• e hënë, 09 mars 2026

MIA Flesh

MIA Flesh

18:00/6 mars/2026

Shkup  - Mjekët nga vendet e huaja, që janë pjesë e Komisionit për vërtetimin e ndërhyrjeve të panevojshme të kryera në klinikat në vend, të cilat u zbuluan nga akademiku Sashko Kedev, ende punojnë dhe siç njoftoi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu, me shumë gjasa do të ketë një konferencë për shtyp javën e ardhshme në të cilën ai do të paraqesë detajet. "Ata po punojnë, nuk kam informacion, nuk jam i azhurnuar sot se deri ku kanë mbërritur. Me shumë gjasa, do t'ju informoj për detajet në një konferencë për shtyp javën e ardhshme. Mendoj se janë kufizuar, doja t'i kufizoja në maksimum një muaj e gjysmë ose dy. Vlerësoj që jemi ende në atë fazë, në atë interval kohor, të cilin e përcaktojnë ata", thotë Aliu.

Shkup  - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, thotë se pavarësisht situatës me çmimin e naftës, çmimet e shërbimeve në sektorin tonë të transportit mbeten të qëndrueshme për shkak të konkurrencës së kompanive. Ai pret që me zbatimin e sistemit të ri për hyrje në zonën Shengen, problemet me qëndrimin e transportuesve do të zgjidhen, dhe, thekson ai, shteti e zgjidh këtë individualisht. Ai apelon te publiku dhe transportuesit në Maqedoni, siç tha, të mos bien pre e agjendave dhe provokimeve të të tjerëve.

Shkup - Pas largimit të dhjetë tonëve mbetje kimike të rrezikshme, të cilat ishin ruajtur për më shumë se dhjetë vjet në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP) në Shkup, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot kërkoi nga institucionet të veprojnë dhe të zbulojnë pse ato mbetje të rrezikshme ishin ruajtur në qendër të Shkupit për kaq kohë, dhe siç tha ai, "është për të ardhur keq dhe joprofesionale, të themi të paktën".

Shkup - Çdo efektiv policie do të bëjë çmos për të parandaluar çdo dhunë, veçanërisht dhunën ndaj të miturve, theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski para fillimit të tryezës së rrumbullakët për mbështetjen dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Ai theksoi se një nga sfidat më të mëdha në trajtimin e dhunës në familje është situata kur viktima tërheq deklaratën e dhënë në polici.

 Shkup  - Në përputhje me ndryshimet ligjore në pjesën e procedurës administrative që lidhet me patentat dhe mënyrën e zbatimit të sanksionit kundërvajtës "Ndalim i drejtimit të mjetit motorik", të përcaktuar me vendime gjyqësore përfundimtare, zbatimi i ndalimit nuk kryhet më duke e futur fizikisht atë në patentë. Kjo eliminon nevojën që qytetarët të paguajnë shtesë për lëshimin e një lejeje të re drejtimi me ndalim të futur, me të njëjtën periudhë vlefshmërie. Në vend të kësaj, është vendosur një sistem njoftimi digjital përmes dy mesazheve me tekst (SMS) dhe postës elektronike (e-mail), njofton Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Tetovë  - Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës me një ceremoni solemne i shënoi dy datat e rëndësishme: 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Ky aktivitet shënoi një moment reflektimi mbi rolin e mësuesve në ndriçimin e rrugës së dijes dhe mbi kontributin e jashtëzakonshëm të gruas në familje, shoqëri dhe çdo fushë të jetës.

Bruksel  - Me dhjetë fluturime evakuimi të organizuara deri më tani me ndihmën e Bashkimit Evropian deri më tani kanë transportuar rreth 1.000 pasagjerë nga Lindja e Mesme mbrapa në Evropë, njoftoi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian  në një konferencë për shtyp. Ai sqaroi se Komisioni mund të mbulojë deri në 75 për qind të shpenzimeve për fluturime të organizuara nga një shtet anëtar i BE-së, nëse të paktën 30 për qind e vendeve janë të destinuara për shtetasit e vendeve të tjera evropiane.

Budapest  - Kryeministri hungarez Viktor Orban deklaroi se Evropa është plotësisht e papërgatitur për një krizë të re migracioni, por shtoi se vendi i tij di si ta parandalojë hyrjen e migrantëve. Orban theksoi se sistemi kombëtar i menaxhimit të migracionit, i prezantuar në vitin 2015, bazohet në parimin se vetëm njerëzit që kanë marrë leje paraprake mund të hyjnë në vend. "Në Perëndim, atyre u lejohet të hyjnë, kurse më pas ata qëndrojnë në ato vende pavarësisht vendimit për kërkesat e tyre për qëndrim", theksoi kryeministri hungarez.

 Teheran  - Irani sot paralajmëroi se do t'i sulmojë "të gjitha objektet" në rajonin autonom të Kurdistanit (Irak) nëse luftëtarët kurdë hyjnë në territorin e Republikës Islamike. "Deri më tani janë sulmuar vetëm bazat e ShBA-së dhe Izraelit, si dhe grupet separatiste në rajon", raportoi agjencia iraniane e lajmeve Mehr, duke cituar një letër nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit.

QËNDRONI TË LIDHUR