Tramp: Irani pranon të mos ketë armë bërthamore për më shumë se 20 vjet
- Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi mbrëmë se Irani ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore për më shumë se 20 vjet.
Uashington, 17 prill 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi mbrëmë se Irani ka rënë dakord të mos ketë armë bërthamore për më shumë se 20 vjet.
Trampi u tha gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë se marrëveshja me Iranin është "shumë afër" dhe se duhet të jetë një marrëveshje e mirë pa armë bërthamore, informon Bi-Bi-Si.
Ai theksoi se ekziston një "qëndrim shumë i fortë" se Irani nuk do të ketë armë bërthamore edhe pas kësaj periudhe, duke shtuar se në të vërtetë nuk ka një afat kohor prej 20 vjetësh.
"Të jemi të sinqertë, nuk ka një afat 20-vjeçar", theksoi Trampi.
Ai tha gjithashtu tha se do të merrte në konsideratë udhëtimin në Pakistan për të nënshkruar marrëveshje paqësore nëse SHBA dhe Irani arrijnë marrëveshje për t'i dhënë fund luftës.
“Do të shkoja në Pakistan, po. Nëse marrëveshja nënshkruhet në Islamabad, ndoshta do të shkoj. Ata duan që unë të shkoj”, tha Trampi.
Trampi theksoi të enjten se një raund i ri bisedimesh me Iranin mund të zhvillohet gjatë fundjavës dhe tha se nuk është i sigurt nëse nevojitet vazhdimi i armëpushimit.
Ai tha se Irani është i interesuar të arrijë marrëveshje dhe shtoi se është “i gatshëm të bëjë punë sot që nuk ishte i gatshëm t’i bënte dy muaj më parë”.
Në pyetjen se çfarë do të ndodhë nëse SHBA dhe Irani nuk arrijnë marrëveshje të përhershme, Trampi tha se sulmet ushtarake do të intensifikoheshin përsëri, thekson Si-En-En.
"Nëse nuk ka marrëveshje, luftimet vazhdojnë", përfundoi ai.
Foto: EPA