• e premte, 05 dhjetor 2025

Asambleja e Përgjithshme e KB-së miratoi rezolutën për kthimin e fëmijëve të rrëmbyer ukrainas, ndërsa 11 vende votuan kundër

Asambleja e Përgjithshme e KB-së miratoi rezolutën për kthimin e fëmijëve të rrëmbyer ukrainas, ndërsa 11 vende votuan kundër

Nju Jork, 4 dhjetor 2025 (MIA) -  Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi rezolutën, me të cilën kërkohet nga Rusia të sigurojë kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe të pakushtëzuar të të gjithë fëmijëve ukrainas të zhvendosur me forcë ose të deportuar gjatë luftës në Ukrainë, dhe bëhet thirrje që Moska të ndalojë me këtë praktikë.

Rezoluta u miratua nga 91 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, përfshirë SHBA-në, me 57 vota të përmbajtura, ndërsa Rusia dhe 11 vende të tjera votuan kundër.

Përveç Rusisë, kundër votuan edhe Bjellorusia, Burkina Faso, Burundi, Kuba, RD Kongo, Eritrea, Mali, Nikaragua, Nigeria dhe Sudani.

Rusia bëri thirrje që rezoluta, e cila u hartua nga Ukraina, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian, të mos miratohej.

"Çdo votë për rezolutën është mbështetje për gënjeshtra, luftë dhe konflikte. Çdo votë kundër është votë për paqe", tha zëvendësambasadorja e Rusisë në KB, Maria Zabolotskaja, para Asamblesë së Përgjithshme, para votimit.

Zonja e parë e SHBA-së, Melania Tramp, në tetor deklaroi se është në "komunikim të hapur" me presidentin rus Vladimir Putin dhe se disa fëmijë janë kthyer tek familjet e tyre, si dhe se së shpejti do të kthehen edhe të tjerë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale  (GJNP) lëshoi një urdhër arrest për Putinin në mars të vitit 2023, duke e akuzuar atë për krim lufte – deportim të paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina, akuzë që Rusia e hodhi poshtë si "skandaloze dhe të papranueshme".

Ukraina e akuzon Rusinë për rrëmbimin e dhjetëra mijëra fëmijëve dhe zhvendosjen e tyre në Rusi ose në territor të pushtuar nga Rusia pa pëlqimin e familjeve apo kujdestarëve të tyre. Moska më herët njoftoi se ushtria ruse "i mbron fëmijët e cenueshëm nga zonat e luftës". qa/

Foto: DPA

QËNDRONI TË LIDHUR