Tramp thotë se asnjë përfaqësues amerikan nuk do të udhëtojë në samitin e G20 në Afrikën e Jugut
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se asnjë përfaqësues amerikan nuk do të udhëtojë në samitin e G20-ës në Afrikën e Jugut më vonë këtë muaj, duke deklaruar se afrikanët po “vriten dhe masakrohen”.
Uashington, 8 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se asnjë përfaqësues amerikan nuk do të udhëtojë në samitin e G20-ës në Afrikën e Jugut më vonë këtë muaj, duke deklaruar se afrikanët po “vriten dhe masakrohen”.
"Është një turp i plotë që G20 do të mbahet në Afrikën e Jugut. Afrikanët (pasardhësit e kolonëve holandezë, si dhe emigrantët francezë dhe gjermanë) po vriten dhe masakrohen, ndërsa tokat dhe fermat e tyre po konfiskohen ilegalisht. Asnjë përfaqësues i qeverisë amerikane nuk do të marrë pjesë për sa kohë që këto abuzime me të drejtat e njeriut vazhdojnë. Pres me padurim të organizoj G20 në vitin 2026 në Majami, Florida", shkroi Tramp në platformën e tij Truth Social.
Tramp tha më parë se zëvendëspresidenti i SHBA-së Xhej Di Vens do të udhëtonte për në Johanesburg për samitin e G20 me krerët e shteteve dhe qeverive. Tramp e la të hapur vendimin e tij personal nëse do të merrte pjesë në samitin e këtij viti, për shkak të mosmarrëveshjeve politike me organizatorin, raportoi DPA.
Afrika e Jugut mban këtë vit presidencën e Grupit të 20 vendeve kryesore të industrializuara dhe në zhvillim (G20). Grupi përfshin 19 vende, Bashkimin Evropian dhe Unionin Afrikan.
Në maj, gjatë një takimi në Zyrën Ovale, Tramp publikisht akuzoi presidentin e Afrikës së Jugut, Siril Ramafosa, për "gjenocid" kundër fermerëve të bardhë. Ekspertët dhe qeveria e Afrikës së Jugut mohojnë përshkrimin e një "gjenocidi të bardhë" të supozuar.
Më herët këtë vit, SHBA pranoi grupin e parë të afrikanojugorëve të bardhë dhe u dhanë atyre statusin e refugjatit. Në fillim të shkurtit, Tramp kishte ngrirë tashmë ndihmën për Afrikën e Jugut dhe në mars SHBA dëboi ambasadorin e Afrikës së Jugut. sa/