VLEN: Nisim procedurat për realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës “Mit’hat Frashëri”
- Si këshilltarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, sot kemi kënaqësinë të ndajmë me JU (qytetarët e Çairit) një lajm të mirë dhe të rëndësishëm. Në bashkëpunim me Komunën e Çairit, po nisim procedurat për realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës “Mit’hat Frashëri”, një projekt i shumëpritur që do të sjellë ndryshim të dukshëm në këtë pjesë të qytetit.
Shkup, 11 mars 2026
Si këshilltarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit, sot kemi kënaqësinë të ndajmë me JU (qytetarët e Çairit) një lajm të mirë dhe të rëndësishëm. Në bashkëpunim me Komunën e Çairit, po nisim procedurat për realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës “Mit’hat Frashëri”, një projekt i shumëpritur që do të sjellë ndryshim të dukshëm në këtë pjesë të qytetit.
Ky projekt parashikon ndërtimin e segmentit rrugor që fillon nga kryqëzimi i rrugës “Xhon Kenedi” me rrugën “Mit’hat Frashëri” deri te kryqëzimi i rrugës “Bosna dhe Hercegovina” me rrugën “Mit’hat Frashëri”, në një gjatësi prej rreth 1.400 metrash.
Bëhet fjalë për një rrugë moderne me gjerësi prej 22 deri në 25 metra, e projektuar për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve dhe zhvillimit urban të kësaj pjese të qytetit. Rruga do të përbëhet nga katër korsi për qarkullimin e automjeteve me gjerësi prej 3 metrash secila, përkatësisht dy korsi në secilin drejtim.
Në pjesën qendrore do të ndërtohet një brez i gjelbër me gjerësi prej 2 metrash, i cili do të kontribuojë për siguri më të madhe në komunikacion dhe njëkohësisht do t’i japë kësaj zone një pamje më të rregulluar dhe më urbane.
Projekti parasheh gjithashtu shtigje për biçikleta me gjerësi prej 2 metrash në të dy drejtimet, si dhe trotuare me gjerësi prej 2 deri në 2,5 metra për të garantuar lëvizje më të sigurt dhe më komode për këmbësorët.
Në kuadër të këtij projekti janë paraparë edhe zgjerime për stacionet e autobusëve në të dy anët e rrugës, me qëllim përmirësimin e transportit publik dhe rritjen e funksionalitetit të kësaj arterie të rëndësishme rrugore.
Ky projekt flet qartë për drejtimin që po merr Çairi, më shumë rregull, më shumë lëvizshmëri, më shumë siguri dhe më shumë kushte të denja për qytetarët. Rruga “Mit’hat Frashëri” është një punë konkrete që do ta lehtësojë jetën e përditshme dhe do t’i japë kësaj zone një pamje krejt tjetër.
Ne do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, me punë që shihen në terren dhe me vendime që kthehen në rezultate. VLEN do të vazhdojë të jetë zëri i projekteve, i punëve të kryera dhe i lajmeve të mira për qytetarët në çdo pjesë të komunës.
VLEN