Toshkovski: MPB vepron pa seleksionim, njësoj ndaj të gjitha etnive dhe grupeve të tifozëve
- Me pyetje drejtuar funksionarëve qeveritarë, sot në shtëpinë ligjvënëse u mbajt seanca plenare e 86-të, me një pikë të vetme në rend dite – parashtrimi i pyetjeve parlamentare. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në përgjigje të një pyetjeje nga deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Diana Toska, lidhur me fyerjet nacionaliste të grupeve të tifozëve gjatë ndeshjeve sportive, vlerësoi se, po të ishte vepruar pa seleksionim në vitet e kaluara nga të gjitha institucionet kompetente për të konstatuar dhe reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj këtij lloji sfidash, sot nuk do të dëshmonim thirrje për urrejtje dhe dhunë ndëretnike.
Shkup, 26 shkurt 2026 (MIA) - Me pyetje drejtuar funksionarëve qeveritarë, sot në shtëpinë ligjvënëse u mbajt seanca plenare e 86-të, me një pikë të vetme në rend dite – parashtrimi i pyetjeve parlamentare. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në përgjigje të një pyetjeje nga deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Diana Toska, lidhur me fyerjet nacionaliste të grupeve të tifozëve gjatë ndeshjeve sportive, vlerësoi se, po të ishte vepruar pa seleksionim në vitet e kaluara nga të gjitha institucionet kompetente për të konstatuar dhe reaguar në mënyrë të përshtatshme ndaj këtij lloji sfidash, sot nuk do të dëshmonim thirrje për urrejtje dhe dhunë ndëretnike.
"Është ndjenjë e shëmtuar kur shikoni një ndeshje sportive dhe një grup tifozësh fyen një etni në Maqedoni dhe anasjelltas, kur një grup tjetër tifozësh fyen, mallkon, shan, pështyn e kështu me radhë; por sinqerisht më vjen shumë keq që gjatë 20 e më shumë viteve, ndërsa keni qenë pjesë e pushtetit, nuk keni bërë absolutisht asgjë që sot të mos e kishim sërish atë që nuk duam as ta shohim, as ta dëgjojmë, por që po ndodh, tha Toshkovski.
Deputetja e BDI-së, Toska, iu drejtua ministrit Toshkovski lidhur me, siç tha ajo, nxitjen e urrejtjes dhe dhunën në ndeshjet e futbollit, duke përmendur një incident të fundit ndërmjet grupeve të tifozëve të KF “Vardar” dhe KF “Bashkimi”, ku, sipas saj, ishin bërë thirrje anti-shqiptare, ndërsa Federata kishte shqiptuar dënim për KF “Vardar” – zhvillim të ndeshjes pa publik.
Sipas deputetes së BDI-së, dhuna dhe thirrjet e urrejtjes në ndeshjet e futbollit janë bërë praktikë në shtet dhe komuniteti shqiptar dhe klubet e tij janë fyer vazhdimisht; ndaj ajo kërkoi nga Toshkovski të ndërmarrë masa konkrete kundër fyerjeve nacionaliste në stadiume.

Nga ana tjetër, Toshkovski theksoi në përgjigje se MPB kishte vepruar pa seleksionim, njësoj ndaj të gjitha etnive dhe grupeve të tifozëve, dhe se procedurë penale ishte inicuar kundër kujtdo për të cilin ishin siguruar prova. Ai e ftoi deputeten e BDI-së të mbajë qëndrim të barabartë ndaj të gjitha etnive dhe grupeve të tifozëve, e jo, siç u shpreh, të jetë vetëm në mbrojtje të shqiptarëve
"Po të ishte reaguar në të kaluarën ndaj provokimeve, veprimeve të paligjshme, hedhjes dhe djegies së flamujve – qofshin ata maqedonas, shqiptarë, serbë e kështu me radhë – nga institucionet ashtu si reaguan institucionet tona vitin e kaluar, pa seleksionim; dhe po të kishit vepruar njësoj kur kishte ndeshje ku grupe të tjera tifozësh fyenin një etni në Maqedoni, ta kishit ngritur çështjen para të gjithëve këtu dhe të luftonit edhe për ta – edhe për maqedonasit, edhe për serbët, edhe për romët, edhe për vllehët, edhe për boshnjakët – ashtu si luftoni për shqiptarët, më besoni se sot nuk do të ishim ky shtet që jemi. Nuk shoh sinqeritet në qasjen tuaj, – theksoi Toshkovski.
Deputetja e BDI-së, Toska, i parashtroi pyetje edhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, lidhur me peticionin e studentëve të fakulteteve juridike, të cilët kërkojnë që provimin e jurisprudencës të mund ta japin në gjuhën shqipe. Toska vlerësoi se refuzimi për të lejuar dhënien e provimit në gjuhën shqipe përbën shkelje të Kushtetutës dhe të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të vitit 2018 dhe se kjo është “tendencë e vazhdueshme për minimizimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucione”.
Në përgjigje të pyetjes parlamentare, ministri i Drejtësisë Filkov theksoi se provimi i jurisprudencës është provim profesional, e jo procedurë administrative, prandaj për momentin nuk ekziston mundësia që ai të jepet në një gjuhë tjetër, përveç maqedonishtes.

Filkov nënvizoi se Komisioni i Venecias ka dhënë opinion negativ për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe se në Gjykatën Kushtetuese janë dorëzuar 13 iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.
"Për momentin nuk ekziston mundësia për dhënien e provimit në një gjuhë tjetër, përveç maqedonishtes, sepse provimi i jurisprudencës është provim profesional, nuk është procedurë administrative, dhe këtë ju e dini shumë mirë. Për më tepër, Komisioni i Venecias ka dhënë opinion negativ për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa aktualisht në Gjykatën Kushtetuese janë paraqitur 13 iniciativa për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë", theksoi Filkov.
Nga foltorja e Kuvendit, Filkov tregoi një vërtetim dygjuhësh të nënshkruar prej tij, me të cilin demonstroi se Ministria e Drejtësisë lëshon dokumente dygjuhëshe për këdo që i kërkon, duke theksuar se “koha e nacionalromantizmit ka përfunduar”.
"M’u desh pak kohë të kuptoj se nga buron kjo histeri, e cila në periudhën e fundit u prodhua nga disa parti politike, por pas asaj episode “Artani kthehet në shtëpi” – gjërat janë shumë më të qarta. A është dikush nacionalist apo jo, e dëshmon ky vërtetim, i cili është dygjuhësh dhe i nënshkruar prej meje, këtu poshtë majtas", tha Filkov.
Foto: printskrin