Vjosa Osmani: Sulmet hibride paraqesin sfidë të vërtetë për stabilitetin kombëtar
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi sot se sulmet hibride paraqesin sfidë të vërtetë për stabilitetin kombëtar.
Prishtinë, 30 janar 2025 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerësoi sot se sulmet hibride paraqesin sfidë të vërtetë për stabilitetin kombëtar.
Në konferencën e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes me temën e qëndrueshmërisë kombëtare dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, ajo tha se zhvillimi i Forcave të sigurisë së Kosovës “mbetet prioritet strategjik dhe kombëtar”.
"Sulmet hibride, të cilat përfshijnë operacione të kombinuara kibernetike, ushtarake, ekonomike dhe informative, apo dezinformim në këtë rast, paraqesin një sfidë reale për stabilitetin tonë kombëtar”, ka thënë Osmani.
Ajo deklaroi se zhvillimi i Forcave të sigurisë së Kosovës “sipas standardeve më të larta të NATO-s, mbetet prioritet strategjik dhe kombëtar”.
Vlerëson se investimi në armatim dhe personelin ushtarak është e një rëndësie jetike, si dhe investimi në institucione tjera të sigurisë.
“Vendi ynë duhet të investojë në përmirësimin e infrastrukturës kritike dhe zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, me theks të veçantë në sigurinë energjetike dhe mbrojtjen e sistemeve kritike”, ka thënë Osmani.
Foto: arkivi i MIA-s