Toshkovski: Sistematizimi i ri në MPB do të ulë strukturën udhëheqëse mbi 30 për qind, pa parashenjë etnike dhe me kritere të qarta profesionale
- Sistematizimi i ri në MPB redukton në mënyrë dramatike strukturën udhëheqëse dhe e bazon atë në kritere profesionale, ndërsa jo etnike”, theksoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në fillimin e fushatës së OSBE-së për rritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet nga keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur, ndër të tjera, edhe me sistematizimin e ri të MPB-së dhe rastet e keqpërdorimit të pushimeve mjekësore.
Shkup, 24 mars 2026 (MIA) - Sistematizimi i ri në MPB redukton në mënyrë dramatike strukturën udhëheqëse dhe e bazon atë në kritere profesionale, ndërsa jo etnike”, theksoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në fillimin e fushatës së OSBE-së për rritjen e vetëdijes publike mbi rreziqet nga keqpërdorimi i armëve të vogla dhe të lehta, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur, ndër të tjera, edhe me sistematizimin e ri të MPB-së dhe rastet e keqpërdorimit të pushimeve mjekësore.
Toshkovski theksoi se sistematizimi i ri rrjedh nga ligjet e miratuara për punët e brendshme dhe për policinë, të cilat kërkojnë riorganizim në përputhje me rregullat e reja ligjore.
"Ndryshimi kryesor është zvogëlimi i ndjeshëm i numrit të pozicioneve udhëheqëse, shefave, zëvendësve dhe ndihmësve. Vlerësimet fillestare tregojnë se struktura udhëheqëse ulet mbi 30 për qind, mendoj se shifra e saktë është 37-38 për qind. Më nuk do të kemi funksione vetëm për të ekzistuar, por pozicione konkrete me përgjegjësi dhe standarde të qarta", theksoi ministri.
Ai theksoi se sistematizimi, ashtu si ligjet dhe aktet nënligjore, nuk ka karakter etnik, dhe se të gjithë ata që përmbushin kriteret e arsimit, përvojës, arritjeve dhe aftësive profesionale do të mund të konkurrojnë për pozicionet udhëheqëse
"Personalisht njoh një numër të madh profesionistësh shqiptarë, turq, romë, boshnjakë, sigurisht edhe maqedonas, të cilët mund të jenë pjesë e strukturës udhëheqëse të ardhshme. Jam i bindur se do të ketë përfaqësues nga të gjitha bashkësitë, të cilët përmbushin standardet profesionale", shtoi Toshkovski.
Në lidhje me pushimet mjekësore në MPB, Toshkovski tha se përqindja e pushimeve mjekësore në polici është shqetësuese dhe se hetimi vazhdon. Sipas kërkesës së tij, kontrolli i brendshëm në MPB ka hapur një hetim, ndërsa në proces është përfshirë edhe FSSH-ja.
Sipas ministrit, përgjegjësia për dhënien e pushimit mjeësor nuk është tek nënpunësit policor, por tek mjeku që e ka lëshuar atë, nëse nuk ka pasur bazë.
"Gjatë ditës së djeshme, nga ana e mediave edhe unë u njoha se Fondi ka konstatuar lëshime konkrete tek mjekët. Dhe jo tek njëri, por tek disa. Nga një përzgjedhje e rastësishme u përzgjodhën disa raste, ku sipas asaj që pashë, çdo i katërti ose çdo i pesti nga rastet e kontrolluara kishte tregues që kishte keqpërdorur pushimin mjekësor. Domethënë, kjo është katastrofë edhe si përqindje", theksoi Toshkovski.
Ai shtoi se hetimi i kontrollit të brendshëm është në zhvillim e sipër dhe do të përfundojë plotësisht. rq/
Foto: MIA