• e hënë, 09 mars 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

09:00/ 9 mars/ 2026

Shkup - Në Kuvendin e Maqedonisë, do të mbajnë sot seanca Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, Komisioni për Financim dhe Buxhet, si dhe Komisioni Juridiko-Ligjdhënës. Në rendin e ditës të Komisionit për Sistem politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve është Projektvendimi për mbajtjen e debatit publik rreth Projektligjit për Prokurorinë Publike.

Shkup - Pas evakuimit të mbrëmshëm të 151 personave nga Dubai që arritën në aeroportin e Shkupit, aeroplani i radhës pritet të mbërrijë të martën, me afërsisht të njëjtin numër udhëtarësh. Fluturimi i tretë është planifikuar për mesin e javës, por mbetet të shihet nëse do të rritet interesi i qytetarëve nga Maqedonia e Veriut nga zonat e rrezikut, në mënyrë që potenciali për evakuim të organizuar nga shteti të mund të shfrytëzohet plotësisht. Siç deklaroi mbrëmë ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, punohet edhe për evakuimin e qytetarëve tanë që ndodhen në Bahrejn, Katar dhe Kuvajt.

Shtip - Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski sot do t'i vizitojë pjesëtarët e Armatës në kazermën "Jane Sandanski" në Shtip. Gjatë vizitës, ministri do të inspektojë aktivitetet ndërtimore që po kryhen në dy objekte në kazermë. 

Shkup - Zëvendës-ambasadori i BE-së, Ben Nupnau në hapësirat e Jurop Haus në Shkup sot në mesditë, do ta shënojë fillimin e një serie diskutimesh në panel mbi të drejtat e grave, të cilat do të zhvillohen gjatë gjithë vitit - duke filluar me Ditën ndërkombëtare të gruas dhe duke përfunduar me Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave.

Shkup - Një tërmet me magnitudë lokale prej 4 ballë sipas shkallës Rihter, epiqendra e të cilit ishte në Greqi, është ndjerë mbrëmë në pjesët perëndimore të vendit. Observatori Sizmologjik pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup njoftoi se tërmeti është regjistruar në orën 22:17, ndërsa epiqendra është rreth 200 kilometra në jugperëndim të Shkupit.

Ankara - Gjyqi i shumëpritur për akuzat për korrupsion dhe krim të organizuar kundër prefektit të shkarkuar të Stambollit, Ekrem Imamogllu, pritet të fillojë sot. Ai është shoqëruar më 19 mars të vitit 2020, ndërsa më 23 mars të vitit 2025 u arrestua dhe që atëherë ndodhet në burg në Silivri, pranë Stambollit. Një ditë para ndalimit të tij, diploma e tij e arsimit të lartë iu revokua, gjë që e privon nga e drejta për të kandiduar për president në të ardhmen.

Teheran - Me një vendim të Këshillit të Ekspertëve prej 88 anëtarësh, Moxhtaba Hamenei, djali i dytë i ajatollah Ali Hameneit të vrarë së fundmi, është shpallur zyrtarisht udhëheqësi i ri suprem i Republikës Islamike të Iranit. Ngritja e tij në pozicionin më të fuqishëm në vend vjen në një moment kritik, pas një serie sulmesh ushtarake nga SHBA dhe Izraeli që vranë babanë e tij, si dhe bashkëshorten e tij, Zahra Hadad Adel.

Tel Aviv - Izraeli ka nisur një valë të re sulmesh ndaj caqeve në Iran dhe Liban këtë mëngjes, njoftoi ushtria izraelite, informon DPA. "Forcat izraelite të mbrojtjes kanë nisur një valë shtesë sulmesh ndaj infrastrukturës së regjimit terrorist iranian në Iranin qendror", theksohet në deklaratën e publikuar në platformën Telegram.

Glazgou - Një zjarr i madh në stacionin qendror të trenit në qytetin më të madh të Skocisë, Glazgou, ka shkaktuar shembjen e pjesshme të një ndërtese, sipas Bi-Bi-Si. Dhjetëra trena nga stacioni janë anuluar dhe stacioni do të mbetet i mbyllur deri në njoftimin e mëtejshëm, njoftoi asociacioni britanik hekurudhor "Neshnal Reil".

Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp dha një koment të shkurtër pas lajmit se Moxhtaba Hamenei u zgjodh lideri i ri suprem i Iranit, duke deklaruar në një intervistë për "Tajms of Izrael": "Do të shohim se çfarë do të ndodh". Tramp tha se vendimi kur të përfundojë lufta me Iranin do të merret "së bashku" me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, por ai tregoi se fjala e fundit do të jetë e tij.

Nju Jork - Çmimet e naftës së papërpunuar Brent kanë kaluar 100 dollarë për fuçi për herë të parë pas më shumë se tre vjet e gjysmë, pasi prodhimi dhe transporti në Lindjen e Mesme janë ndërprerë seriozisht nga lufta me Iranin. Nafta e papërpunuar Brent arriti në 101,19 dollarë për fuçi për një kohë të shkurtër pas rifillimit të tregtimit në Bursën e mallrave të Çikagos, që është një rritje prej 9,2 për qind nga çmimi mesatar i mbylljes prej 92,69 dollarë të premten.

Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme, në orët e mëngjesit dhe të para të pasdites në pjesët perëndimore do të ketë reshje të dobëta lokale shiu. Vranësirat do të ulen në pasdite. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga juglindja. Temperatura minimale do të jetë në intervalin nga 1 deri në 6, ndërsa maksimalja do të arrijë nga 11 deri në 16 gradë.

QËNDRONI TË LIDHUR