• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bajden: Nëse largohemi nga Ukraina, do të ndryshohet edhe dinamika e Ballkanit

Bajden: Nëse largohemi nga Ukraina, do të ndryshohet edhe dinamika e Ballkanit

Uashington, 20 janar 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden deklaroi se nëse Kongresi nuk miraton ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën, paqëndrueshmëria mund të përhapet edhe në Evropë dhe hapur pyeti se çfarë mund të ndodhë në Ballkan, duke paralajmëruar se një situatë e tillë "do ta ndryshojë dinamikën".

Bajden këtë e deklaroi mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë ku foli për refuzimin e Kongresit amerikan për të miratuar ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën, transmeton En-Bi-Si.

Sipas këtij mediumi, Bajden në disa raste, përfshirë edhe gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit nga Dhoma ovale, paralajmëroi se mungesa e ndihmës së re do të jetë tmerr për Ukrainën dhe rendin më të gjerë botëror.

Në dhjetor të vitit 2023, Shtëpia e Bardhë publikoi se Ukrainës i janë dorëzuar mjetet e fundit të disponueshme amerikane, ndërsa bashkëpunëtorët më të lartë të Bajdenit u thanë hapur ligjdhënësve amerikanë se nëse Kongresi nuk miraton së shpejti ndihmë shtesë ushtarake për Ukrainën, Rusia mund ta fitojë luftën për vetëm disa javë, ndërsa në rastin më të mirë për disa muaj, shton portali amerikan.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Xhejk Sallivan dhe drejtoresha e  Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Avril Hejns paralajmëruan se nuk ishte rastësi që Rusia kishte nisur valën e saj më të madhe të sulmeve ajrore në histori, në një kohë kur Kongresi amerikan muajin e kaluar refuzoi të autorizonte ndihmë ushtarake shtesë për Ukrainën.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe presidenti amerikan Xho Bajden kërkuan nga Kongresi amerikan të miratojë një pako të re ndihme prej 61,4 miliardë dollarë, por republikanët refuzojnë të miratojnë ndihmën pa një marrëveshje me demokratët për përforcimin e sigurisë përgjatë kufirit ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës. 

Përfaqësuesit perëndimorë vlerësojnë se pa ndihmë shtesë amerikane, Ukraina fillimisht do të mbetë pa raketa me rreze të gjatë, pastaj pa raketa kundërajroe, ndërsa më vonë edhe pa municon artilerie dhe raketa me rreze të shkurtë, siç janë raketat antitank "Xhavelin" dhe raketat kundërajrore "Stinger".

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kongresi Amerikan ka miratuar më shumë se 110 miliardë dollarë ndihmë për Kievin, por asnjë cent nuk është miratuar që kur republikanët morën kontrollin e Dhomës përfaqësuese vitin e kaluar. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR