Zaevi ngre padi për shpifje kundër Brane Petrushevskit dhe Zhan Mitrevit
- Ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në profilin e tij në Fejsbuk ka bërë të ditur se ka ngritur padi për shpifje dhe cenim të nderit dhe reputacionit kundër deputetit nga VMRO-DPMNE, Brane Petrushevski dhe dr. Zhan Mitrevit.
Strumicë, 25 shkurt 2026 (MIA) - Ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në profilin e tij në Fejsbuk ka bërë të ditur se ka ngritur padi për shpifje dhe cenim të nderit dhe reputacionit kundër deputetit nga VMRO-DPMNE, Brane Petrushevski dhe dr. Zhan Mitrevit.
"Janë ngritur paditë kundër Brane Petrushevskit dhe Zhan Mitrevit për shpifje dhe cenim të nderit dhe reputacionit. Nuk ka asnjë dilemë se gënjeshtrat e të dyve do të vërtetohen. Kompensimi nga paditë e marra do të shkojë për fëmijët pa prindër dhe personat me nevoja të veçanta", shkroi Zaevi në postim.
Në fotot e padive që ka publikuar Zaevi, nga të dy kërkon dëmshpërblim prej 500.000 denarë.

Në një postim në profilin e tij në Fejsbuk më datën 8 të këtij muaji, ish kryeministri përgënjeshtroi pretendimet e Petrushevskit dhe Mitrevit dhe u kërkoi atyre të kërkojnë falje brenda afatit të përcaktuar me ligj dhe nëse nuk e bëjnë këtë, "do të ngrejë padi dhe do të luftojë me të gjitha mjetet ligjore, siç shkroi, për ta hequr këtë njollë nga emri i tij".
Ndryshe, Zaevi e padit Petrushevskin sepse në një konferencë për shtyp e lidhi atë me sekuestrimin e 10 tonëve marihuanë në Strumicë, ndërsa dr. Mitrevin për pretendimet se ka ushtruar presion për ta blerë spitalin e tij.
Paditë janë ngritur në Gjykatën Themelore në Strumicë.
Foto: arkivi i MIA-s, printskrin