Trampi mund të ndëshkojë me tarifa vendet që kundërshtojnë planet e tij për Grenlandën
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, sugjeroi sot se mund të vendosë tarifa për vendet që kundërshtojnë përpjekjen e tij për të fituar kontrollin e Grenlandës, duke përsëritur pretendimin e tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për ishullin për sigurinë e tyre kombëtare, transmetoi DPA.
Uashington, 16 janar 2026 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, sugjeroi sot se mund të vendosë tarifa për vendet që kundërshtojnë përpjekjen e tij për të fituar kontrollin e Grenlandës, duke përsëritur pretendimin e tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nevojë për ishullin për sigurinë e tyre kombëtare, transmetoi DPA.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trampi tha se tarifat mund të përdoren kundër vendeve që kundërshtojnë planet e tij, pa dhënë detaje të mëtejshme. Trampi më parë i ka kërcënuar vendet evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, me tarifa në mosmarrëveshje të tjera për të çuar përpara interesat e SHBA-së.
Vërejtjet e përsëritura të presidentit amerikan në lidhje me marrjen e kontrollit të ishullit Arktik kanë shkaktuar trazira të konsiderueshme brenda NATO-s. Aleatët evropianë e kundërshtojnë me forcë këtë veprim dhe tani po kërkojnë siguri më të fortë rreth Grenlandës, një territor kryesisht autonom që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.
Bisedimet e fundit për krizën midis ShBA-së, Danimarkës dhe Gronlandës nuk kanë arritur të zvogëlojnë diferencat. Tramp pohon se kontrolli amerikan ndaj Grenlandës është i nevojshëm për të parandaluar Rusinë dhe Kinën të zgjerojnë ndikimin e tyre në rajon.
Disa anëtarë evropianë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, po dërgojnë ekipe të vogla ushtarake në vend për të shqyrtuar aftësinë e NATO-s për të mbrojtur rajonin e Arktikut, si pjesë e një misioni zbulimi të udhëhequr nga Danimarka.
Qeveria amerikane fillimisht e minimizoi këtë vendosje. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit, dje deklaroi se lëvizjet e trupave evropiane nuk do të ndikojnë në vendimmarrjen e presidentit ose në qëllimin e tij për të siguruar kontrollin ndaj Grenlandës. ls/
Foto: DPA