• e enjte, 12 mars 2026
MIA Flesh

18:00 / 11 mars / 2026

Shkup – Këshilli gjyqësor në seancën e sotme të 538-të, konstatoi dyshime serioze për sjelljen joprofesionale dhe jo të përgjegjshme të një gjyqtari nga Gjykata e Apelit të Shkupit për shkak të vonesës së paarsyeshme të procedurave gjyqësore, që rezultoi me vjetërsim absolut të lëndëve ku u treguan dyshime për një veprim të këtillë edhe nga gjyqtarët e Gjykatës Themelore të Manastirit, në një rast që lidhet me heqjen e masës së paraburgimit dhe caktimin e garancisë. Në seancë janë shqyrtuar dhe miratuar raportet e grupeve të punës pas inspektimeve të kryera në Gjykatën Themelore në Tetovë dhe Gjykatat e Apelit në Shkup dhe Manastir. Më pas u theksuan edhe problemet sistemike në mbajtjen e evidencave penale midis policisë dhe gjykatave.

Shkup - Për momentin, nuk ka asnjë problem që do të kërcënonte funksionimin normal të sistemit. Situata në vend është absolutisht normale, po e monitorojmë situatën dhe do të reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj sfidave, nuk do të presim që ato të ndodhin dhe pastaj të marrim masa, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas Mickoskit, ajo që propozon opozita është gjithashtu pjesë e të menduarit të Qeverisë, por përveç kësaj, ka edhe masa të tjera që do të merren nëse vlerësohet se ka nevojë. "Po e monitorojmë situatën, këto janë fillimet e konfliktit që po ndodh në Gjirin Persik dhe luftës. Ju lus të gjithëve të ruajnë qetësinë, sepse në këtë moment nuk ka ndonjë sfidë të tillë që do të kërcënonte funksionimin normal të sistemit, as nuk ka ndonjë tregues që mund të na habisë. Sigurisht, sfidat ndodhin çdo ditë dhe ne i analizojmë ato. Ndryshe nga opozita, ne kemi përgjegjësi. Shoh që ata po i referohen disa prej deklaratave tona të vitit 2022, por të dyja nuk janë absolutisht të krahasueshme, sepse ato deklarata u bënë pas disa muajsh rritjeje të vazhdueshme, ndërsa ne tani po flasim për disa ditë që nga fillimi i krizës. Përndryshe, ajo që propozon opozita është, sigurisht, pjesë e të menduarit të Qeverisë, por jo vetëm kaq, ka edhe masa të tjera që do të merren dhe ne do të reagojmë në mënyrë të përshtatshme ndaj sfidave, nuk do të presim që ato të ndodhin dhe pastaj të reagojmë. Për momentin, nëse më pyetni mua sot, situata është absolutisht normale, ndërsa ne do ta informojmë publikun në kohën e duhur për atë që do të ndodhë në të ardhmen", theksoi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas takimit me investitorët e huaj në vend. 

Shkup - I analizuam të gjithë kandidatët, analizuam biografitë e tyre, si dhe përfundimet e Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe si Qeveri, në një debat konstruktiv arritëm në përfundimin se Nenad Savevski mund të jetë një zgjidhje e përshtatshme për prokuror të ri publik të shtetit, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes së gazetarëve, pse keni vendosur që Nenad Savevski të jetë zgjedhja juaj për prokuror publik të shtetit në Maqedoni.

Shkup - Ministria e Financave, gjatë realizimit të mbikëqyrjes ndaj punës së shoqërive financiare, konstatoi disa praktika mashtruese tregtare që lidhen, ndër të tjera, me reklamimin e shërbimeve financiare dhe veprime të tjera nga shoqëritë financiare, në kundërshtim me Ligjin e Mbrojtjes së Konsumatorëve. Gjatë mbikëqyrjes, u konstatuan reklama me 0% interes, ndërsa në marrëveshjen e kredisë ishin parashikuar kosto të tjera shtesë. Gjithashtu, u konstatuan parregullsi që lidhen me reklamimin e shërbimeve financiare nën brendet, pa theksuar shoqërinë financiare që ofron shërbime konkrete, po ashtu edhe përdorimin e faqeve të shumta të internetit nga e njëjta shoqëri financiare, si dhe përdorimin e emrit të shoqërisë në ambientet afariste të ndryshëm nga emri i theksuar në lejen e punës së shoqërisë financiare.

Shkup - Në Ministrinë për Çështje Evropiane sot u zhvillua takim pune me përfaqësues të Institutit për Politika Evropiane – Shkup (EPI), të udhëhequr nga drejtoresha Dr. Simonida Kaçarska. Gjatë takimit u konfirmua bashkëpunimi i shkëlqyer dhe i vazhdueshëm mes Ministrisë për Çështje Evropiane dhe EPI në procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Shkup - Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska zhvilloi një takim pune me Artur Lorkovski, Drejtor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, organizata rajonale që lidh tregun e energjisë së Bashkimit Evropian me vendet e Evropës Juglindore dhe monitoron zbatimin e legjislacionit evropian të energjisë. Në takim morën pjesë edhe Zoran Gjorgjievski, drejtor i Operatorit Kombëtar të Tregut të Energjisë Elektrike – "MEMO DOOEL", Shkup dhe Aleksandar Paunoski, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i SHA MEPSO , të cilët diskutuan për hapat kryesorë të reformave në sektorin e energjisë dhe progresin e Maqedonisë së Veriut në procesin e harmonizimit me politikat evropiane të energjisë.

Shkup - Nxitja e përdorimit më të gjerë të teknologjisë asistive në shkolla, për proces më efikas edukativo-arsimor për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore është qëllimi i projektit të ri “Avokim për inkluzion digjital” i Shoqatës për Teknologji Asistive “Hapni Dritaret” dhe ZETA – organizata për aftësi të kufizuara dhe drejtësi, mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Ambasada e Zvicrës. Projekti u promovua sot, ndërsa në këtë ngjarje fjalim mbajti edhe sekretarja shtetërore në MASH, Elena Ivanovska, e cila theksoi se gjatë periudhës së kaluar Ministria ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të mundësive të barabarta arsimore për nxënësit me vështirësi.

Shkup- Zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, sot mori pjesë në eventin me titull: “Përfaqësimi për përfshirje digjitale”, në organizim të “ZETA”- Shoqatës për Aftësi Ndryshe dhe Drejtësi, dhe Shoqatës për Teknologji Asistive “Hapni Dritaret”. I njëjti organizohet si pjesë e projektit të mbështetur nga Qeveria e Zvicrës, përmes programit “Civika Mobilitas”. Eventi i bashkoi përfaqësuesit e institucioneve, të organizatave të personave me aftësi ndryshe, të organizatave të shoqërisë civile dhe të komunitetit të ekspertëve, me qëllim hapjen e diskutimit për sfidat dhe mundësitë mbi avancimin e sistemit për sigurimin dhe përdorimin e teknologjisë asistive, si dhe mbi avancimin e përfshirjes digjitale.

Shkup - Ekonomia e vendit po shkon drejt një gjendjeje konsolidimi, 55 për qind e investitorëve të huaj planifikojnë të riinvestojnë, porositën sot kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryetari i Këshillit të investitorëve të huaj në vend, Viktor Mizo pas takimit në Odën Ekonomike. "Patëm, do të thosha, një debat të frytshëm dhe të suksesshëm. Për ne investitorët e huaj janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, natyrisht njësoj si edhe investitorët vendorë, sepse ekonomia është një nga prioritetet kryesore të funksionimit të kësaj Qeverie dhe të gjitha ato atribute që janë pjesë përbërëse e kësaj përpjekjeje për një ekonomi sa më të mirë. Ndjejmë se ngadalë, por sigurt, po lëvizim drejt konsolidimit dhe kjo në kushte sfidash jashtëzakonisht të mëdha globale, vlerësoj se ekonomia maqedonase po shkon drejt një gjendjeje konsolidimi, natyrisht, sfidat nuk do të ndalen, ato do të vazhdojnë, por ne përpiqemi t’i parashikojmë ato dhe përmes parashikimit të gjejmë zgjidhje për ato sfida. Sa më i fortë të jetë shteti, aq më shumë vlen biznesi dhe aq më shumë vlen edhe pasuria, sa më i fortë të jetë biznesi, aq më i fortë bëhet edhe shteti, prandaj është shumë e rëndësishme të kemi një biznes likuid dhe një ekonomi funksionale. Ajo ekonomi duhet t’i përmbushë me kohë detyrimet e saj ndaj shtetit dhe ndaj buxhetit, ndërsa me këto detyrime dhe me një buxhet të qëndrueshëm e likuid ne do të mund të kemi më shumë investime kapitale, më shumë në shëndetësi, më shumë në arsim, më shumë në bujqësi, pensione më të larta, paga më të larta etj", tha Mickoski pas takimit.

Shkup - Gjashtë raste të ndara të dhunës në familje, pas çka nënpunësit policor ndaluan pesë persona të dyshuar për forma të ndryshme të dhunës fizike dhe psikologjike, u raportuan dje në disa qytete në të gjithë vendin, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme. Policia nga NJPB Gostivar e privuan nga liria J.Z. (27) nga fsh. Banjicë e Poshtme, rrethina e Gostivarit, duke vepruar në bazë të një denoncimi të mëparshëm prej gruas së tij 26-vjeçare se, për shkak të mosmarëveshjes së ndërsjellë, ka bërë kërcënime ndaj nënës së saj në një rrjet social.

Bruksel - Vendet e Bashkimit Evropian u dakorduan të vendosin më shumë sanksione ndaj Iranit, publikoi shefja e Punëve të Jashtme e BE-së, Kaja Kallas, transmetoi DPA. "BE-ja vazhdon ta mbajë Iranin përgjegjës", shkroi Kallas të mërkurën në Iks. "Ndërsa lufta në Iran vazhdon, BE-ja do të mbrojë interesat e saj dhe do të ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për represionin e brendshëm. Gjithashtu, i dërgon mesazh Teheranit se e ardhmja e Iranit nuk mund të ndërtohet mbi represion", shtoi ajo.

Teheran – Korpusi iranian i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) njoftoi se fillon “operacion më intensiv dhe më të vështirë” që nga fillimi i konfliktit, ndërsa mediat shtetërore iraniane publikuan listë të caqeve potenciale në rajon. Lista, e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Tasnim me titull “Caqet e reja iraniane”, i përfshin zyrat dhe pronat e kompanive të mëdha teknologjike amerikane të cilat punojnë në Lindjen e Mesme. Në mesin e caqeve potenciale janë zyra rajonale, si dhe qendra për të dhëna dhe qendra zhvillimore të gjigantëve teknologjikë. 

Teheran – Pas politikës së mëparshme të “goditjeve hakmarrëse”, Irani kalon drejt taktikës së “sulmeve të vazhdueshme” ndaj kundërshtarëve të tij, ndërsa SHBA-ja nuk do të mund t’i kontrollojë çmimet e naftës, njoftoi komanda operative e armatës Hatam Al-Anbi. Hatam al – Anbija është komanda kryesore operative e forcave të armatosura iraniane që i koordinon operacionet ushtarake të armatës së rregullt dhe Gardës Revolucionare. Ai është shtab i cili i planifikon dhe udhëheq operacionet më të mëdha ushtarake të Iranit në situata lufte dhe të krizës. “Nuk do të lejojmë që asnjë litër naftë t’i mbërrijë SHBA-së, sionistëve dhe partnerëve të tyre. Çdo anije dhe tanker që lundron drejt tyre do të jetë cak legjitim”, tha zëdhënësi i komandës Ebrahim Zolagari. 

Tel Aviv - Ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Kac, sot deklaroi se lufta kundër Iranit do të vazhdojë "për aq sa të jetë e nevojshme".  "Ky operacion do të vazhdojë pa asnjë kufizim kohor derisa të arrijmë të gjitha objektivat dhe beteja të zgjidhet", theksoi Kac në takimin e sotëm me udhëheqjen e armatës në selinë ushtarake në Tel Aviv. Sipas tij, Izraeli, në bashkëpunim me SHBA-në, kanë arritur "sukses shumë mbresëlënës në sulm dhe mbrojtje". "Udhëheqja iraniane që mbijetoi po ikte si minjtë në tunele, njësoj si udhëheqja e Hamasit në Rripin e Gazës", theksoi Kac.

QËNDRONI TË LIDHUR