• вторник, 16 декември 2025

Universiteti i Tetovës ndau bursa për studentët ekselentë

Universiteti i Tetovës ndau bursa për studentët ekselentë

Shkup, 15 dhjetor 2025

Përmes një ceremonie solemne, Universiteti i Tetovës ndau bursa për studentët ekselentë të ciklit të parë të studimeve, aktivitet ky i cili u realizua në vigjilje të 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës. Në këtë aktivitet morën pjesë drejtuesit e universitetit, profesorë, studentë dhe familjarë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli i përgëzoi ekselentët për suksesin e tyre dhe theksoi se kjo rrugë e triumfit të tyre, nuk është e lehtë, është e shoqëruar me vështirësi, përkushtim, sakrificë dhe dilema.

“Jam i bindur se ata në çdo moment e kanë pasur dhe do ta kenë mbështetjen e stafit mësimdhënës, administratës, stafit menaxhues, që bashkërisht ëndrrat e tyre t’i realizojnë në mënyrë më të lehtë, më triumfuese dhe më të suksesshme, sepse mbi të gjitha kjo është edhe një nga vulat e suksesit të Universitetit të Tetovës, kushtuar 31-vjetorit të themelimit. Të nderuar prindër të studentëvë tanë, më lejoni të shfaq mirënjohjen për ju, për mbështetjen që ju u keni dhënë djemve dhe vajzave, të cilët njëkohësisht janë djemtë dhe vajzat e institucionit tonë që me përkushtim dhe punë afirmojnë në tërësi Universitetin e Tetovës. Duke i bashkuar forcat tona, prindër, studentë, staf menaxhues, administratë, profesorë dhe të gjithë bashkëpunëtorët e Universitetit të Tetovës ne arrijmë që të ngremë nivelin e cilësisë dhe përgatisim kuadro të cilët përkojnë me nevojat e ekonomisë së tregut, ushtrimit të profesionit të tyre, jemi të bindur se ata do të shkëlqejnë, ashtu si shkëlqejnë gati çdo ditë, çdo javë, çdo muaj me çmime të ndryshme”, tha rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Studentëve ekselentë, bursat ua ndanë Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati, Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektorja për Financa Prof. Dr. Aida Yzeiri - Baftijari, Prorektori për Arsim Prof. Dr. Ibraim Neziri dhe Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi.

Universiteti i Tetovës

_________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Foto: UT

Остани поврзан