Toshkovski: Investojmë në kushte moderne për punën e policisë dhe shërbime më cilësore për qytetarët
- Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot kreu mbykëqyrje në aktivitetet ndërtimore të stacionit të ri policor në komunën e Aerodromit.
Shkup, 9 mars 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot kreu mbykëqyrje në aktivitetet ndërtimore të stacionit të ri policor në komunën e Aerodromit.
Stacioni i ri policor, i cili, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, paraqet një nga projektet më kapitale të infrastrukturës, është projektuar me një hyrje kryesore për qytetarët nga ana e bulevardit, për qasje më të lehtë dhe më praktike, si dhe një hyrje shtesë në pjesën e prapme për nevoja zyrtare. Objekti, siç informojnë nga MPB-ja, ka 36 vende parkimi dhe sisteme të kanalizimit atmosferik dhe fekal të pajisura plotësisht, ndërsa instalimet e tubacionit të gazit janë të mbrojtura sipas standardeve më të larta të sigurisë.
"Vazhdimisht po investojmë në përmirësimin e kushteve të punës së nënpunësve policorë dhe në modernizimin e shërbimeve që marrin qytetarët. Stacioni i ri policor në Aerodrom do të jetë një strukturë moderne e cila do të sigurojë organizim më të mirë të punës, një nivel më të lartë sigurie dhe shërbim më cilësor për qytetarë"t, theksoi Toshkovski.
Aktivitetet ndërtimore, vuri në dukje se po zhvillohen sipas dinamikës së planifikuar, ndërsa objekti pritet të përfundohet plotësisht deri në fund të majit.

"Fasada e objektit është pothuajse plotësisht e përfunduar dhe janë planifikuar tre hyrje kryesore - për shërbimet administrative, për shërbimet policore dhe një hyrje e veçantë për paraburgim. Pjesa e brendshme e objektit është e pajisur me hapësira moderne për punë, duke përfshirë dhe hapësira të pajisura posaçërisht për punë me fëmijë - viktima të dhunës, një depo të izoluar armësh, salla moderne takimesh në secilin kat, hapësira magazinimi, si dhe njëmbëdhjetë hapësira paraburgimi me dyer dhe dritare sigurie të posaçme", theksohet në kumtesën e MPB-së.
Në objekt, siç u theksua, është parashikuar edhe një hapësirë e veçantë për njohje, ndërsa është instaluar ngrohja nën dysheme. Instalimet elektrike dhe tubacionet kanë përfunduar tashmë, ndërsa faza përfundimtare e instalimit të dyshemeve dhe sistemit të ngrohjes është duke u zhvilluar.
Ndërtimi i objektit të ri, sipas MPB-së, është pjesë e procesit më të gjerë të përmirësimit të kushteve të punës së nënpunësve policorë, por edhe të cilësisë së shërbimeve që Ministria u ofron qytetarëve. Në kuadër të këtij procesi, në periudhën e kaluar u lëshua në funksion një stacion policor plotësisht i rinovuar në Butel, si dhe tetë zyra të reja administrative në të gjithë vendin. Midis tyre janë zyrat e reja për çështje civile të SPB Shkup në objektin e TVM-së, të cilat mundësojnë ofrimin më të shpejtë, më efikas dhe më të rehatshëm të shërbimeve për dokumente personale dhe nevoja të tjera administrative të qytetarëve. rq/
Foto: MPB