Zelenski për rezultatet nga samiti në Paris: Nuk do të heqim dorë nga vendi ynë dhe pavarësia
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski vlerësoi se samiti i djeshëm në mbështetje të Ukrainës në Paris ishte shumë "motivues" dhe tha se Ukraina nuk do të heqë dorë nga pavarësia e saj.

Paris, 28 mars 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski vlerësoi se samiti i djeshëm në mbështetje të Ukrainës në Paris ishte shumë "motivues" dhe tha se Ukraina nuk do të heqë dorë nga pavarësia e saj.
"Mendoj se samiti ishte shumë motivues...Mendoj se dialogu im me liderët është motivues. Mendoj se të gjithë liderët janë plot energji. Mendoj se liderët nuk po na braktisin, por do të mbështesin Ukrainën. Ky është një sinjal i keq për (presidentin rus Vlladimir) Putinin", tha Zelenski në konferencën për mediat pas takimit të liderëve për të mbështetur Ukrainën dhe sigurinë në Evropë, raporton Interfaksi ukrainas.
Ai tha se Ukraina është vend i fuqishëm e cila me të vërtet dëshiron paqe.
"Nuk do të dorëzohemi, nuk do të heqim dorë nga vendi ynë, pavarësia jonë. Putini thjesht nuk mund ta bëjë këtë me ne... Ne nuk jemi vetëm", theksoi Zelenski.
Ai theksoi se për të është e rëndësishme që Ukraina të jetë e fuqishme në bisedimet e paqes dhe se janë të nevojshëm, garancitë nga SHBA-ja se Rusia nuk do të fillojë luftë.
Sipas tij, këto garanci nuk duhet të varen nga ajo se kush ndodhet aktualisht në Shtëpinë e Bardhë. Zelenski shtoi se në takimin e djeshëm liderët e vendeve nga "Koalicioni i të përgatiturve" shprehën vendim unanim se nuk do të ketë heqje të asnjë sanksioni të vendosur ndaj Rusisë.
"Derisa kjo luftë të përfundojë me një paqe të drejtë, kjo nuk do të ndodhë. Ky është një sinjal nga vendet evropiane," theksoi ai, duke shtuar se Uashingtoni duhet të jetë "më i ashpër" ndaj Moskës.
“Ne me të vërtetë duam që presidenti amerikan Donald Tramp të jetë më i fortë se shefi i Kremlinit, Vladimir Putin”, tha ai, duke theksuar se kjo kërkon bashkëpunim me Shtëpinë e Bardhë, veçanërisht në nivelin e liderëve, diplomacisë zyrtare dhe “kanaleve" të tjera.
Zelenski u tha gazetarëve se nuk planifikon vizitë në SHBA në të ardhmen e afërt, pasi kjo çështje nuk është në rendin e ditës.
Ai vlerësoi se në tryezën e bisedimeve për t'i dhënë fund luftës, përveç Kievit, Evropa duhet të prezantohet nga disa vende.
"Evropa është shumë e madhe dhe duhet të ketë përfaqësim të qartë në këtë tryezë të bisedimeve. Sot të gjithë ramë dakord që Evropa do të përfaqësohet nga Franca dhe Britania e Madhe - (Emanuel) Makron dhe (Kir) Starmer. Ky është një qëndrim i përbashkët i të gjithë liderëve", tha ai. qa/
Foto: EPA