VLEN bashkohet në një subjekt politik
- Koalicioni VLEN sonte u bashkua në një subjekt politik të vetëm në Kongresin në Shkup nën praninë e 850 delegatëve.
Shkup, 9 maj 2026 (MIA) - Koalicioni VLEN sonte u bashkua në një subjekt politik të vetëm në Kongresin në Shkup nën praninë e 850 delegatëve.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti gjatë fjalës së tij tha se ka momente në histori kur politika pushon së qeni garë dhe kthehet në domosdoshmëri. Sipas tij, janë këto momente kur koha kërkon jo vetëm ndryshim, por bashkim. Jo shumë zëra, por një zë që e di ku shkon dhe pse shkon.
“Në ato çaste lind nevoja për një drejtim të ri. Për një rrugë që nuk kalon nga frika, por nga një vullnet i pathyeshëm për ta çliruar vendin nga politika sunduese dhe përçarëse. Dhe, VLEN-i lindi pikërisht në një kohë të tillë. Lindi nga një thirrje që nuk vinte nga nëntavolinat e parapolitikës, por nga rrugët, nga shtëpitë, nga heshtja e gjatë e qytetarëve që prisnin më shumë. Sepse kishte ardhur një pikë kur heshtja e qytetarëve ishte bërë më e rëndë se zhurma e politikës”, tha Mexhiti.
Sipas tij, forca të ndryshme u bashkuan, me histori të ndryshme e me përvoja që shpesh kishin ecur në drejtime të kundërta.
“Megjithatë, në atë çast, megjithëse dallimet nuk u zhdukën, ato forca u rreshtuan pas një qëllimi më të madh: t’i japim fund një epoke të gjatë stagnimi dhe ta hapim një kapitull të ri për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ky nuk ishte një bashkim i lehtë, por ishte një bashkim i domosdomdoshëm. Sepse pas nesh ishte një kapitull i gjatë e i rëndë, me institucione të rënduara nga skandalet, me zyra ku luhej futboll e me raste të montuara politike, ku drejtësia përdorej si armë për të qëruar hesape dhe për ta heshtur kundërshtarin. Një kapitull i tillë kërkonte një fund. Ndërsa çdo fund i tillë kërkon guxim. Prandaj erdhi edhe ky bashkim”, ka thënë Mexhiti.

“Dy kryetarë do ta udhëheqin këtë parti. Jo si ndarje, por si balancë. Jo si kompromis, por si garanci se askush nuk është mbi vullnetin e përbashkët brenda VLEN-it. Dy kryetarë, si dy shtylla që mbajnë një hark. Jo për ta ndarë peshën, por për ta përballuar më mirë atë. Sepse, pesha e besimit të qytetarëve nuk është e lehtë. Sepse kjo është fryma e VLEN-it: një bashkim që nuk e shuan dallimin, por e kthen atë në forcë. Sepse barrën e besimit nuk e mban një njeri i vetëm, por e mban një frymë e tërë politike”, tha tai.
Sot, shtoi ai VLEN-i mban përgjegjësi në qeveri dhe në shumicën e komunave dhe se çdo vendim ka peshë.
“Qytetarët nuk duan shpjegime, por presin ndryshim të dukshëm në jetën e tyre. Sepse, për këtë na kanë votuar dhe na kanë besuar. VLEN-i është forcë politike e qendrës së djathtë, sepse besojmë në familjen si themel i shoqërisë, në ekonominë e lirë, në punën e ndershme dhe në shtetin që u shërben qytetarëve, e jo interesave të ngushta politike. Ne besojmë te iniciativa private, te zhvillimi ekonomik, te vlerat kombëtare dhe te përgjegjësia institucionale”, ka theksuar Mexhiti.
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, në fjalimin e tij gjatë Kongresit të parë të partisë, tha se VLEN-i nuk është vetëm bashkim partish, por një tjetër kulturë e politikbërjes.
Kasami theksoi se shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat. Ai në fjalimin e tij tregoi se çfarë përfaqëson VLEN-i dhe cilat do të jenë prioritetet e saj.
"VLEN nuk duhet të jetë thjesht bashkim partish. Nëse mbetet vetëm kaq, atëherë nuk kemi bërë asgjë. VLEN duhet të bëhet kulturë tjetër politike shqiptare. Më e qetë, serioze, më institucionale dhe e përgjegjshme ndaj qytetarit. Ne nuk kemi nevojë për politikë që jeton nga zënkat. Shqiptarët kanë nevojë për politikë që ndërton, planifikon dhe mendon më larg se një mandat. Prandaj është e rëndësishme të themi edhe se çfarë përfaqësojmë. Ne jemi parti e qendrës së djathtë. Dhe këtë nuk e themi si diçka që tingëllon mirë në letër. E themi sepse besojmë në disa vlera shumë të qarta".

"Ne besojmë në familjen si vendin e parë ku njeriu mëson besimin, përgjegjësinë dhe dashurinë për tjetrin. Besojmë te puna e ndershme, te njeriu që ngrihet herët për ta mbajtur familjen e vet, te sipërmarrësi që rrezikon, krijon dhe nuk pret gjithçka nga shteti. Besojmë në identitetin tonë, në gjuhën, në kulturën, në besimin dhe në ato vlera shpirtërore që na kanë mbajtur bashkë edhe në kohët kur kemi pasur pak mundësi, por shumë dinjitet. Por po ashtu besojmë edhe në një shtet modern. Në institucione që funksionojnë. Në administratë profesionale. Në drejtësi që është e barabartë për të gjithë, jo nënë për dikë e njerkë për dikë tjetër", tha Kasami.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Çështje evropiane, Bekim Sali, në fjalën e tij në Kongresin e parë të VLEN-it theksoi se bashkimi i këtij subjekti përçon një mesazh të qartë për unitet dhe orientim euroatlantik.
Duke rikujtuar protestat e para 10 viteve në Shkup “Për Dinjitet, Drejtësi dhe Demokraci”, Sali tha se sot, në Ditën e Evropës, ky bashkim dëshmon drejtimin politik dhe qytetërimor të VLEN-it.
“Për gjithçka mund të kemi alternativë, por integrimi europian është orientim pa alternativë. Ky është një udhëtim që ndërtohet me institucione kredibile dhe përgjegjësi të përditshme ndaj qytetarëve”, u shpreh Sali.
Ai theksoi se VLEN po ndërtohet si një strukturë serioze politike, me organizim në terren, forume rinore dhe të grave, si dhe me përfshirjen e profesionistëve, duke synuar të jetë pranë qytetarëve kudo.
Sali vuri theks të veçantë te të rinjtë dhe gratë, duke theksuar nevojën për krijimin e mundësive që ata të ndërtojnë të ardhmen në vend, si dhe rëndësinë e fuqizimit të komunave përmes decentralizimit.
Koordinatori i grupit parlamentar të deputetëve të VLEN-it, Bekim Qoku, në fjalën e tij në Kongresin e parë të VLEN-it theksoi se ky organizim shënon një kthesë të madhe në skenën politike shqiptare në Maqedonia e Veriut.
Qoku deklaroi se bashkimi i pesë subjekteve politike në një parti të vetme përfaqëson fillimin e një epoke të re, duke nënvizuar se VLEN tashmë ka krijuar një identitet të qartë dhe një bazë të gjerë mbështetjeje.
Deputetja e VLEN-it, Mimoza Musa, theksoi se ky organizim politik përfaqëson më shumë se një bashkim formal, duke e cilësuar si një përgjigje ndaj nevojës së qytetarëve për një politikë ndryshe.
“VLEN nuk duhet parë vetëm si rezultat i një marrëveshjeje mes partive. Është përgjigje ndaj një nevoje të kahershme për një subjekt serioz dhe vizionar, që e kupton se përgjegjësia ndaj qytetarit nuk fillon e nuk mbaron ditën e zgjedhjeve”, u shpreh Musa.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pjesëmarrës në Kongres, tha se është kënaqësi e veçantë siç tha “të gjendem në mesin tuaj në një moment me peshë të veçantë politike dhe shoqërore të themelimit të VLEN”.
“Ne jemi mësuar që në politikë shumë shpesh të shohim ndarje, copëtime politike në formacione të reja. Prandaj është shumë më e rrallë dhe domethënëse kur disa subjekte të ndryshme arrijnë vullnetin, vizionin dhe pjekurinë për t’u bashkuar në një trup të vetëm politik. Kjo përveç dëshmon përgjegjësinë politike përbën një model të ri bashkëpunimi për organizmin politike që veprojnë në rajon”, tha Kurti.
Sipas tij, ky Konges ka një simbolikë të vetme pikërisht se mbahet më 9 maj, në ditën e Evropës.
“Është kujtesë se Evropa moderne u ndërtua mbi rrënojat e fashizmit, supremacisë dhe luftërave. BE lindi si një projekt i paqes përmes antifashizmit dhe prosperitetit përmes demokracisë. Kjo ka rëndësi të veçantë për Ballkanin”, tha ai.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Luçiano Boçi, i pranishëm në Kongresin e parë të VLEN-it, e ka cilësuar bashkimin e këtij koalicioni në një parti si një moment me rëndësi të veçantë politike për shqiptarët në rajon.
Ai përcolli gjithashtu përshëndetjet e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili uroi suksese për punimet e kongresit dhe për misionin politik të VLEN-it në përfaqësimin me dinjitet, kurajo dhe vizion të shqiptarëve.
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka dërguar një mesazh mbështetjeje në Kongresin e parë të bashkimit të koalicionit VLEN tashmë në një parti politike duke theksuar rëndësinë e bashkimit politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Ky fillim i një kapitulli të ri të organizimit politik që po e materializoni sot është vlerë e shtuar në politikë dhe një model për organizimin e forcave politike shqiptare kudo që ato janë pakicë”, u shpreh Sinani.
Foto: printskrin