15:00 / 10 mars / 2026
Shkup - Maqedonia është vendi me çmimin më të ulët të naftës deri më tani dhe për momentin nuk ka rrezik për mungesë. Qeveria vazhdon të monitorojë situatën dhe nuk sheh nevojë të shpallë gjendje krize, theksoi sot kryeministri Hristijan Mickoski.Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve se çfarë masash do të merren për të stabilizuar çmimin e derivateve të naftës, pasi inspektoi ndërtimin e një stacioni pastrimi në vendbanimin Kuçevishka Bara, Komuna e Çuçer Sandevës, ai bëri një krahasim me çmimet e karburantit dizel me vendet fqinje. Pas nivelimit të çmimit të djeshëm nga Komisioni Rregullator i Energjetikës, ai shpjegoi se një litër naftë kushton 1,39 euro, në Shqipërinë fqinje është 1,79 euro, që është rreth 30 për qind më e shtrenjtë, në Serbi çmimi është 1,73 euro ose 25 për qind më i lartë se në Maqedoni. Në Kosovë çmimi ndryshon, por, sipas kryeministrit, ai arrin në 1,51 euro, që është rreth 10 për qind më i shtrenjtë se këtu. Në Greqi është 1,59 euro ose 15 për qind më i lartë, ndërsa në Bullgari është 1,41 euro.
Shkup – Qeveria sot në mbledhje do të marrë vendim për prokurorin e ri shtetëror publik, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve. “Sot do të kemi mbledhje të Qeverisë, dhe në atë mbledhje publiku do ta dijë cili do të jetë emri i prokurorit ose prokurores së ardhshme publike, kështu që do të dorëzohet në Parlament”, deklaroi Mickoski pas mbikëqyrjes në ndërtimin e stacionit filtrues në vendbanimin Kuçevishka Bara, Komuna Çuçer Sandevë. Pesë kandidatë janë paraqitur në konkursin e Kuvendit për prokuror publik – ushtruesja e tanishme e detyrës prokurore shtetërore publike, Anita Topollova – Isajllovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjykatësi nga Gjykata Penale, Nenad Savevski, ish kryetari i Gjykatës Penale, Vlladimir Pançevski dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.
Shkup – Nuk është konstatuar fshehje e rezervave të karburanteve, treguan kontrollet e Inspektoratit të Tregut të zbatuara gjatë tri deri katër ditëve të kaluara. Drejtori i Inspektoratit të Tregut, Vllatko Stojkoski deklaroi sot se janë kryer mbi 300 mbikëqyrje inspektuese, ndërsa te një pjesë e stacioneve të benzinave është vazhduar mbikëqyrja inspektuese. “Nuk është konstatuar se ka pasur ndonjë fshehje të rezervave të karburanteve, megjithatë, është vërejtur se rreth 30 stacione benzine kanë shpenzuar rezervat e tyre, kanë ndaluar së mbushuri, por pas një ose dy orësh, ndoshta edhe katër orësh, pas mbushjes së rezervuarëve, ato vazhdojnë të mbushin me karburant. Kjo ka qenë situata në këto tri ose katër ditë”, deklaroi Stojkoski, i cili sot, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, po merr pjesë në ngjarjen "Harmonizimi dhe konkurrenca e ndershme shkojnë së bashku".
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse Qeveria po e ndjek situatën me inflacionin dhe cili është qëndrimi i tij për zhvillimet aktuale, deklaroi se inflacioni ka rënë nën tre për qind dhe se duhet të bëhet gjithçka për të ruajtur stabilitetin e çmimeve. “Gjatë ditës së djeshme Enti Shtetëror i Statistikës i Maqedonisë së Veriut publikoi shpenzimet e jetesës për muajin shkurt 2026. Unë këtë e kam paralajmëruar disa herë në deklaratat e mia, por ja që dje u konfirmua se inflacioni ka rënë nën 3 për qind, përkatësisht është 2,9 për qind. Dhe përsëri është më i ulëti në rajon, do të thosha ndër më të ulëtit, nëse merret parasysh se në Greqi është 3 për qind, në Bullgari është 3,5 për qind, në Kosovë, të themi për muajin janar, për shkurt nuk ka të dhëna, është 5,8 për qind, në Kroaci tashmë ka shkuar mbi 3,8 për qind, në Sllovaki është 4 për qind, ndërsa në Rumani është 9 e ca për qind. Kështu që të gjitha ato politika për të cilat kërkuam durim, ngadalë por me siguri po japin rezultat", tha Mickoski pas mbykëqyrjes së ndërtimit të stacionit të pastrimit në vendbanimin Kuçevishka Bara, Komuna e Çuçer Sandevës.
Shkup – Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) sot njëzëri morën vendim të nisin procedura ndaj 234 këshilltarëve të zgjedhur në komunat e vendit, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për dorëzimin e deklaratës për gjendjen e pasurisë dhe interesave brenda afatit të përcaktuar me ligj. Siç shpjegoi kryetari i Komisionit, Adem Çuçuli, analiza e evidencës elektronike ka treguar se rreth një e pesta e këshilltarëve në këshillat komunalë nuk e kanë dorëzuar deklaratën e detyrueshme, gjë që paraqet shkelje të dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit. Ai shtoi se në këtë numër nuk përfshihen këshilltarët nga Komuna e Kumanovës, për të cilët, siç theksoi, më parë është konstatuar mosrespektim i detyrimit dhe për të cilët tashmë janë lëshuar urdhëresa përkatëse kundërvajtëse.
Shkup - Dogana dhe Gjykata Administrative sot nënshkruan Memorandum bashkëpunimi me të cilin vendoset lidhje digjitale ndërmjet dy institucioneve dhe shkëmbim elektronik i dokumenteve në kuadër të kontesteve administrative. Me nënshkrimin e Memorandumit mundësohet lidhja e institucioneve përmes platformës softuerike EPUS, përmes së cilës do të kryhet dorëzimi elektronik dhe shkëmbimi i akteve gjyqësore dhe dokumenteve për kontestet administrative në të cilat Dogana paraqitet si palë në procedurë para Gjykatës Administrative. "Sistemi i ri mundëson krijimin e dosjeve elektronike për lëndët, si dhe dorëzimin elektronik të dokumenteve, gjë që do ta përshpejtojë ndjeshëm trajtimin e rasteve dhe do të kontribuojë në uljen e përdorimit të dokumentacionit në letër", njoftoi Drejtoria e Doganave.
Shkup - Elementi më i rëndësishëm në reformën e administratës publike është kapitali njerëzor, i cili nuk është vetëm një burim, por një kujtesë institucionale dhe fytyra e shtetit para qytetarëve, investimi në njohuri nuk duhet parë si kosto, por si investim kapital, i cili do t'i përforcojë institucionet, do ta përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve dhe do të kontribuojë në procesin eurointegrues të vendit, u theksua sot në hapjen e ngjarjes së Grupit tematik për menaxhim me burimet njerëzore dhe zhvillimin profesional (HRMPD), të quajtur "Ndërtimi i kapaciteteve të institucioneve për trajnim të nëpunësve publik", i organizuar nga Ministria e Administratës Publike, në bashkëpunim me Shkollën rajonale për administratë publike (ReSPA), Ambasadën e Francës dhe Qendrën për Menaxhim me Ndryshimet. Qëllimi i ngjarjes dyditëshe, në të cilën marrin pjesë mjekë dhe përfaqësues të lartë të institucioneve për trajnim të nëpunësve publik nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, është shkëmbimi i ideve për përforcimin e kapaciteteve institucionale, shkëmbimi i praktikave të mira dhe avancimi i sistemeve për zhvillim profesional në administratën publike në drejtim të hapjes së ardhshme të Akademisë për avancim profesional, si një organ i veçantë në përbërjen e Ministrisë së Administratës Publike, e cila do të fillojë me punë në fillim të vitit 2027.
Shkup – Kryeministri Hristijan Mickoski publikisht e dënoi atë që po ndodh me avokatin Toni Menkinoski, i cili mori vulë të zezë nga policia kufitare për hyrje në Bullgari deri në vitin 2036, duke vlerësuar se “ajo është porosi e keqe” dhe se “kjo ndikon drejtpërdrejtë ndaj imazhit të vetë Bashkimit Evropian, nëse nuk dënon sjelljen e tillë”. Mickoski, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve pas mbikëqyrjes në ndërtimin e stacionit filtrues në Kuçevishka Bara, deklaroi sot se ka biseduar në telefon me avokatin Toni Menkinoski dhe se në hollësi është njoftuar me atë që ka ndodhur. “Unë e dënoj publikisht atë që po ndodh. Është një porosi e keqe dhe një porosi e keqe për vetë Bashkimin Evropian dhe pres që disa nga vendet anëtare të BE-së ta dënojnë këtë sjellje të fqinjit tonë lindor sepse nuk do të jetë hera e parë që fqinji ynë lindor ka shkelur të drejtat e njeriut, e ka bërë këtë disa herë më parë, pasi nuk ka zbatuar vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg “, deklaroi Mickoski.
Shkup - Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme njofton se një pjesë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga Arabia Saudite, Kuvajti dhe Bahrein, pritet të kthehen nesër në vend. Përmes postimeve në faqen e Fejsbukut të Ministrisë, qytetarët e Maqedonisë informohen për kohën dhe vendin ku duhet të arrijnë, pas së cilës me një fluturim special do të kthehen në vend. MPJdheTJ i informon qytetarët e saj në Arabinë Saudite që nesër gjatë pasdites të jenë të pranishëm në aeroportin e Riadit.
Shkup - Sot me një fluturim nga Dubai u evakuuan 150 udhëtarë, nga të cilët 125 ishin shtetas të Maqedonisë, 11 shtetas të Kosovës, 7 të Serbisë, nga dy shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Shqipërisë, dhe nga një shtetas i Gjermanisë, Armenisë dhe Malit të Zi, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme. Aeroplani nga Dubai pritet të vijë në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup rreth orës 20:00 sipas kohës lokale. Në Emiratet e Bashkuara Arabe mbeten rreth 200 shtetas të Maqedonisë të cilët, siç thonë nga MPJTJ, fillimisht ishin paraqitur për evakuim, por sipas deklaratave të tyre në këtë moment nuk shprehin gatishmëri që ta realizojnë.
Prishtinë - Gjykata Kushtetuese e Kosovës mbrëmë vonë i urdhëroi presidentes Vjosa Osmani që të mos e publikojë datën e zgjedhjeve të parakohshme në vend para 31 marsit, një veprim që e zgjat më tej krizën politike që ka përfshirë shtetin ballkanik. Presidentja Osmani të premten e shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhje të parakohshme, pa caktuar një datë, pasi deputetët nuk arritën të zgjidhnin president të ri të shtetit brenda afatit kushtetues që skadoi të enjten në mesnatë. Veprimi i saj e zgjati bllokimin politik në Kosovë, vendin më të ri evropian që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Kosova nuk ka pasur një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pasi parlamenti i ndarë nuk ka arritur të zgjedhë një kryetar parlamenti për muaj të tërë.
Bruksel - Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta ka bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike për konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme dhe paralajmëroi se deri më tani fituesi i vetëm i luftës është Rusia. Duke folur në takimin vjetor të ambasadorëve të BE-së në Bruksel, Koshta tha se Bashkimi Evropian qëndron me popullin e Iranit. "Bashkimi Evropian qëndron me popullin e Iranit që ka vuajtur shumë. Ne mbështesim të drejtën e tyre për të jetuar në paqe dhe për të përcaktuar të ardhmen e tyre", tha ai.
Londër - Prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Lindjen e Mesme po e ulin në mënyrë plotësuese prodhimin, pasi Ngushtica kyçe e Hormuzit është pothuajse e paralizuar, gjë që e çrregullon tregun global energjetik. Blumberg, duke iu referuar burimeve anonime, raportoi se katër prodhuesit më të mëdhenj në rajon - Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti - kanë ulur prodhimin e tyre të përbashkët deri në 6,7 milionë fuçi në ditë, duke ulur furnizimin global me naftë me rreth gjashtë për qind. Arabia Saudite ka ulur prodhimin me dy deri në 2.5 milionë fuçi në ditë, Emiratet e Bashkuara Arabe për 500,000 deri në 800,000 fuçi në ditë, Kuvajti për rreth 500.000 fuçi në ditë, ndërsa Iraku ka ulur prodhimin për rreth 2.9 milionë fuçi në ditë.
Teheran – Autoritetet shëndetësore iraniane sot njoftuan se nëntë spitale në vend do të ndërpresin punën për shkak të sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit. Që nga fillimi i luftës janë dëmtuar edhe 18 reparte për raste urgjente, 25 qendra shëndetësore, ndërsa janë shkatërruar 14 autoambulanca, deklaroi anëtari i komisionit shëndetësor, deputeti Mohamed Xhamalian. Ai theksoi se Irani ka rezerva strategjike të ilaçeve për gjashtë muaj, ndërsa tashmë është regjistruar mungesë e disa ilaçeve. Xhamalian theksoi se janë pezulluar të gjitha procedurat jothelbësore, ndërsa fokusi i mjekimit është te të lënduarit në luftë dhe rastet urgjente.
Teheran - Forcat e armatosura iraniane njoftuan se kryen sulme me dronë ndaj rafinerive dhe depove të karburantit në qytetin Haifa, në Izraelin qendror, në përgjigje të "sulmeve ndaj objekteve të naftës në Iran", raportuan mediat iraniane. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë zbuluar një lëshim të ri rakete nga Irani, kumtoi shërbimi i tyre për shtyp. Ky është paralajmërimi i parë për raketa nga Irani që nga fillimi i ditës. Sulmi kishte për qëllim Izraelin qendror. Banorët e zonës më të dendur të populluar të vendit morën një paralajmërim urgjent në telefonat e tyre celularë për një sulm të mundshëm ajror dhe një alarm u dha në Tel Aviv dhe rrethinën e tij. U raportuan edhe shpërthime.
Jerusalem – Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi sot se Izraeli do të vazhdojë me agresionin ndaj Iranit, ndërsa kryetari i parlamentit iranian Mohamad Bager Kalibaf e hodhi poshtë çdo sugjerim se Teherani kërkon armëpushim. Netanjahu në takimin me përfaqësuesit e sektorit shëndetësor deklaroi se qëllimi i qeverisë është ta detyrojë popullin iranian që të çlirohet nga prangat e tiranisë. “Në fund gjithçka varet nga ata”, theksoi Netanjahu. Në ndërkohë Kalibafi mohoi se kërkon armëpushim.