votoni një parti që shkaktoi të gjitha problemet. Votoni për Berishën. Riktheni shpresën", tha La Civita.

 

 

Nëse Berisha e nisi mbrëmë garën për t'u rikthyer në pushtet, sot socialistët e Edi Ramës e nisin në sheshin "Skënderbeg" për të fituar mandatin e katërt radhazi.

Socialistët garojnë në këto zgjedhje me sloganin “Shqipëria në 2030 në BE – vetëm me Edin dhe PS”. Në koalicion është vetëm me partinë maqedonase, Aleancën Maqedonase për Integrim Evropian (MAEI), të Vasil Sterjovskit.

Këto janë zgjedhjet e 11-ta parlamentare që nga rënia e regjimit komunist, ku marrin pjesë 11 parti politike dhe koalicione. ls/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR