• e enjte, 12 mars 2026
МIA Flesh

15:00/ 11 mars/ 2026

Shkup - Në organizim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale me mbështetjen e SIGMA/OECD dhe në praninë e përfaqësuesve të Qeverisë, BNJVL-së dhe komunave, sot u mbajt një ngjarje kushtuar forcimit të bashkëpunimit ndërkomunal (IMC) në Maqedoninë e Veriut, informojnë nga Ministria për Çështje Evropiane. Në këtë ngjarje u drejtua edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, i cili theksoi se vetëqeverisja e fortë lokale është parakusht kyç për integrim të suksesshëm evropian. “Reformat nuk zhvillohen vetëm në nivel qendror. Ato realizohen në komuna, aty ku qytetarët i ndjejnë drejtpërdrejt efektet e politikave publike. Forcimi i bashkëpunimit ndërkomunal nënkupton efikasitet më të madh, shërbime më cilësore dhe kapacitet më të lartë për shfrytëzimin e fondeve evropiane", theksoi ministri Sali.

Shkup – Kryeministri Hristijan Mickoski sot pasdite do të ketë takim me tregtarët dhe përfaqësuesit e marketeve. Siç deklaroi sot, takimi është caktuar për në orën 16:00. Mickoski tha se ka porosi dhe argumente të qarta të cilat do t’i thotë në takim.  “Kemi çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon, nuk ka goditje të çmimeve dhe furnizimi me naftë dhe derivate të naftës nuk është vënë në pikëpyetje. Kompanitë furnizuese kanë rezerva të mjaftueshme, inflacioni është më i ulëti në rajon. Situata në vend është absolutisht normale, do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas. Fillimi i vitit është premtues sipas të gjithë treguesve dhe parametrave, por ne vazhdojmë të punojmë në interes të standardit të jetesës së qytetarëve. Kam porosi dhe argumente të qarta për takimin e sotëm me tregtarët”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas takimit me investitorët e huaj në vend.

Shkup - Para nesh është, për fat të keq, përvjetori i tragjedisë në Koçan. Ngjarje e cila si atëherë, ashtu edhe sot, zgjon të njëjtën ndjenjë dhimbjeje dhe përgjegjësie të thellë. Ishte një ditë kur koha ndaloi për shumë familje, por njëkohësisht ishte edhe momenti që tregoi fuqinë e solidaritetit. Në orët më të vështira u mobilizuan punonjësit shëndetësorë, institucionet, shërbimet dhe komuniteti lokal. Shteti reagoi, ndërsa partnerët tanë treguan se solidariteti nuk është vetëm parim, por mbështetje konkrete kur është më e nevojshme, tha sot zëdhënësja e qeverisë, Marija Miteva. “Në ato orë të vështira, falë përgjigjes së koordinuar të shtetit dhe mbështetjes nga sistemet shëndetësore evropiane dhe rajonale, u shpëtuan jetë njerëzish dhe u mundësua trajtimi për të lënduarit më rëndë. Për Qeverinë, një vit më vonë, qëllimi nuk është vetëm kujtimi. Qëllimi është të tregojmë përgjegjësi dhe të krijojmë një sistem i cili do të jetë edhe më i fortë, më i organizuar dhe më i gatshëm për t’u përballur me situata krize”, tha ajo.

Shkup - Në periudhën nga 01.03.2026 deri më 10.03.2026, si rezultat i kontrolleve të rregullta rrugore që i realizojnë nëpunësit policorë nga të gjithë sektorët e punëve të brendshme në rrugët e mbarë vendit, nga gjithsej 6,264 urdhërpagesa të lëshuara, 1,800 shkelje kanë të bëjnë me shoferë që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e përshkruar të lëvizjes. "Janë privuar nga liria 151 persona, nga të cilët 32 për vozitje nën ndikimin e alkoolit, një për vozitje me shpejtësi më të madhe nga e lejuara në vendbanim, tre për vozitje me shpejtësi më të madhe nga e lejuara jashtë vendbanimit, 50 për vozitje pa patentë shoferi, 12 për shkak të ndalimit të shqiptuar më parë për drejtimin e automjetit", theksohet në kumtesën e MPB-së. Në po këtë periudhë, janë sekuestruar 53 automjete sipas nenit 300-b të Kodit Penal.

Shkup - Sot, me zemër të thyer, kujtojmë 7,144 bashkëqytetarët tanë hebrenj, të cilët në këtë ditë u morrën me forcë nga shtëpitë e tyre, familjet e tyre dhe nga Shkupi i tyre, dhe u dërguan drejt vdekjes së sigurt në kampin Treblinka, ka shkruar në një postim në Fejsbuk kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski. Kjo, siç thekson kryetari i Shkupit, është një dhimbje që ende jeton në kujtimin e qytetit tonë. "Ata ishin fqinjtë tanë, miqtë tanë, zanatçinjtë – njerëz që me punën, kulturën dhe shpirtin e tyre ndërtonin jetën në Shkup. Një ditë u zhdukën, dhe pas tyre mbeti një heshtje që zgjatë me dekada", thekson ai. Tragjedia e Holokaustit, siç thotë Gjorgjievski, është një kujtesë e përjetshme për njerëzimin dhe një dëshmi se sa poshtë mund të bjerë njeriu kur urrejtja bëhet ideologji, ndërsa e keqja politikë.

Shkup – Komisioni për Mbrojtje sot e mbajti mbledhjen e 35-të në të cilën diskutoi për tri pikat e rendit të ditës edhe atë propozim-ligjet për ndryshime dhe plotësime të ligjit për furnizime publike në sferën e mbrojtjes, për ndryshime dhe plotësime të ligjit për siguri në komunikacionin rrugor dhe për ndryshime dhe plotësime të ligjit për zhvillim, prodhimtari dhe qarkullim të mallrave ushtarake.  Për të gjitha tre propozim -ligjet e propozuara Kuvendi paraprakisht u deklarua se të njëjtët duhet të miratohen me procedurë të shkurtër.  Deputeti Sali Murati parashtroi dy amendamente për propozim-ligjin për ndryshime dhe plotësime të ligjit për furnizime publike në sferën e mbrojtjes, gjatë kësaj duke e sqaruar parimisht se ndryshimet e propozuara nënkuptojnë ndryshime tektonike, thelbësore të ligjit të vëllimshëm, i ndërlikuar...

Shkup – Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov realizoi takim pune me kryetarin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Bojan Mariçiq, nënkryetarin e KSHZ-së, Abdush Demiri dhe anëtarin e Komisionit, Angellço Ristov. Në takim është biseduar për reformat në legjislacionin zgjedhor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë institucional ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në procesin e përgatitjes së ndryshimeve ligjore.  Siç informojnë nga Ministria e Drejtësisë, është diskutuar edhe për mundësitë për përparimin e kornizës së përhershme ligjore, fuqizim të transparencës dhe efikasitetit në procesin zgjedhor, si dhe harmonizim i legjislacionit zgjedhor me standardet bashkëkohore demokratike.

Shkup – Në seancën e sotme për rastin e “Onkologjisë”, personi ekspert Millan Ristevski dëshmoi për terapitë dhe protokollet në Klinikën për Radioterapi dhe Onkologji në Shkup. Ai dëshmoi se ka vërejtur lëshime, veçanërisht në pjesën e të dhënave të pamjaftueshme të dokumentuara për gjendjen e pacientëve dhe shpjegimet për zgjedhjen e terapisë. "Në shumicën e terapisë ato ishin brenda rekomandimeve, por në një pjesë të caktuar kishte parregullsi në përshkrim, si dhe një numër shumë të vogël të të dhënave, por të nevojshme për gjendjen e pacientit në atë moment", ka thënë Ristevski, duke shtuar se ka vërejtur lëshime në rekomandimet, jo nga rregullat strikte. Eksperti shpjegoi se protokolli nacional i onkologjisë u përpunua në vitin 2015 si një kopje e udhëzimeve evropiane, por në praktikë mjekët udhëhiqen nga ndryshimet vjetore të ESMO dhe NCCN.

Shkup - Ndërgjegjësimi publik për dhurimin e organeve, veçanërisht transplantimin kadaverik, pra transplantimin nga një person i vdekur duhet të rritet. Janë bërë ndryshime në Ligjin për heqjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për trajtim me qëllim lehtësimin e qasjes në një dhurues dhe rritjen e pragut, pra t'u lejohet edhe të afërmeve më të largët që të dhurojnë. Pritet që deri në fund të prillit ato të votohen në Kuvend. Po shqyrtohet edhe mundësia e një karte dhuruesi që do të thotë se vullneti i secilit person do të jetë ai që do të dominojë pasi të vdesë, dhe jo i anëtarëve të familjes, duke pasur parasysh se në muajt e fundit ka pasur një sërë refuzimesh nga familjet për të dhënë pëlqimin. Kjo u theksua sot në konferencën për shtyp me rastin e Ditës Botërore të Veshkave, e cila u mbajt në Klinikën universitare për nefrologji.

Shkup– Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov sot duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në lidhje me procesin e rikonstruimit të Sallës Universale, tha se është marrë vendim për zgjedhjen e kontraktuesit dhe se pritet që të vendosë komisioni i shkallës së dytë në lidhje me ankesën.  “Vlerësimi i dokumentacionit ka përfunduar, kemi marrë vendimin për të zgjedhur kontraktues , kjo ndodhi të hënën e kaluar. Pritëm dhjetë ditë, ditën e parafundit u paraqit një ankesë në lidhje me vendimin, dhe tani presim që komisioni i ankesave të shkallës së dytë të vendosë për atë ankesë. Herën e kaluar tenderi dështoi, këtë herë shpresoj se kjo nuk do të ndodhë, dhe nëse gjithçka shkon mirë, nuk e di në cilën seancë të komisionit të ankesave të shkallës së dytë do të merret vendimi, por sapo të merret vendimi, menjëherë do të vazhdojmë me nënshkrimin e kontratës dhe fillimin e rikonstruimit, pasi që janë siguruar edhe mjetet për ndërtimin e Sallës Universale”, theksoi Lutkovi. Tha se procesi i zgjedhjes së ofertuesve ishte shumë i hapur, dhe në thirrje ishin paraqitur vetëm dy kandidatë. 

Tetovë - Një grua e moshuar e ka humbur jetën në një zjarr që ka shpërthyer në një shtëpi familjare në lagjen Jashtë Vardarit të Tetovës rreth orës 08:30 të mëngjesit të sotëm. Sipas informacioneve nga Njësiti territorial i zjarrfikësve (NJTZ) Tetovë, në kohën e fatkeqësisë, gruaja ishte vetëm në shtëpi, ndërsa burri i saj ishte jashtë. Gjatë ndërhyrjes, zjarri u lokalizua, pas së cilës u vu re se brenda kishte një person të vdekur. "Kemi një viktimë, për fat të keq, brenda shtëpisë. Zjarrfikësit shkuan atje me tre kamionë dhe ne ndërhymë me tetë zjarrfikës. Burri që ishte me të ishte jashtë shtëpisë, nuk kishte askush tjetër që mund ta kishte vënë re. Fqinjët që jetonin përreth tyre vunë re se kishte tym dhe thirrën njësitin e zjarrfikësve", informoi Avni Ameti, komandant i NJTZ Tetovë.

Veles – Në SPB Veles dje në orën 10:30 ishte raportuar se në shtëpi ishte gjetur i vdekur 64-vjeçari D.I. nga Velesi.  “Një mjek i Ndihmës Mjekësore Urgjente ka konstatuar vdekjen pa shenja të dukshme të dhunës, ndërsa mbikëqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer një ekip mbikëqyrës nga SPB Veles”, informojnë sot nga SPB Veles.  Me urdhër të prokurorit publik, trupi i të ndjerit ishte dhënë për autopsi. 

Paris - Grupi i shtatë ekonomive kryesore (G7) kanë shprehur një hapje të përgjithshme për të liruar rezervat e naftës në rast emergjence, duke pasur parasysh ndikimin ekonomik të luftës në Iran. "Në parim, ne mbështesim zbatimin e masave proaktive për t'u përballur me situatën, duke përfshirë përdorimin e rezervave strategjike", thuhet në komunikatën e sotme të përbashkët të ministrave të energjisë të G7. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës. Vendet e G7 përfshijnë Gjermaninë, SHBA-në, Japoninë, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Italinë.

Strasburg - Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, theksoi pasojat ekonomike të konfliktit në Lindjen e Mesme për evropianët për shkak të varësisë së madhe të BE-së nga importet e lëndëve djegëse fosile. "Që nga fillimi i konfliktit, çmimet e benzinës janë rritur për 50 përqind dhe çmimet e naftës për 27 përqind", tha fon der Lajen sot në një fjalim para Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës. "Nëse e përkthen këtë në euro: 10 ditë luftë u kanë kushtuar tashmë taksapaguesve evropianë tre miliardë euro shtesë (3.5 miliardë dollarë) në importet e lëndëve djegëse fosile", tha ajo. "Ky është çmimi i varësisë sonë."

QËNDRONI TË LIDHUR