• сабота, 16 мај 2026

Toshkovski: Do të pasojnë rregulla ligjore më të rrepta për drejtimin e trotinetëve elektrikë dhe kontrolle të përforcuara për motoçiklistët e pakujdesshëm

Toshkovski: Do të pasojnë rregulla ligjore më të rrepta për drejtimin e trotinetëve elektrikë dhe kontrolle të përforcuara për motoçiklistët e pakujdesshëm

Shkup, 15 maj 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi sot se në të ardhmen do të ketë ndryshime ligjore që do të jenë më restriktive në lidhje me përdorimin e trotinetëve elektrikë.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në promovimin zyrtar të fushatës për trafik më të sigurt "Përgjegjësi me teknologjinë" nga "A1 Maqedoni" dhe Ministria e Brendshme, Toshkovski tha se për momentin nuk mund të thotë nëse do të ketë një kufi të moshës prej 16 ose 18 vjeç për ata që do të jenë në gjendje të përdorin trotinetët elektrikë.

Toshkovski tha se kjo është një nga shumë çështjet e nxehta, për të cilën ai ka folur me disa ambasadorë evropianë. Ai theksoi se për momentin mesatarja evropiane sa i përket numrit të viktimave është pothuajse 44 në milion banorë.

"Megjithatë, në periudhën e fundit, ka pasur një rritje të vdekshmërisë si pasojë e përdorimit jo të duhur të trotinetëve elektrikë, përfshirjes së tyre joadekuate në trafik dhe përdorimit të tyre joadekuat, veçanërisht nga të miturit", tha Toshkovski dhe shtoi se për momentin po kryhet një analizë krahasuese dhe po shqyrtohen përvojat e vendeve të tjera.

Ministri tha se Greqia është një nga vendet që kohët e fundit ka implementuar masa më radikale në këtë drejtim.

"Do ta shfrytëzoj këtë rast për të thënë se në të ardhmen do të ketë ndryshime ligjore që do të jenë më restriktive në këtë sferë. Nuk mund të hyj në detaje tani, se a do bëhet fjalë për kufizim të moshës 18 apo 16 vjeç, nëse do të shkojmë me ndalesa apo një sistem më të rregulluar, por në çdo rast, është absolutisht e qartë se na duhen ndryshime ligjore në këtë aspekt në mënyrë që të rritet siguria që lidhet me këtë lloj mjeti transporti", tha ai.

Foto: MIA

Остани поврзан