• петок, 15 мај 2026

Zëvendëskryeministri Sali merr pjesë në panel diskutimin në Universitetin Nënë Tereza

Zëvendëskryeministri Sali merr pjesë në panel diskutimin në Universitetin Nënë Tereza

Shkup, 14 maj 2026 (MIA) - Zëvendëskryeministri i Parë, Bekim Sali, mori pjesë sot në panelin e diskutimit të organizuar në Universitetin Nënë Tereza me temë “Konsolidimi institucional dhe legjislacioni i arsimit të lartë”.

Sali, në fjalën e tij, siç njoftoi Kabineti i tij theksoi rëndësinë e konsolidimit institucional dhe forcimit të arsimit të lartë si shtyllë kyçe për zhvillimin e shoqërisë dhe perspektivën e të rinjve.

Ai nënvizoi se pengesat juridike me të cilat është përballur Universiteti Nënë Tereza tashmë janë tejkaluar, përfshirë edhe sfidat që lidhen me Statutin e Universitetit, duke hapur rrugë për zhvillim të mëtejshëm institucional, ngritje të cilësisë në arsim dhe forcim të rolit të universitetit në shoqëri.

"Angazhimi ynë si Qeveri mbetet i palëkundur për të mbështetur arsimin e lartë dhe zhvillimin e infrastrukturës arsimore e shkencore, për të krijuar kushte më të mira për studentët dhe stafin akademik, si dhe për të ndërtuar institucione të forta që kontribuojnë në zhvillimin e vendit dhe në perspektivën e të rinjve tanë", theksoi Sali.

Në panel-diskut8im morën pjesë përfaqësues institucionalë, profesorë universitarë dhe ekspertë të arsimit të lartë, të cilët diskutuan mbi sfidat dhe prioritetet për avancimin e sistemit universitar dhe forcimin e autonomisë institucionale. mb/

Foto: Kabineti i ministrit për Çështje Evropiane

Остани поврзан