Vazhdon masa për uljen e akcizave të derivateve të naftës, Qeveria pret ulje të çmimeve të shitjes me pakicë
- Qeveria, në mbledhjen e sotme, duke shqyrtuar gjendjen aktuale ekonomike dhe ndikimin e luhatjeve globale të çmimeve mbi tregun e brendshëm, mori vendim për vazhdimin e masës për uljen e akcizave të derivateve të naftës, me vlefshmëri deri më 4 maj. Me këtë vendim vazhdohet ulja e akcizës për dizelin prej 4 denarësh për litër, si dhe ulja e akcizës për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktan në prej 2 denarësh për litër. Kjo ndërhyrje ka efekt të drejtpërdrejtë fiskal dhe tregtar, i cili reflektohet në ulje të konsiderueshme të çmimeve me pakicë të karburanteve, duke zbutur presionin mbi shpenzimet e jetesës dhe duke amortizuar impulset inflacioniste.
Shkup, 18 prill 2026 (MIA) - Qeveria, në mbledhjen e sotme, duke shqyrtuar gjendjen aktuale ekonomike dhe ndikimin e luhatjeve globale të çmimeve mbi tregun e brendshëm, mori vendim për vazhdimin e masës për uljen e akcizave të derivateve të naftës, me vlefshmëri deri më 4 maj.
Me këtë vendim vazhdohet ulja e akcizës për dizelin prej 4 denarësh për litër, si dhe ulja e akcizës për benzinat pa plumb 95 dhe 98 oktan në prej 2 denarësh për litër. Kjo ndërhyrje ka efekt të drejtpërdrejtë fiskal dhe tregtar, i cili reflektohet në ulje të konsiderueshme të çmimeve me pakicë të karburanteve, duke zbutur presionin mbi shpenzimet e jetesës dhe duke amortizuar impulset inflacioniste.
"Me vazhdimin e kësaj mase, Qeveria demonstron qartë një qasje proaktive dhe të përgjegjshme në menaxhimin e krizës, ku prioritet mbetet mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik", thuhet në kumtesën qeveritare.
Gjithashtu, duke pasur parasysh efektet stabilizuese të masave të deritanishme dhe lëvizjet aktuale të çmimeve, Qeveria mori vendim për ndryshimin e Vendimit për zbatimin e normës preferenciale të tatimit mbi vlerën e shtuar. Sipas këtij ndryshimi, norma preferenciale prej 10% do të vazhdojë të zbatohet për benzinat, ndërsa për produktet e tjera kthehet norma e rregullt prej 18%.
"Kjo masë paraqet një qasje të balancuar me kujdes ndërmjet nevojës për mbështetje të targetuar për qytetarët dhe sigurimit të qëndrueshmërisë fiskale, ku Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar për monitorim të vazhdueshëm të gjendjes dhe ndërmarrje në kohë të politikave të adekuate ekonomike", ceket në kumtesën e mbledhjes së Qeverisë.
Sipas llogaritjeve tona, presim që Komisioni Rregullator për Energjetikë të marrë vendim me të cilin do të realizohet një ulje shtesë e çmimeve me pakicë të derivateve të naftës mesatarisht për rreth 1,5 denarë për litër.
"Njëkohësisht, mbetet në fuqi edhe mekanizmi i dakorduar paraprakisht me kompanitë e naftës, sipas të cilit sigurohet ulje shtesë prej 3 denarësh për litër për naftën dhe 2 denarësh për litër për benzinat. Me këtë arrihet një efekt kumulativ i uljes së çmimeve, i cili reflektohet drejtpërdrejt në uljen e shpenzimeve të transportit dhe në zbutjen e presioneve inflacioniste mbi ekonominë", ceket në kumtesën nga mbledhja e Qeverisë. ab/
Fotо: МIА arkivi