12:00/10 mars/2026
Shkup - Në kushte të sfidave të shtuar të sigurisë dhe gjeopolitikës, qeveritë duhet të përshtaten shpejt dhe të veprojnë së bashku, pasi bashkëpunimi është i vetmi opsion real, theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, në konferencën ndërkombëtare Budapest Balkans Forum 2026, e cila po mbahet në Budapest, Hungari, në organizim të Institutit hungarez për çështje ndërkombëtare.
Shkup - Bashkëpunimi dhe besimi i lartë mes Armatave të Maqedonisë dhe SHBA-së, vlera strategjike e poligonit të Armatës "Krivollak" dhe mundësitë për zhvillimin e së njejtës, si dhe pajisja dhe modernizimi i Armatës, ishin në fokus të takimeve të kryeshefit të Shtatmadhorisë së Armatës, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, me përfaqësues të lartë të Forcave të Armatosura (FA) të SHBA-së, në Pentagon, me të cilët e përfundoi vizitës e punës disaditëshe në FA-në e SHBA-së.
Shkup - Sot është realizuar pagesa në vlerë prej 157.834.000 denarë për 123 përfitues. Pagesa i referohet Masës 2.13 nga Programi për mbështetje financiare në bujqësi për vitin 2024, për derrat e therur, infprmojnë nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Nga MBPEU theksojnë se vazhdojnë me mbështetje të vazhdueshme për bujqit dhe zhvillimin e sektorit të blegtorisë.
Shkup – Nga 17 marsi Maqedonia e Veriut dhe Sllovakia do të lidhen me fluturim të ri të drejtpërdrejt ndërmjet Ohrit dhe Bratislavës. “Hapja e linjës së drejtpërdrejt ajrore është edhe një hap para drejt fuqizimit të kontakteve ndërmjet dy shteteve tona, para së gjithash në turizëm dhe në biznes. Besojmë se kjo do të kontribuojë për fuqizim të mëtutjeshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Sllovakisë dhe Maqedonisë së Veriut”, theksohet në publikimin në Fejsbuk të Ambasadës së Sllovakisë në vend.
Shkup – Çmimet e karburanteve në shtet prej sot janë më të larta, por edhe më tutje janë në mesin e më të ulëtave në krahasim me ato në vendet fqinje dhe vendet nga rajoni më i gjerë evropian, me përjashtim të Bosnjës e Hercegovinës dhe Turqisë, tregon krahasimi i të dhënave për çmimet e karburanteve nga sajti Fuelo.eu. Pas rritjes së çmimit të naftës në botë, benzinat në shtet u shtrenjtuan për pesë denarë për litër, ndërsa dizeli për 14,5 denarë për litër, me çka çmimi i ri i shitjes me pakicë i EUROSUPER BS- 95 është 79,5 denarë për litër (1,289 euro), ndërsa i dizelit EURODIZEL BS (D-E V) 85,5 denarë për litër (1,386 euro).
Shkup - Temperatura më e ulët këtë mëngjes është matur në Berovë, -6 gradë. Temperatura nën zero janë matur edhe në Kodrën e Diellit, Lazaropole, Hanet e Mavrovës dhe në Manastir (-3), -2 gradë në Strumicë, Kriva Pallanka dhe Krushevë, -1 në Pretor dhe Gjevgjeli. Siç raportoi DPHM, 0 gradë janë matur këtë mëngjes në Prilep, Shkup - Petrovec, Tetovë, Demir Kapi, Ohër dhe Veles, 1 gradë në Kavadar, Shkup - Zajçev Rid, Shtip dhe Kumanovë dhe 2 gradë në Vinicë.
Ankara - Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi se sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore "Patriot" është vendosur në provincën juglindore Malatia si pjesë e masave të NATO-s për forcimin e mbrojtjes ajrore të aleatëve për shkak të kërcënimeve raketore të lidhura me luftën në Iran. Baza e radarit e NATO-s në Kureçik, e cila siguron të dhëna kyçe për aleancën dhe ka ndihmuar në identifikimin e dy raketave balistike iraniane të drejtuara ndaj Turqisë, ndodhet në Malatia, njoftoi portali i gazetës "Sabah".
Jerusalem - Ministri i Jashtëm iranian, Abas Aragçi, tha në një intervistë për televizionin PBS se nuk beson se "çështja e negociatave me amerikanët ose rinegociimet me amerikanët do të vihet në rend dite", raportoi "Jerusalem Post". Sipas Aragçit, SHBA ka humbur potencialin për negociata të ardhshme duke sulmuar vazhdimisht Iranin gjatë bisedimeve diplomatike - së pari në qershor të vitit të kaluar dhe tani.
Teheran - Trupat e Gardës Revolucionare të Iranit njoftuan se çdo vend arab ose evropian që dëbon ambasadorët e SHBA-së dhe Izraelit nga territori i tij do të jetë në gjendje të kalojë lirshëm nëpër Ngushticën e Hormuzit. Kriza në Lindjen e Mesme ka ndërprerë trafikun detar dhe eksportet e energjensave përmes Ngushticës së Hormuzit - një rrugë kyçe transporti detar përmes së cilës kalojnë rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit natyror.
Teheran - Qindra mijëra iranianë morën pjesë në marshime të organizuara mbrëmë për të shënuar zgjedhjen e Moxhtaba Hameneit si lideri i ri suprem i vendit pas vdekjes së babait të tij, ajatollah Ali Hamenei, raportuan mediat shtetërore iraniane.Pjesëmarrësit në marshime iu betuan për besnikëri udhëheqësit të ri pavarësisht kërcënimit të sulmeve nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Teheran - Forcat e armatosura iraniane njoftuan se kanë sulmuar një bazë ajrore amerikane në Irakun verior, njoftoi DPA. Baza Harir, e vendosur në rajonin autonom Kurdistan, ishte objektiv i sulmit me pesë raketa, kumtoi televizioni shtetëror iranian, duke i'u referuar Korpusit të gardës revolucionare islamike (IRGC).
Teheran – Ministria iraniane e Punëve të Jashtme kërkoi garanci të sigurisë në rast të armëpushimit eventual me SHBA-në dhe Izraelin, informon DPA. “Nëse duhet të vendoset armëpushim ose të përfundojë lufta, duhet të ekzistojë garanci se veprimet agresive kundër Iranit nuk do të përsëriten”, deklaroi zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kazem Garibabadi, i cituar nga gazeta “Sharg”.
Manama - Një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm iranian në një zonë banimi në kryeqytetin e Bahreinit, Manama, njoftoi Ministria e Brendshme e vendit herët këtë mëngjes. "Të dhënat e para tregojnë se një person u vra, ndërsa disa të tjerë u plagosën në një sulm të dukshëm iranian ndaj një ndërtese banesore në kryeqytet", shënoi Ministria në rrjetin social "X".
Santa Fe - Hetuesit në shtetin amerikan të Meksikos së Re kanë filluar një kërkim në ish fermën e autorit të dënuar për krime seksuale, Xhefri Epstin, ku financuesi i ndjerë dhe bashkëpunëtorët e tij u akuzuan për abuzim seksual me gra dhe vajza, thanë autoritetet shtetërore. Mediat theksojnë se autoritetet po veprojnë në bazë të informacionit të ri të përfshirë në dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në janar, duke përfshirë një pretendim se Epstin urdhëroi që trupat e dy vajzave të varroseshin në kodrat pranë pronës.
Nju Jork - Sulmet me dronë nga forcat e sigurisë haitiane të orientuara drejt bandave kanë vrarë më shumë se 1.200 njerëz, përfshirë 43 civilë të rritur dhe 17 fëmijë, bëri të ditur në një raport të ri Hjuman rajts uoç (HRW) . Drejtoresha e HRW për Amerikën, Huanita Gobertus, tha se organizata kishte dokumentuar përdorimin e paligjshëm të forcës vdekjeprurëse.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramo deklaroi se lufta me Iranin ka filluar pasi Teherani nisi të punojë në objektin e ri për prodhimin e materialeve për armë bërthamore. Trampi tha se objekti i ri kishte për qëllim të zëvendësonte impiantet që SHBA-ja i kishin bombarduar vitin e kaluar. "Por ata filluan të punojnë në një tjetër objekt – një objekt ndryshe, një lloj tjetër objekti, i mbrojtur me granit", deklaroi ai.