• сабота, 16 мај 2026

Zelenski: Rusia nuk e respekton propozimin tona për armëpushim 

Zelenski: Rusia nuk e respekton propozimin tona për armëpushim 

Kiev, 7 maj 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski sot deklaroi se Rusia ende po e injoron armëpushimin e propozuar nga Kievi, duke shtuar se Ukraina do të rifillonte sulmet me rreze të gjatë veprimi nëse Rusia do të vazhdonte sulmet e saj. 

Zelenski propozoi një armëpushim që filloi më 6 maj, si përgjigje të propozimit të liderit rus Vlladimir Putin për një armëpushim nga 8 deri më 9 maj, ndërsa Moska përkujton fitoren në Luftën e Dytë Botërore.

Moska nuk ka konfirmuar se do t'i përmbahet propozimit të Kievit.

"Duhet të vendosim paqe, ndërsa jo të shkojmë në kryeqytetet botërore dhe të lutemi për një pushim më 9 maj. Ne kemi nevojë për paqe", tha Zelenski.

Presidenti ukrainas sot deklaroi se që nga fillimi i ditës, forcat ruse kanë kryer sulme ndaj Ukrainës me dronë, raketa dhe granata, si dhe sulme me rreze të shkurtër veprimi përgjatë vijës së frontit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zaharova, dje deklaroi se Rusia ka paralajmëruar misionet diplomatike të largohen nga Kievi në rast të një sulmi të mundshëm masiv nga Moska në përgjigje të përpjekjeve të Ukrainës për të prishur Ditën e Fitores.

"Këto kërcënime publike për sulm janë pjesë e taktikave të papërgjegjshme të përshkallëzimit të situatës nga ana e Rusisë”, deklaroi Anvar El-Anuni, një zëdhënës i zyrës së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian "nuk do ta ndryshojë qëndrimin ose praninë e tij" në Kiev, konfirmoi një zëdhënës sot, pavarësisht kërcënimeve nga Rusia.

Forcat ajrore ukrainase kumtuan se njësitë e tyre dje kishin rrëzuar 92 nga 102 dronë të lëshuar deri në orën 6 të pasdites sipas orës lokale. Rusia, megjithatë, sot kumtoi se mbrojtja e saj ajrore kishte shkatërruar 32 dronë që po lëviznin drejt Moskës që nga fillimi i ditës. rq/

Foto: Kabineti i Zelenskit

Остани поврзан