• сабота, 05 октомври 2024

Xixikostas, Fito dhe Zaharieva ndër kandidatët që rreshtohen "më mirë" për eurokomisarë

Xixikostas, Fito dhe Zaharieva ndër kandidatët që rreshtohen

Bruksel, 4 tetor 2024 (MIA) - Greku Apostolos Xixikostas, italiani Rafaele Fito dhe bullgarja Ekatarina Zaharieva kanë paraqitur pasurinë më të madhe në deklaratat e gjendjes pronësore që kandidatët për Komisionin e ri Evropian dorëzuan në Komitetin e çështjeve ligjore të Parlamentit Evropian të cilat u zbuluan në publik.

Bazuar në këto deklarata, anëtarët e Komisionit të çështjeve ligjore (JURI) duhet të vlerësojnë nëse ndonjë nga komisarët evropianë të propozuar mund të ketë një konflikt të mundshëm interesi në lidhje me pronësinë ose lidhjet e tyre profesionale dhe private.

Sipas deklaratave të dorëzuara, kandidati për eurokomisar për transportin dhe turizmin, guvernatori aktual i rajonit grek të Maqedonisë qendrore, Apostolos Xixikostas, raportoi listën më mbresëlënëse të pronave nga e cila rezulton se ai disponon pjesërisht ose plotësisht 16 apartamente, tokë me sipërfaqe 655,463 metra katrorë, gjashtë dyqane dhe disa garazhe e magazina në të gjithë Greqinë. Ai, gjithashtu posedon aksione me vlerë prej mbi 200 mijë euro në biznese të ndryshme – nga fabrika e qumështit në impiantin fotovoltaik dhe për fermat e tij ka marrë më shumë se 18 mijë euro fonde nga fondet evropiane bujqësore. Ndryshe, familja e Xixikostas është ndër pronarët më të mëdhenj në Greqi dhe ndër më të pasurit në pjesën veriore të vendit. Duke pasur parasysh se Xixikostas është edhe në krye të sektorit të turizmit, siç thekson “Politiko”, ka mundësi që disa nga vendimet e tij të ndikojnë në vlerën e pronave të tij.

Ministri italian i Çështjeve evropiane dhe politikës së kohezionit, Rafaele Fito i cili është kandidat për zëvendëskryetar të KE-së, përgjegjës për kohezionin dhe reformat dhe eurokomisar për politikat e kohezionit posedon shtatë apartamente dhe ka një pjesë në pronësinë e tre të tjerëve. Në të gjithë Italinë ka edhe tokë, dy garazhe, një bodrum, si dhe 15 për qind të pronësisë së një farmacie në Brindizi, vlera e së cilës, sipas tij, është rreth 150.000 euro.

Ish ministrja në disa qeveri bullgare dhe kandidatja për eurokomisare për hulumtim dhe inovacion, Ekaterina Zaharieva posedon tokë dhe dy shtëpi në Bullgari, apartament në Sofje, si dhe një shtëpi pushimi në gadishullin grek të Halkidikit në një truall prej 6,850. metra katrorë.

Ish ambasadorja sllovene në Gjermani dhe Zvicër dhe kandidatja për eurokomisare për zgjerim, Marta Kos, raportoi kursime prej rreth një milion eurosh. Por ajo që tërheq vëmendjen në deklaratën e saj është puna e saj si këshilltare në shtëpinë e lobimit të Brukselit “Kreb”, ndërsa ajo kishte firmën e saj lobuese në Zvicër e cila ofronte shërbime lobimi edhe për Federatën Evropiane të Futbollit UEFA. Për më tepër, bashkëshorti i saj Anri Getaz është ish sekretar i përgjithshëm i Shoqatës evropiane të tregtisë së lirë (EFTA).

Kandidatja për eurokomisare për shërbimet financiare, kursimet dhe investimet, María Luish Albukerke e cila është një ish-ministre portugeze e financave, por gjithashtu mban poste ekzekutive në disa grupe financiare private, ka raportuar një pjesë në pronësinë e disa kompanive. Megjithatë, siç thekson “Politiko” në deklaratë, ajo nuk ka dhënë detaje shtesë për strukturën e pronësisë apo të ardhurat e kompanisë konsulente “Roundatmosfer” e cila është në pronësi të saj dhe bashkëshortit të saj. Kompania vitin e kaluar ka realizuar të ardhura prej 170 mijë dollarë, ndërsa në vitin 2022 do të jetë 132.000 dollarë.

Eurokomisari aktual për tregti dhe kandidati për eurokomisar për ekonominë, produktivitetin, zbatimin, letonezi Valdis Dombrovskis ka dorëzuar një deklaratë pothuajse boshe me arsyetimin se tash e dhjetë vite është anëtarë në Komisionin Evropian dhe nuk ka mbetur asgjë që ai nuk ka raportuar deri më tani.

Në bazë të verifikimit të deklaratave të dorëzuara, Komisioni për çështje ligjore të PE-së mund të refuzojë çdo emërim të një kandidati për eurokomisar nëse konstaton se ai ka konflikt interesi. Vlerësimi zyrtar i deklaratave nisi dje, pasi tre ditë më parë anëtarët e JURI-t morën për inspektim deklaratat e kandidatëve për eurokomisar. 

Sipas drejtorit të Transparens Interneshënëll për BE-në, Nikolas Ajosa i gjithë procesi i vlerësimit të deklaratave është thellësisht i mangët, i mungon transparenca dhe është i pamundur verifikimi i tij. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

vranec_world_day_2024_300x250

Остани поврзан