Zelenski me kritika të ashpra ndaj BE-së në Davos: Evropa pret udhëzime nga Trampi, në vend që të ndërmarrë veprime
- Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski i kritikoi ashpër liderët evropianë në Davos, duke i akuzuar se mendojnë vetëm për Grenlandën dhe presin udhëzime nga Donald Trampi, në vend që të ndërmarrin veprime për Ukrainën dhe kriza të tjera gjeopolitike.
Davos, 23 janar 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski i kritikoi ashpër liderët evropianë në Davos, duke i akuzuar se mendojnë vetëm për Grenlandën dhe presin udhëzime nga Donald Trampi, në vend që të ndërmarrin veprime për Ukrainën dhe kriza të tjera gjeopolitike.
Thirrja e presidentit ukrainas për veprim, drejtuar disa nga aleatëve kryesore të Kievit, erdhi në fund të një jave të shënuar me dramë diplomatike në Forumin Ekonomik Botëror, publikoi Guardian.
Në fjalimin në Forumin Ekonomik Botëror dje, ai tha se Evropa flet shumë, por vepron pak, duke e krahasuar sjelljen evropiane me komedinë “Dita e Pafund”, përkatësisht ripërsëritje e pafund e të njëjtave diskutime pa përparim konkret.
“Vetëm vitin e kaluar këtu në Davos, e përfundova fjalimin tim me fjalët: ‘Europa duhet të dijë si të mbrohet’ – ka kaluar një vit dhe asgjë nuk ka ndryshuar,” tha Zelenski, duke shtuar se “politikanët evropianë duket se përsëri presin që dikush tjetër t’i zgjidhë gjërat në vend të tyre.
Ai posaçërisht iu referua krizës rreth Grenlandës, e cila i la në hijë disa nga diskutimet e SEF gjatë ditëve të fundit dhe shtesë ka rritur nervozizmin tek aleatët evropian pas mesazheve të Trampit për aneksimin. Zelenski tha se është e qartë se shumë liderë kanë "ngecur" në këtë problem, duke mos e ditur si të reagojnë.
“Evropa mbetet në ‘rezhim të Grenlandës’: ndoshta dikush diku do të bëjë diçka,” tha ai, duke aluduar te ajo që e vlerësoi si “zakon i Evropës për t'u varur nga veprimet amerikane".
Më pas hapur iu referua atmosferës në të cilën Evropa shpreson se problemi do të kalojë vetë. “Të gjithë e kanë drejtuar vëmendjen te Grenlanda dhe është e qartë se shumica e liderëve nuk e dinë çfarë të bëjnë me këtë. Duket se të gjithë vetëm presin që Amerika të qetësohet për këtë çështje, duke shpresuar se do të kalojë. Por, çfarë nëse nuk kalon: çfarë pastaj?”, pyeti Zelenski.

Ai theksoi se nëse Evropa dëshiron të ndikojë tek miqtë dhe armiqtë, duhet të veprojë nga një pozicion fuqie. “Vetëm nga një pozicion fuqie Evropa mund të presë të ndikojë tek miqtë e supozuar si Trampi dhe armiqtë si Putin,” tha ai, duke paralajmëruar se kontinenti sot duket “bukur”, por i ndarë dhe i dobët.
“Europa mbetet një kaleidoskop i bukur, por i fragmentuar, i forcave të vogla dhe të mesme,” shtoi ai. Ai theksoi se, në vend që të marrë një rol udhëheqës në mbrojtjen e lirisë, veçanërisht kur fokusi i Amerikës po zhvendoset diku tjetër, Europa tani duket e humbur dhe e fokusuar në përpjekjen për ta bindur Trampin të ndryshojë mendje.
“Evropa duket e humbur, duke u përpjekur ta bindë presidentin amerikan të ndryshojë. Por ai nuk do të ndryshojë. Presidenti Tramp dëshiron atë që është dhe thotë se e do Evropën, por nuk do ta dëgjojë këtë Evropë,” tha Zelenski.
Në këtë kontekst, ai kritikoi edhe lëvizjet simbolike që, sipas tij, ofrohen si përgjigje ndaj trazirave gjeopolitike. Ai iu referua retorikisht idesë për dërgimin e një numri të vogël ushtarësh në Grenlandë. “Dërgimi i 14 ose 40 ushtarëve në Grenlandë – çfarë duhet të arrihet? Çfarë mesazhi i dërgon Putinit? Kinës? Dhe ndoshta, më e rëndësishmja, çfarë mesazhi i dërgon Danimarkës?”, tha ai.
Më pas, ai ofroi një vërejtje provokuese se Ukraina, me përvojën nga një luftë reale, do të dijë çfarë të bëjë në një situatë kërcënuese, madje edhe në Arktik. “Ne e dimë çfarë të bëjmë nëse anijet luftarake ruse i afrohen Grenlandës, Ukraina mund të ndihmojë në këtë. Ato mund të fundosin aty pranë Grenlandës ashtu siç bëjnë pranë Krimesë,” tha Zelenski.
Edhe pse kritikat ndaj Grenlandës ishin një metaforë e fuqishme, mesazhi i tij kryesor ishte se Evropa nuk duhet të humbasë fokusin nga Ukraina ndërsa situata e sigurisë përkeqësohet. Ai foli në një kohë kur Ukraina po kalon një dimër të vështirë, me sulme ruse ndaj infrastrukturës energjetike dhe civile, që kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike dhe ngrohje në Kiev dhe qytetet e tjera më të mëdha.
Ai paralajmëroi se kërcënimet ndaj Evropës janë ekzistenciale jo vetëm për Ukrainën, por edhe për NATO-n. “Kërcënimet ndaj Evropës janë ekzistenciale për NATO-n,” tha ai, duke i bërë thirrje kontinentit të krijojë një “forcë të armatosur të bashkuar” që do të ishte në gjendje ta mbrojë.
Ai veçanërisht e problematizoi mbështetjen mbi supozimin se SHBA-ja gjithmonë do të reagojë.
“Sot, Evropa mbështetet vetëm te besimi se nëse do të vijë rreziku, NATO do të reagojë. Por, askush nuk e ka parë aleancën në veprim. Nëse Putin vendos ta pushtojë Lituaninë ose ta sulmojë Poloninë, kush do të përgjigjet? Në këtë moment, NATO ekziston falë besimit se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë… por çfarë nëse nuk e bëjnë këtë?”, tha Zelenski. ls/
Foto: DPA/Printskrin "X"