12:00/9 mars/2026
Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit Aleksandar Nikolloski do të qëndrojë në SHBA gjatë tre ditëve të ardhshme, ku do të zhvillojë takime në Bankën Botërore dhe Departamentin e Shtetit, si dhe do të mbajë fjalim në sesionin kryesor plenar të forumit vjetor "Transforming Transportation 2026", së bashku me komisarin evropian Apostolis Cicikostas.
Shkup - Deputetja Ivanka Vasilevska, në cilësinë e zëvendësshefes, do të marrë pjesë në takimin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të mbahet më 9 dhe 10 mars 2026 në Monako, në kuadër të kryesimit të radhës së këtij anëtari me Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.
Shkup - Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Publike, vazhdon sot në sallën e gjyqit në "Idrizovë" gjykimi për zjarrin në diskoteken "Puls" në Koçan. Në seancën e sotme janë ftuar pesë dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria Publike, ndërsa janë siguruar katër. Prokurori publik njoftoi se në fund të seancës së sotme, do të japë një deklaratë para Gjykatës në lidhje me dëshmitarët me të cilët nuk mund të kontaktojë për t'u thirrur me urdhër gjykate. Më parë, Gjykata i bëri thirrje Prokurorisë të japë një deklaratë për kërkesën e Lupço Papazov, për heqjen e masës së paraburgimit dhe përcaktimin e masave paraprake pas gjetjes së Gjykatës.
Shkup - Me rastin e 83-vjetorit të deportimit të 7.144 hebrenjve maqedonas në kampin e përqendrimit Treblinka, delegacionet parlamentare do të vendosin lule të freskëta në monumentet në Shtip, Manastir dhe Shkup, njoftojnë nga Kuvendi i Maqedonisë. Një delegacion parlamentar, i përbërë nga Nikolla Micevski, Dushko Ivanov dhe Bllagoj Boçvarski, sot në orën 11:00 do të vendosë lule në Monumentin e hebrenjve të deportuar nga Shtipi.
Manastir - Prokuroria Themelore Publike Manastir, në koordinim me Qendrën Hetimore të po të njëjtës prokurori dhe SPB Manastir, zbuloi një skemë të përpunuar për të mashtruar qytetarët me aksidente të rreme trafiku. Rastet lidhen me numra telefoni nga Rumania. Nga PTHP Manastir informojnë se në territorin e saj gjatë dy – tre muajve të fundit, janë mashtruar mbi dhjetë qytetarë, prej të cilëve janë përfituar gjithssej mbi 60,000 euro dhe sende të tjera me vlerë. Numri i ngjarjeve të tilla është rritur veçanërisht që nga fillimi i shkurtit, që kur janë regjistruar gjashtë raste të ngjashme.
Shkup - Ndërmarrja Publike "Ujësjellës dhe Kanalizim" - Shkup publikoi raportin javor për cilësinë dhe sigurinë e ujit të pijshëm, duke njoftuar se sipas të gjitha analizave të kryera, uji në kryeqytet është i sigurt dhe i përshtatshëm për përdorim. Në raport thuhet se Sektori i Kontrollit Sanitar, në periudhën nga 2 deri më 6 mars 2026, mori 184 mostra për analiza fiziko-kimike dhe 184 mostra për analiza mikrobiologjike të ujit të pijshëm, nga gjithsej 40 pika matëse në Qytetin e Shkupit.
Shkup - Në Berovë dhe Kodrën e Diellit mëngjesin e sotëm është matur temperatura prej -1 gradë Celsiusë, 0 në Kriva Pallankë, 1 në Hanet e Mavrovës, 2 në Lazaropole dhe Krushevë, 4 në Vinicë, 5 në Manastir dhe Pretor, 6 në Prilep dhe Kavadar, 7 në Shkup–Zajçev Rid, Strumicë, Veles, Shtip dhe Ohër, 8 në Shkup–Petrovec, Tetovë dhe Kumanovë, 9 në Demir Kapi dhe Gjevgjeli, informojnë nga DPHM-ja.
Strazburg - Mesazhi ynë për botën është që të mos e nënvlerësojë fuqinë, vendosmërinë dhe gatishmërinë e Evropës për të vepruar, deklaroi kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, sot gjatë hapjes së takimit vjetor të ambasadorëve të BE-së në Bruksel. Presidentët e Komisionit Evropian dhe të Këshillit Evropian, Ursula fon der Lajen dhe Antonio Koshta, si dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, gjithashtu do t’u drejtohen pjesëmarrësve sot dhe nesër.
Londër - Grupi i shtatë demokracive kryesore industriale (G7) do të mbajë sot një takim urgjent mbi rritjen e çmimeve të naftës, pasi ato tejkaluan 100 dollarë për fuçi dhe tregjet globale të aksioneve ranë për shkak të përshkallëzimit të luftës midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Ministrat e financave nga vendet kryesore të industrializuara do të takohen këtë pasdite për të diskutuar pasojat ekonomike të konfliktit.
Londër - Tregjet botërore të aksioneve po shënojnë një rënie të ndjeshme, ndërsa çmimi i naftës tejkaloi 100 dollarë për fuçi, për shkak të frikës se përshkallëzimi i luftës midis SHBA-së dhe Izraelit me Iranin në afatgjatë mund të prishë transportin e energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit. Irani dje emëroi Moxhtaba Hamnein si pasardhës të babait të tij Ali Hamnei si lider suprem, gjë që, sipas analistëve tregon se rryma e vijës së ashpër në vend mbetet në pushtet një javë pas fillimit të konfliktit.
Kajro - Departamenti amerikan i Shtetit u ka dhënë urdhër diplomatëve që nuk kryejnë funksione urgjente që të largohen nga Arabia Saudite për shkak të rreziqeve të sigurisë, njofton Ambasada amerikane në Riad. "Më 8 mars 2026, Departamenti i Shtetit urdhëroi punonjësit jothelbësorë të qeverisë amerikane dhe anëtarët e familjeve të tyre të largohen nga Arabia Saudite për shkak të rreziqeve të sigurisë”, thuhet në deklaratë të hënën.
Manama - Tridhjetë e dy civilë janë plagosur në një sulm iranian me dron në ishullin Sitra, në jug të kryeqytetit të Bahreinit, Manama, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e vendit, raportoi DPA. Të gjithë të plagosurit ishin qytetarë të Bahreinit, saktësoi ministria në një komunikatë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve. Midis të plagosurve ka fëmijë, kurse katër janë në gjendje të rëndë.
Uashington - Presidenti i SHBA-së, Doanld Tramp, u shpreh në rrjetin social Truth Social pasi çmimet globale të naftës u rritën mbi 100 dollarë për fuçi, si rezultat i luftës që SHBA-ja dhe Izraeli e zhvillojnë kundër Iranit që nga java e kaluar. Si gjithmonë, Trampi minimizoi efektet negative të luftës, duke thënë se madje edhe me rritjen e çmimit, "i'a vlente".
Lisbonë - Benfika dhe Porto luajtën baras 2-2 mbrëmë në raundin e 25-të të Premier ligës portugeze. Ndeshja u luajt në "Estadio da Luzh" në Lisbonë. Viktor Frohold dhe Oskar Pjetushevski shënuan golat për mysafirët në pjesën e parë, ndërsa Andreas Shjelderup dhe Leandro Bareiro shënuan golat për vendasit në pjesën e dytë. Në minutën e 90+1, trajneri i Benfikës, Zhoze Morinjo dhe mbrojtësi rezervë, Nikolas Otamendi morën kartonë të kuq për sjellje josportive.
Barcelonë - Ish trajneri i Barcelonës, Çavi ka folur për rikthimin e dështuar të Lionel Mesit në klub pas Kupës së Botës 2022. "Rikthimi i Mesit në Barcelonë pas Kupës së Botës 2022 ishte një punë e kryer. Leo e donte atë, ne kishim leje nga La liga. Por Laporta (Zhoan Laporta, president i Barcelonës nga viti 2003 deri në vitin 2010 dhe nga viti 2021 deri në vitin 2026) e ndaloi transferimin... Ai tha se nëse Mesi do të kthehej do të kishte një luftë për paga. Mesi nuk do të kthehet kurrë në Barcelonë, vetëm sepse Laporta nuk e donte këtë", tha Çavi për "La Vanguardia".